Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës kundër Edi Ramës, qytetarët e kalojnë natën para kryeministrisë

Topollaj: As në Afrikë s’kam parë korrupsion si në Shqipëri, rruga e integrimit devijoi nga vjedhjet e qeverisë

Topollaj: As në Afrikë s’kam parë korrupsion si në Shqipëri, rruga e integrimit devijoi nga vjedhjet e qeverisë

09:27, 19/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Spartak Topollaj, ish-konsull i Republikës së Shqipërisë dhe diplomat, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me fondet e Bashkimit Europian dhe procesin e integrimit europian të vendit.

Sipas Topollajt, situata aktuale nuk është e vështirë për t’u kuptuar dhe nuk përbën “probleme të matematikës apo të fizikës së kohës së Ajnshtajnit”, por është e qartë edhe për një qytetar të thjeshtë. Ai u shpreh se mënyra se si janë menaxhuar fondet e Bashkimit Europian dhe të Komisionit Europian tregon arsyet pse Shqipëria po has pengesa serioze në rrugën drejt anëtarësimit.

Topollaj theksoi se Bashkimi Europian është ndërtuar si një forcë e madhe ekonomike dhe politike, ku Shqipëria aspiron të bëhet pjesë, por ky proces kërkon standarde të larta dhe përmbushje të kushteve strikte. Ai solli si shembull vende si Bullgaria dhe Rumania, të cilat, ndonëse me standarde më të larta jetese, legjislacion më të fortë dhe stabilitet më të madh politik e ekonomik se Shqipëria, janë pranuar me vështirësi dhe pas një rruge të gjatë.

“Në momentin që devijon nga rruga kryesore dhe futesh në rrugica e tatëpjeta, shton kohën dhe vështirësitë për arritjen e qëllimit,” u shpreh Topollaj, duke nënvizuar se arsyeja kryesore e vonesave, sipas tij, është korrupsioni.

Ai e cilësoi korrupsionin aktual si të paprecedentë në historinë e Shqipërisë, duke e krahasuar me raste ekstreme në vende të tjera të botës. Topollaj tha se, bazuar edhe në përvojën e tij pesëvjeçare në Afrikë, nuk ka hasur kurrë nivele kaq të larta dhe të guximshme vjedhjeje nga një administratë shtetërore.

Në deklaratën e tij, ai kritikoi fort qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke pohuar se shumë zyrtarë janë ndjerë të paprekshëm për shkak të mbështetjes politike, çka sipas tij ka çuar në abuzime të rënda. Ai përmendi gjithashtu hetimet dhe arrestimet e bëra nga SPAK-u, duke hedhur poshtë pretendimet se ky institucion kontrollohet nga opozita.

Topollaj:

Nuk është e vështirë të kuptohet dhe kjo, nuk hyn tek ato problemet e vështira të matematikës apo të fizikë, të kohës së Einstein-it e të tjerëve që ne, natyrisht për nivelin normal që kemi, në këto fusha s'kemi si t'i dimë. Po këto, edhe një njeri i thjeshtë, flas për këto që ka ndodhur me fondet e Europës, e Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian. Këto dhe një njeri i thjeshtë, edhe më naivi i kupton pse ka ndodhur.

Tani duhet sqaruar diçka. Bashkimi Europian, komuniteti pra europian, dhe Komisioni Europian, qeveria e tij, janë krijuar si një forcë e madhe ekonomike dhe politike për Europën, ku ne gjithashtu, si shumë të tjerë, aspirojmë të hyjmë dhe të bëjmë pjesë. Kjo nuk është e lehtë, kjo nuk është e thjeshtë, sepse dhe shtete më të mëdha se ne kanë hyrë me vonesë dhe pas mundimesh të gjata. Ato kanë pasur standard shumë më të lartë jetese, legjislacion shumë më të mirë e më të fortë se ne, stabilitet politik dhe ekonomik më të madh se ne, dhe megjithatë, mezi janë pranuar. Bile zyrtarisht, edhe Bullgaria dhe Rumania këto ditë kanë hyrë tamam, që u barazuan edhe me euron, pra filluan të përdorin si monedhë kombëtare euron, europiane pra, dhe janë shumë para nesh dhe hyjnë me vështirësi.

Merre me mend...ku jemi ne dhe çfarë rruge të gjatë e të mundimshme kemi. Po pse? Rruga është e njëjtë për të gjithë. Por ka raste që dikush që devijon nga rruga kryesore, i bie rrugicave dhe tatëpjetave, përpjetave të arritjes së qëllimit, natyrisht që shton kohën, shton vështirësitë. Dhe kryesorja pse po ndodh kjo, për mendimin tim është vetëm një, dhe vetëm një.

Është rruga e gabuar nëpërmjet korrupsionit të paparë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë dhe vjedhjeve nga më të guximshmet që ka njohur ndonjë qeveri, jo Europe, por bote. Po ta them unë, as në Zimbabve, as në Ugandën e Idi Amin Dada Oumee, as në shtete të tjera nuk kanë ndodhur vjedhje të tilla.

 Po, natyrisht, kam punuar pesë vjet në Afrikë. Them që njoh diçka, nuk dua të bëj... Kurrë në botë. Kurrë s'mund të ketë korrupsion të tillë dhe vjedhje kaq të guximshme. Çmendurira të papara të një administrate që nuk do t'ia dijë, vetëm me faktin se mbrapa tyre qëndron Edi Rama. S'kanë ç'na bëjnë, thotë, kemi Edin, thonë ministrat, kryebashkiakët, drejtorët e përgjithshëm dhe të gjithë ata, një pjesë e mirë e të cilëve janë në burg, dhe janë në burg nga SPAK-u i tyre. Se të thuash që SPAK-un e komandon Sali Berisha, që është vetë një nga ata që është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në SPAK, dhe e mbajtën në mënyrën më absurde dhe paradoksale një vit të mbyllur në shtëpi, që ishte haptas një dëshirë, një aspiratë e hershme e Edi Ramës, se nuk do kundërshtar, ai do vetëm tufën e servilëve mbrapa. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco