Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Fitorja e protestës, turpi i intelektualëve

Mediu kërkon asistencë nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore: T’i rikthehet qytetarit zëri në parlament

Mediu kërkon asistencë nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore: T’i rikthehet qytetarit zëri në parlament

11:27, 13/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, u shpreh qartë në mbledhjen e Komisionit për realizimin e Reformës Zgjedhore se parlamenti shqiptar po përballet me një krizë të thellë përfaqësimi, ku rreth 60-70% e deputetëve konsiderohen të emëruar dhe jo të zgjedhur nga qytetarët.

Ai kërkoi ndërhyrje urgjente për të garantuar që qytetarët të kenë zërin e tyre në procesin politik, duke rikthyer thelbin e parlamentarizmit, si dhe për të siguruar financim të drejtë dhe garanci për hyrjen e forcave të reja politike në zgjedhje.

Mediu theksoi gjithashtu nevojën për pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile dhe asistencë teknike nga OSBE/ODIHR-i, për të siguruar që reforma zgjedhore të jetë e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe e ligjshme.

Pjesë nga deklarata:

Si nga pikëpamja teknike, po ashtu edhe nga pikëpamja politike. Dhe bie dakord që ne, si përfaqësues të Kuvendit, duhet të dëgjojmë më me vëmendje mendimin e teknikëve. Pra, aty duhet debatuar në radhë të parë të gjitha idetë dhe më pas ne të arrijmë në vendimmarrje. As ata të mos na dublojnë ne, po as ne të mos dublojmë ata. Domethënë, është shumë e rëndësishme që t’i ndajmë qartë funksionet e tyre që kemi.

Dhe nuk e di, ngaqë s’kam qenë në mbledhjen e kaluar, a kemi kërkuar të paktën një asistencë, që shpesh e kemi kërkuar, për shembull nga Odiri, apo edhe nga OSBE-ja, që të na asistojnë në praktikën e reformës zgjedhore, se besoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme për njohuritë që ata kanë lidhur me reformat zgjedhore dhe kanë qenë gjithmonë të dobishëm. Të paktën mbaj mend historinë e reformës zgjedhore nga viti 2001 deri në vitin 2005.

Në qoftë se nuk e kemi bërë, do të doja që ky komision, në mënyrë të përbashkët, t’i adresohej OSBE-së dhe Odirit për asistencë teknike dhe ligjore në këtë reformë. Pastaj, mendoj që është shumë e rëndësishme – dhe këtë e kam për pjesën teknike – që kjo reformë zgjedhore duhet të vijë pikërisht në përputhje me atë çka parashikon Kushtetuta për organizimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar, rikthimin e parlamentarizmit. Parlamentarizmi nuk është emërim nga partitë politike apo nga kuotat; parlamentarizmi është zgjedhje e qytetarëve, të cilët delegojnë autoritetin disa përfaqësuesve të tyre nëpërmjet votës. Partitë politike bëjnë garë, qytetarët vendosin. Për fat të keq, kemi mbi 60-70% të parlamentit i cili është i emëruar.

Dhe do të doja që, të paktën në vlerësimin tuaj teknik, të shikohet se si mund të bëhet e mundur që qytetarët të kenë zërin dhe partitë politike të jenë pjesë e garës në proces. E dyta ka të bëjë me administrimin zgjedhor, siç tha kolegu im Bylykbashi, i cili ka treguar qartësisht jo vetëm vonesa dhe probleme të manipulimit gjatë administrimit, por edhe një pasiguri totale lidhur me rezultatet e procesit zgjedhor. Këtu duhet të shqyrtohet e gjithë struktura e administrimit të zgjedhjeve për të përcaktuar çfarë duhet ndryshuar.

Financimi i partive politike u tha këtu që nuk ka ndonjë ndikim të madh ose është një çështje që nuk është e debatueshme. Për mendimin tim, është shumë e debatueshme, sepse duhet parë që financimi të krijojë mundësi politike dhe elektorale për partitë, për të qenë pjesë e funksionimit politik dhe organizativ, edhe në ato organizime që, siç tha zoti Bylykbashi, i shërbejnë nga pikëpamja kushtetuese organizimit dhe funksionimit të shtetit. Është shumë e rëndësishme që këto të kenë premisën për të minimizuar diferenca të mëdha që krijojnë një garë të pabarabartë në fushatë zgjedhore.

Jo vetëm gjatë garës – ku financimi shkon kryesisht, jo në bazë të kandidatëve, por në bazë të historisë elektorale të mëparshme – gjë që është e papranueshme, sepse mund të dalin forca të reja dhe individë që hyjnë në zgjedhje dhe duhet të kenë po ato garanci financiare të përcaktuara nga ligji. Akumulimi financiar që bëjnë partitë për shkak të rezultateve për katër vjet krijon një diferencë jashtëzakonisht të madhe në raport me garën elektorale. Gara elektorale është organizim politik dhe financim; duhet të shikohet si mundësi për të gjithë kandidatët që hyjnë në fushatë, jo vetëm për partitë më të mëdha.

Po ashtu, një nga çështjet e ngritura me forcë ka qenë ndarja e shtetit nga partia në pushtet. Në raportin e fundit të Odirit thuhet qartë se ka një shkrirje të shtetit me pushtetin. Këtu duhet parë mekanizmi që garanton ndarjen e shtetit nga partia në pushtet. Përdorimi i shtetit për interesa elektorale bën që gara të jetë krejt e padrejtë dhe procesi të manipulohet qysh në fillim.

Më tej, çdo diskutim i këtij komisioni duhet të ketë pjesëmarrjen e palëve të interesuara, sidomos të shoqërisë civile, e cila ka dhënë mendime shumë të dobishme për reformën zgjedhore. Gjithashtu, duhet të përfshihen partitë politike të tjera parlamentare që nuk janë sot në këtë tryezë. Ftesa duhet t’u dërgohet përfaqësuesve të tyre, të kenë të drejtë të jenë prezent dhe të japin kontributin e tyre. Mekanizmi i konsensusit u jep mundësi gjithësecilit aktor të jetë prezent dhe të shprehë shqetësimet dhe qëndrimet e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco