Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

SYRI TV/ Rama, hapa prapa për anëtërësimin në BE: Procesi po vështirësohet

13:35, 18/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë podcastit të tij të përjavshëm se procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Europian po vjen duke u vështirësuar. Kryeministri u përpoq ta kanalizojë si motiv kryesor të këtyre vështirësive volumin e madh legjislativ dhe shmangu komentet për arsyet reale të tejzgjatjes së integrimit të vendit, që lidhen me mos-realizimin e reformave të kërkuara, nivelin e lartë të korrupsionit, problemet me funksionimin e shtetit ligjor, parregullsitë në zgjedhje dhe një sërë çështjesh të tjera, të cilat u renditën edhe në progress-raportin e fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

“Për shumicën qeverisëse duhet të jetë e qartë se procesi do të vijë duke u vështirësuar, pasi ka një volum legjislativ që kurrë më parë nuk ka kaluar filtrin vendimmarrës. Por unë jam besimplotë dhe i bindur që Grupi Parlamentar do të jetë në lartësinë e kësaj sfide. Është e rëndësishme të rrisim komunikimin me mbështetësit e PS dhe betejën me frontin e gjerë të dezinformimit në të gjitha tenxheret që gurgullojnë ditë e natë.”

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030 ishte premtimi kryesor i Edi Ramës gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Por entuziazmi që shfaqte Edi Rama gjatë takimeve elektorale është ftohur me kalimin e muajve.

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian kanë deklaruar se procesi duhet bazuar në meritë dhe nuk kanë pranuar të japin një datë konkrete se kur Shqipëria mund t’i bashkohet unionit. E kundërta ka ndodhur me Malin e Zi, vend i cili pritet të bëhet anëtar i BE-së brenda vitit 2028.

I gjendur në këto kushte, Kryeministri Rama ka nisur të modifikojë qëndrimet e tij. I vetëdijshëm se Shqipëria është shumë larg plotësimit të kritereve të anëtarësimit, Edi Rama gjatë forumeve të ndryshme ndërkombëtare dhe takimeve me zyrtarët e Brukselit ka bërë propozime të padëgjuara më parë nga ndonjë kryetar qeverie.

Ai është shprehur se Shqipëria është e gatshme të heqë dorë nga e drejta e të pasurit komisioner apo edhe nga e drejta e vetos, në mënyrë që të pranohet si anëtare e BE-së. Pra, pasaporta europiane që u përdor si kalë beteje në fushatën elektorale të para disa muajve ishte vijim i traditës propagandistike të Partisë Socialiste dhe kreut të saj, të cilët që prej ardhjes në pushtet kanë hapur shishe shampanje dhe shpërndarë dekorata për një proces të cilit nuk i duhet fundi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco