Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

PLUG/ Milionat për Lulzim Kapllanajn nxjerrin në dritë një tjetër aferë dhe lidhje të dyshuar klienteliste të Belinda Ballukut

10:38, 12/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Çështja e blerjes së dy vinçave me vlerë mbi 8 milionë euro nga Autoriteti Portual Durrës (APD) në vitin 2022 është trajtuar në emisionin investigativ “PLUG” në Syri TV, duke iu referuar gjetjeve zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka evidentuar një sërë shkeljesh në procedurat e prokurimit.

Sipas raportit të KLSH-së, në këto tendera janë konstatuar problematika që lidhen me respektimin e ligjit për prokurimet publike dhe menaxhimin financiar. Ndër çështjet kryesore të ngritura përmenden:

Parashikimi i një parapagese deri në 90% të vlerës së kontratës përpara dorëzimit të plotë të pajisjeve;

Mangësi në dokumentacionin dhe kriteret e kualifikimit;

Pagesa të kryera pa faturim të rregullt tatimor, me pasojë mosarkëtimin e TVSH-së sipas auditimit.

LEXO EDHE: PLUG/ Dy vinça të rinj për 8 milionë euro në 2022, dhe justifikimet e Pirro Vëngut kur KLSH zbuloi skandalin

Fitues i procedurave rezulton kompania Hydropoëer SHPK, në pronësi të biznesmenit Lulzim Kapllanaj. Emisioni “PLUG” thekson se kompania ka përfituar kontrata të konsiderueshme publike, ndërsa gjetjet e KLSH-së hedhin dritë mbi mënyrën se si janë zhvilluar procedurat konkrete të blerjes së vinçave.

Në analizën e tij, emisioni e vendos këtë rast edhe në një kontekst më të gjerë politik, duke përmendur faktin se Kapllanaj është nga qarku i Fierit – zonë me ndikim politik të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas investigimit të PLUG, përsëritja e përfitimeve nga i njëjti operator ekonomik në sektorë të lidhur me infrastrukturën dhe energjinë ngre pikëpyetje për një marrëdhënie të mundshme favorizuese në nivel politik.

LEXO EDHE: VIDEO/ 4 milionë euro për blerjen e një vinçi dhe falje TVSH-je, si u kap në abuzim Pirro Vëngu

Ajo që ngre edhe më shumë hijë dyshimi për lidhjet politike të biznesmenit Kapllanaj është fakti se, megjithë gjetjet e KLSH-së, nuk ka asnjë levizje as nga organet e drejtësisë, siç ndodh rëndom me këtë administratë që raportët e KLSH hidhen në koshin e plehrave.

Por investigimi i “PLUG” zbulon qartë klientelizmin dhe mungesën e transparencës në tenderat shtetërorë, sidomos kur pjesë e ingranazhit të dyshimtë të tenderave është firma e Belinda Ballukut.

Rasti i vinçave në Portin e Durrësit, i audituar nga një institucion zyrtar kushtetues, siç është KLSH-ja, dhe investiguar në detaje nga emisioni PLUG i Syri TV, rikthen edhe njëherë në vëmendje debatin mbi kontrollin e fondeve publike, standardet e konkurrencës dhe ndikimin politik në procedurat e prokurimit.

/Ky është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco