Një projektligj i ri që synon të rregullojë fushën e medias në Shqipëri ka ngjallur debate të ashpra, mes akuzash se qëllimi i tij i vërtetë nuk është përmirësimi i etikës, por shtimi i kontrollit qeveritar dhe instrumentalizimi i gazetarëve për sulme politike.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, avokati Besart Logu shprehet se për të kuptuar qëllimin real të këtyre ndërhyrjeve ligjore, duhet parë konteksti aktual i medias shqiptare, një realitet i pasqyruar qartë në raportet e partnerëve ndërkombëtarë.
Duke u bazuar në këto raporte, ngrihet alarmi se projektligji i ri, në vend që të adresojë këto probleme themelore, krijon një mekanizëm për t’i thelluar ato. Sipas Logut, ligji do t’i japë një lloj “amnistie” një kategorie gazetarësh që do të përdoren për të sulmuar dhe denigruar kundërshtarët politikë dhe zërat kritikë.
Ky fenomen është krahasuar me praktikën e “fletë-rrufeve” të periudhës së komunizmit, duke paralajmëruar një epokë të re denigrimi me urdhër. Drafti për avokatin Logu, është një kurth procedural. Duke futur kërkesa burokratike si regjistrimi i detyrueshëm i gazetarëve në regjistra të kontrolluar nga ekzekutivi, ligji synon të bëjë të pamundur punën e gazetarisë së pavarur. Sipas tyre, kur një çështje futet në procedura të stërzgjatura, qëllimi nuk është zgjidhja, por “vdekja” e saj.
Në këtë mënyrë, pretendohet se projektligji do të krijojë një terren të favorshëm për “gazetarët me pagesë”, të cilët do të shërbejnë për të krijuar “shashka” mediatike—zhurma dhe lajme të rreme për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga skandalet e vërteta, si kontratat korruptive apo dështimet në infrastrukturë.
Atëherë, për të kuptuar qëllimin real, se çdo ligj në kreun e tij ka atë qëllimin e ligjit. Në rast konkret kemi të bëjmë me një draft, por prapë dhe në, pra me një amendim, por dhe në amendim ka gjithmonë një qëllim, pse po ndërhyhet. Për të kuptuar qëllimin real, unë kam një optikë tjetër, do i referohem tre raporteve të cilat janë shumë të rëndësishme dhe me impakt në jetën tonë politike.
Raporti i DASH i gushtit 2025 thotë, qeveria, partitë politike dhe grupet kriminale kanë përdorur lidhje të drejtpërdrejta me pronarët e medias dhe redaktorët e lartë për të ndikuar në përmbajtjen e raportimit. Dy, raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it, tetor 2025. Pavarësia, diversiteti, integriteti i lajmeve që u ofrohen votuesve, janë cenuar nga varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jo transparente nga interesa politike dhe biznesi, të cilat shpesh mbështeten në kontrata me qeverinë.
Dhe Progres Raporti i nëntorit 2025. Situata mbetet kryesisht e pandryshuar. Me pavarësinë dhe pluralizmin mediatik që vazhdojnë të ndikohen nga mbivendosja e interesave politike dhe të biznesit, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i lartë i pronësisë mediatike, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës për gazetarët. Pra kemi raporte të SHBA-së, Departamentit të Shtetit, kemi raporte të Bashkimit Europian sa i përket ecurisë së plotësimit të detyrave për të qenë pjesë e këtij unioni, si dhe raportin e OSBE-ODIHR-it në kuadër të prezencës së saj në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat nënvizojnë faktin që mediat financohen direkt, janë të kapura, kanë interesa direkte me qeverinë.
Pastaj, në aktualitetin tonë, kemi me prova, me akte të prodhuara nga organi i akuzës, ku provohet që media të caktuara janë pjesë e tenderave qeveritare. Ne kemi, kemi parë debate publike mes pronarë, mediash e portalesh që i bëjnë letra njëri-tjetrit, i denigrojnë dhe nuk lënë gjë pa thënë. Pra, në këtë klimë është sot media dhe në këtë klimë do të diskutohet konteksti dhe qëllimi real në të cilin janë bërë këto ndërhyrje. Pa diskutim, në vlerësimin tim gjithmonë personal, ato që thotë Isai qëndrojnë, se e sheh si pjesë, si profesionist dhe si grup interesi që do zbatojë ligjin mbi të. Por, optika ime qëndron diku tjetër.
Në kushtet e një klime të tillë mediatike, në një varësie të plotë ndaj interesave politik, qeveritar e sidomos kriminal, ky projektligj mua më duket sikur do i japi një farë amnistie atyre çicave, atyre, të ta vëmë në këtë kontekstin e jetës së rrugës, bandave e grupeve kriminale, do kthehen në çiça shumë vetë, paguajnë... do të jetë akoma dhe më agresiv. Do të kthehet ai këndi i fletë-rrufeve të kohës së Enverit dhe do të demaskohet, do të denigrohet çdo person që do në mënyrë kategorike.
Për sa kohë është një shprehje, një batutë në këtë fushën e së drejtës, në qoftë se nuk do të zgjidhësh diçka, futem në procedurë. Po ta shohësh, aty është futur në procedurë. Jo po duhet të jesh i regjistruar këtu, duhet ta provosh ti që ke bërë disa kërkime, duhet ta bësh ti këtu duhet. Pra në momentin që e fut në procedurë, ajo gjë ka vdekur. Dhe në të tilla kushte unë çmoj se qëllimi ka qenë për t'i krijuar një terren sa më të favorshëm gazetarëve të cilët flasin me pagesë, gjuajnë me pagesë, denigrojnë me pagesë dhe do krijojnë këtë krimin e realiteteve. Domethënë, këto sfumimet, këto shashkat, hidhet një shashkë këtu që të hiqet vëmendja nga ky skandali atje, nga ajo kontrata atje, nga shembja e tunelit atje, nga shembja e tunelit tjetër, nga kriza e rrugës e të tjera me radhë.
Tani këto gazetarët e prime time-it s'i kam parë me reaguar. Që ata teorikisht kanë më influencë me atë kohën televizive e të tjera me radhë. Pra, duke qenë se këto s'kanë reaguar, reagojnë vetëm këto që janë në terren, ky brezi i ri që e ka me pasion punën. Kjo të lë pak me dyshu. Ka diçka. Domethënë si qenka ky gazetari 30 vjeçar në jetën publike, që nuk e ndjen veten të rrezikuar, nuk është në gjendje ky ta lexojë këtë ligj, nuk është në gjendje ky të parashikojë dy-tre raste hipotetike? Nuk e sheh veten ky të varur në qoftë se do ketë një regjistër të posaçëm për gazetarët nga institucion që varen direkt nga ekzekutivi. Tani, në qoftë se nuk e sheh veten të varur, i bie që qenka i varur. S'ka ndonjë risi në ligj.
© SYRI.net