Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

'Elektorati shqiptar në ‘zona gri’/ Morava: PS përdor strategji të sofistikuar për të manipuluar votuesit

10:41, 12/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin Kafe Shqeto, gazetarja Kostana Morava foli për manipulimin e opinionit publik në Shqipëri, ku u shpreh se partitë politike, veçanërisht Partia Socialiste, po përdorin një strategji të sofistikuar konfuzioni, duke imponuar narrativat e tyre përmes zyrave të PR-it, shkrimeve anonime dhe spin doktorëve.

Ajo paralajmëroi se kjo ka krijuar një “elektorat gri”, i çorientuar dhe pa mundësi për të dalluar qartë platforma parimore, duke i bërë votuesit të mbështeten ose të lëvizin drejt interesave të pushtetit, larg përgjegjësisë reale të partive.

Morava theksoi se qeveria dhe institucionet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të garantuar transparencë politike, informacion të saktë dhe përgjegjësi të plotë nga partitë, për të shpëtuar procesin demokratik nga manipulimi i qëllimshëm dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet.

Pjesë nga deklarata:

Përpilojnë strategji, si kjo që përmende ti, por edhe të formave nga më të ndryshmet, pra nga zyrat e marrëdhënieve publike, që nga shkrime me emra anonimë që mbysin opinionin publik, krijojnë një retorikë apo një narrativë sipas interesit të tyre, e përhapin këtë, e imponojnë opinionin publik se për çfarë duhet të flasi, se ku ta ketë fokusin. Për shembull, mos flasi për këtë temë që po flasim ne sot, po të flitet për diçka tjetër. Janë, është një makineri e vërtetë propagande, shkolla e marrëdhënieve publike dhe komunikimit, që nëse do ta përdorësh për qëllime të tilla, mund ta përdorësh; ekzistojnë të gjithë mekanizmat psiko-socialë, politikë, retorikë, në publicistikë e kudo me radhë.

Çfarë ka ndodhur konkretisht në këndvështrimin tim? Kryesisht e majta, e majta evropiane e këtyre viteve të fundit, punon shumë me konceptin e ambiguitetit, pra paqartësisë, konfuzionit. Është, si të thuash, arma e tyre kryesore. Ata e prodhojnë qëllimisht konfuzionin, e hedhin në publik pikërisht për të çorientuar turmën. Në mënyrë që turma, pastaj, masa, populli, votuesi, kur të bëjë zgjedhje, të ketë zgjedhjen e orientuar paraprakisht, pra të jetë e orientuar edhe zgjedhja.

Po e bëj shumë teorike, si një leksion, por çfarë po ndodh në Shqipëri? Pikërisht me këto mekanizma të errët të propagandës. Të errët në kuptimin që janë të padukshëm, prandaj po e them “të errët”. Pra mekanizma të fshehtë të partive. Po mësohet elektorati, votuesi, se partitë nuk janë më platforma parimore, që janë të ndara qartë, si e majta me të djathtën, qendra me këtë apo atë.

Po çfarë po ndodh? Pikërisht Partia Socialiste, me zyrën e saj të pushtetit, gjatë gjithë këtyre viteve, jo vetëm tani që është në pushtet, por që kur kryeministri aktual ka qenë kryetar bashkie, ka ndjekur këtë strategji PR-i, spini. Partitë nuk shiten, por na serviren vetëm si struktura pushteti. Pse ndodh kjo? Që votuesi të humbasë besimin tek partitë, të krijohet sa më shumë elektorat gri, të krijohen sa më shumë zona gri. Pikërisht në zonat gri bëhen ndërhyrjet për të kaluar njerëz sa majtas, sa djathtas, për të mos mbajtur më boshtin e platformës parimore që duhet ta ketë secila parti. Pse duhet ta ketë këtë platformë parimore? Sepse nesër, kur të dalë nga ky bosht, unë si votues, apo dikush tjetër që mund të jetë edhe në pozita më administrative, kam se ku të kërkoj llogari.

Çfarë ndodh? Duke i humbur të gjithë këto kufij, duke i zbehur dhe devijuar, humbet edhe përgjegjësia e partisë. Nuk ke më për çfarë t’i kërkosh. Ore, ke bërë politikë jashtë platformës tënde, ti s’mund t’ia thuash dot më, sepse automatikisht përgjatë gjithë këtyre viteve është punuar pikërisht për këtë nga e majta.

Me patjetër, kjo është në gjykimin tim, në shikimin tim, është e majta evropiane radikale, klasike, por edhe post-klasike evropiane, e cila sot ka zhvilluar kaq mirë mekanizmat e manipulimit dhe ka pikërisht arritjet që shohim sot. Një konfuzion i përgjithshëm i elektoratit, i popullit. Dalin edhe ca spin doktorë nëpër ekrane, dalin edhe disa narrativa të kontrolluara, të parafabrikuara në opinion publik.

Dhe unë mendoj se kjo ndikon patjetër, sepse psikologjia e individit, sidomos e individit që nuk ka studiuar politikë, apo nuk merret rregullisht me politikë dhe që lexon thjesht lajmet ose dy tituj, ndikon në subkoshiencën e tij dhe ndikon edhe në zgjedhjet, duke orientuar zgjedhjen, besimin, duke i thënë çfarë të besojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco