Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me banorët dhe simpatizantët në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku në fokus kanë qenë vështirësitë e procesit të rindërtimit pas tërmetit.
Në prani të liderit të opozitës, Sali Berisha, dhe drejtuesve të tjerë të lartë, kryetarja e degës së PD-së në Kombinat, Onelda Zefi, e cilësoi këtë zonë si "simbolikë të premtimeve të shkelura dhe dështimit të rindërtimit". Gjatë fjalës së saj, Zefi akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur premtimin për t'u siguruar banorëve shtëpi brenda një viti.
Sipas saj, shumë familje vazhdojnë të jetojnë me qira të papërballueshme dhe përballen me një burokraci të stërzgjatur, duke u endur nëpër institucione "me dosje që zvarriten kudo". Duke theksuar mesazhin politik, Zefi pohoi se rindërtimi nuk është një "dhuratë e pushtetit", por një "e drejtë absolutisht kushtetuese".
Ajo siguroi se Partia Demokratike nuk do të lejojë që të tallet dikush me jetën e banorëve dhe do të shërbejë si zëri i tyre në çdo rast. "Ne premtojmë se zëri i Kombinatit do të dëgjohet fort dhe qartë," deklaroi ajo. Prania e Sali Berishës u përshkrua si një "mesazh force, bashkimi dhe shprese për çdo demokrat". Takimi vjen në kuadër të një fushate intensive takimesh të opozitës me qytetarët dhe shërben gjithashtu si një mobilizim për protestën kombëtare të paralajmëruar për datën 24 janar. Zefi u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe ta kthejnë zhgënjimin në vendosmëri dhe reagim qytetar.
Zefi:
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. I nderuar doktor Ali Mehmeti. I nderuar deputet zoti Klevis Balliu, e nderuar Florian, e nderuar deputete e legjislaturës së kaluar zonjushë Andia Ulliri, koordinatore e analizës për zgjedhjet e 11 majit në Kombinat. Mirë se erdhët në Kombinat. Fort të nderuar demokratë dhe qytetarë të Kombinatit. Sot nuk jemi këtu për të folur fjalë të bukura, por për të treguar të vërtetën e cila fshihet prej kohësh.
Kombinati është bërë simbolikë e premtimeve të shkelura dhe dështimit të rindërtimit. U premtua dinjitet, shtëpi për një vit, por sot ju jetoni me qira të papërballueshme dhe endeni në institucione me dosjet që zvarriten kudo. Duhet të kemi parasysh, të nderuar pjesëmarrës dhe juve që na ndiqni, se rindërtimi nuk është një dhuratë e pushtetit, por rindërtimi është një e drejtë absolutisht kushtetuese. Partia Demokratike nuk do të lejojë që të tallet askush me jetën tuaj dhe me jetët e familjarëve tuaj.
Sot në Kombinat kemi kënaqësinë dhe nderin të kemi liderin historik të Partisë Demokratike, zotin Sali Berisha, i cili në momentet e vështira të demokracisë në këtë vend, ka vendosur të qëndrojë përballë dhe të mos tërhiqet në asnjë moment. Prania e tij sot këtu është një mesazh force, bashkimi dhe shprese për çdo demokrat. Ne premtojmë se zëri i Kombinatit do të dëgjohet fort dhe qartë. Ne premtojmë se do të jemi zëri juaj në çdo rast.
Le të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur dhe të guximshëm. Le ta kthejmë zhgënjimin në vendosmëri. Le ta kthejmë pritjen në reagim qytetar. Le t'i themi njëri-tjetrit çdo ditë se ky vend ndryshon atëherë kur qytetari ka vendosur të mos pranojë të përdoret nga pushteti. Së fundmi dua t'ju falenderoj për çdo sakrificë, për besimin që na keni dhënë në çdo kohë. Ju falenderoj me zemër. Do jemi bashkë në çdo aksion dhe shihemi në datë... me datë 24. Rroftë Kombinati, rroftë Partia Demokratike. Zoti na bekoftë me ditë më të mira.
© SYRI.net