I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetari Arbër Hitaj foli mbi veprimet e SPAK-ut dhe implikimet politike të një prej dosjeve më të bujshme të korrupsionit, ku u shpreh se problemi nuk qëndron tek kërkesa për arrestimin e Belinda Ballukut, por tek kërkesa fillestare për pezullimin e saj nga detyra. Sipas Hitajt, ky ka qenë “gabimi fillestar” i Prokurorisë së Posaçme, e cila veproi në një vakum ligjor që ende nuk është sqaruar, një situatë që, sipas tij, mund të shndërrohet në “vetëvrasje politike” për kryeministrin, nëse përpjekjet për ta mbrojtur Ballukun dëmtojnë besimin te drejtësia e re.
Ai theksoi se kjo paqartësi doli qartë gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku prokurorët e SPAK-ut u përballën me pyetje të drejtpërdrejta nga gjyqtarët: “Sa do të zgjasë afati i pezullimit?” apo “A ka pasur tentativa për intimidim të dëshmitarëve?”, për të cilat morrën përgjigje evazive, duke lënë të kuptohet se vetë akuza nuk kishte një plan të qartë për pasojat e veprimit të saj.
Hitaj paralajmëroi se kjo situatë ngre një dilemë të madhe, mosndërhyrja ndaj zyrtarëve të lartë nën hetim mund të krijojë precedent të rrezikshëm, ndërsa parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të mbetet i pacënuar. Ai kujtoi se, pavarësisht dyshimeve dhe presionit publik, askush nuk mund të quhet fajtor pa një vendim gjykate të formës së prerë, duke sjellë shembuj të rasteve të mëparshme ku personat e arrestuar me bujë janë liruar më vonë.
Pjesë nga deklarata:
Ka disa elementë që duhet t’i përmendim. Fillimisht, për të dalë dhe për të folur për pjesën që ka të bëjë me qëndrimin ndaj çështjes së arrestimit ose jo, duhet të kalojmë te kërkesa e parë që ka bërë SPAK për pezullimin. Pra, historia me zonjën Balluku dhe beteja e saj me drejtësinë nuk fillon te pjesa e kërkesës për arrestim, por fillon te pezullimi. Dhe për mua, kjo ka qenë gabimi që ka bërë SPAK që në fillim, sepse është një vakum ligjor që asnjë nuk di ta ndajë ende sot e kësaj dite.
Më ka bërë përshtypje se në seancën që ka pasur në Gjykatën Kushtetuese janë bërë disa pyetje shumë interesante për prokurorët e SPAK. Pyetja e parë ka qenë nga zonja Xhaferllari, e cila i tha: "Po mirë, në qoftë se ne e pranojmë kërkesën tuaj për ta pezulluar dhe e quajmë të drejtë, çfarë ndodh më pas? A do ketë pezullime të tjera?" Prokurori e la përgjigjen evazive.
Një pyetje tjetër ka qenë nga zonja Toska, e cila e pyeti: "Gjatë asaj kohe që është pezulluar pezullimi, a ka pasur tentativa për intimidim të dëshmitarëve, për prishjen e provave?" Nuk ka pasur një përgjigje të saktë.
Pastaj ka pasur pyetjen e tretë, që për mua është shumë e rëndësishme: një tjetër gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese pyeti: "Po sa është afati i pezullimit? Pra, afati zgjat dy vjet, katër vjet, pesë vjet, gjashtë vjet?" Edhe për këtë nuk ka pasur një përgjigje të qartë.
E pra, këto janë pikat e dobëta të gjithë organit të akuzës. E di pse? Sepse ka një gjë: le të supozojmë për një moment që Partia Socialiste është në qeverisje. Nesër vjen Partia Demokratike, kushdo që të jetë në qeverisje. Ka një gjë: ti nuk mund të bllokosh ekzekutivin, sepse nesër SPAK mund të bllokojë Këshillin e Ministrave, dhe afatet mund të shkojnë katër, pesë, gjashtë vjet…
E para e punës, duhet të jemi të qartë në një gjë: jemi te dyshimet e arsyeshme, por jo te fakti. Në fund të ditës, vendimi për të quajtur dikë fajtor apo jo duhet të jetë vendimi i shkallës së fundit, Gjykatës së Apelit.
Jo, që ka korrupsion nuk diskutohet, Flavio, po ka një gjë: është ngritur dhe një gjë e pavërtetë. Fondi limit për tunelin e Llogarasë nuk ka qenë asnjëherë 140 milionë euro; ka qenë 190 milionë euro që në fillim. Historia është kjo: kush ka punuar në shtet e di shumë mirë, oferta më e ulët për një tender, për një rrugë, për një vepër publike, nuk është domosdoshmërisht oferta më e mirë. Pra, nuk mund ta fitojë, sepse ka ndodhur siç ka ndodhur edhe me Rrugën e Arbrit. Po pse ka ndodhur kjo?
Po, diskutimi nuk është se nuk ka vjedhje, sepse ka një gjë: e para, këto janë diskutime shumë teknike. E dyta, unë e kam lexuar kontratën. Kontrata thotë tekstualisht që nuk mund të nënkontraktosh më shumë se 51% të punimeve. Është ligjore. Nuk e di nëse janë kontraktuar më shumë se 51% e punimeve.
Po pra, meqë jemi te teknikat… ka një gjë: gjykata cakton sa do dënohet hajduti, jo nëse është apo nuk është hajdut. Gjykata nuk thotë që ti je hajdut pa mbaruar procesi. Ka një gjë që ne shpesh bëjmë gabim: unë jam te ata që mbështesin drejtësinë e re, mbështes SPAK-un, por që dikush të quhet fajtor, duhet të jetë vendimi i gjykatës, përfundimtar.
Shikoni çfarë ka ndodhur me disa dosje të rëndësishme. Për shembull, çështja e Partizanit dhe dosje të tjera. U ngrit në opinion publik që këta janë fajtorë, pa hyrë në emra. Ndërkohë, kalon koha, disa persona të rëndësishëm u arrestuan, pastaj u liruan. Pra, do të thotë: është bërë gabim nga ana e SPAK-ut në fillim apo më vonë? Gjykata i tha: "Këta njerëz që i arrestuat me bujë, nuk duhej të arrestoheshin."
© SYRI.net