Fronti opozitar ka dalë me një platformë të përbashkët pas takimit të Forumit për Dialogun Politik, ku u dakordësuan tri kërkesa kryesore: bllokimi i ndryshimeve në Kodin Penal, krijimi i një qeverie teknike për zgjedhje të lira dhe mbështetja për drejtësinë, si dhe vijimi i protestave.
I ftuar në “Intervistën e Pasdites”, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet në një situatë të vështirë politike, çka sipas tij reflektohet në veprimet ndaj drejtësisë dhe reagimin gjatë protestave.
Në tryezë morën pjesë rreth 15 parti, përfshirë aleatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas Alimehmetit, prioritet mbetet ndalimi i ndryshimeve të njëanshme në Kodin Penal dhe garantimi i zgjedhjeve të ndershme përmes një qeverie tranzitore.
Alimehmeti:
Absolutisht, në radhë të parë, ju e dini që Edi Rama është në një situatë krejtësisht të pafavorshme për të. Është shumë i qartë dhe kjo është arsyeja pse po bën dhe goditjet ndaj drejtësisë, siç ju me të drejtë i përmendët pak më parë. Dhe kjo shpjegon edhe humbjen e nervave, po ta shihni gjatë protestës kur policia bën akte komplet të paprovokuara, të cilat mund të ishin shmangur krejtësisht në një gjendje më të qetë të drejtuesve të saj. Po me sa duket nuk është e atillë. Dhe po kaloj menjëherë tani tek pyetja që ju bëtë.
Atëherë, ky është një takim i cili u koordinua nga forumi për dialogun politik, që në bashkërendim, ju e dini sepse tashmë ato kanë bërë deklaratat e tyre në muajin janar, në fund të muajit janar, ku tentojnë të bëjnë këtë harmonizim po themi ndër forcat politike, patjetër, është kjo në unifikim me qëndrimin e Partisë Demokratike. Për sa kohë kjo shërben në përballjen me Edi Ramën dhe arritjen e objektivave opozitare që neve kemi të vendosura.
Në këtë tavolinë të sotshme, ishte arritur një numër, të vinin në tavolinë rreth 15 parti, ku shumica dërrmuese ju e dini janë, aleatë, por pati ndoshta dy-tre shtesa të reja, për shembull nga LZHK-ja e me radhë, të pranishëm në tavolinë. Ajo çka ishte ekstra ishte se ishin të pranishëm edhe segmente të caktuara të shoqërisë civile, që në deklaratë nuk ishin sepse patjetër deklarata është politike dhe ato nuk mund të qëndrojnë aty, por dhanë mendime të vlefshme.
Ajo ishte një tavolinë ku pati diskutim. Nuk është se ishte diçka ku kishte një skenar, pati një diskutim, por në fund të fare, në mënyrë të harmonizuar dhe të unifikuar, ju i patë dhe deklaratat e nënkryetarit të Partisë Demokratike, zotit Boçi dhe të zotit Hasimi si përfaqësues i forumit për dialogun politik, ku ata shumë qartë shprehen në radhë të parë që, edhe sepse është nevoja më e ngutshme, duhet penguar me doemos ndryshimi i kodit penal nga ana e mazhorancës, nga ana e Edi Ramës, në mënyrë unilaterale, pikërisht sepse ai është në risk tashmë.
Dhe duke kuptuar riskun e vet, ai tashti po mundohet të bëjë gjithçka vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet. Këtu jemi shumë të qartë. E dyta, absolutisht qëndrojmë në të njëjtin parim përsa i përket një qeverie tranzitore, kujdestare, emër për t'u përcaktuar, e cila duhet të jetë garantuese e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sepse kjo është hapi i parë drejt demokracisë. Patjetër mbështetjen ndaj drejtësisë, për sa kohë kjo është një drejtësi brenda kadrës kushtetuese dhe në respekt të të drejtave të njeriut, sepse neve këtë presim prej një drejtësie, apo jo? Të jetë brenda vlerave kushtetuese dhe në respekt të drejtave të njeriut. E më pas, patjetër, këtu nuk shkohet dot po nuk kaluam përmes protestës.
© SYRI.net