Nga Petrit Vasili/
Rasti i Kukunov, i cili ishte akuzuar për përfshirje në organizata kriminale dhe rol të lartë drejtues në këto organizata, por që mbështetet nga vendimet e Gjykatës tonë Kushtetuese, është një rast që flet shumë dhe është pikërisht pika që derdhi gotën.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tij dy herë radhazi.
Në rastin e parë, duke pezulluar ekstradimin e tij në tetor 2024, Gjykata Kushtetuese u mblodh me urgjencë të paparë pasdite vonë dhe bëri gjithçka për të penguar ekstradimin, megjithë rekordet ekstremalisht të rënda kriminale të tij.
Pra, Gjykata Kushtetuese u bë gati “brof nga shtrati” për të gjykuar një kriminel rus, ndërsa zvarritet me muaj të tërë kur vjen puna për Berishen, Metën apo edhe qytetarë të ndershëm që i drejtohen asaj gjykate.
Pse ky nxitim skizofrenik i Kushtetueses?
Ndërsa, përpara dy ditësh, më 14 janar 2026, Kushtetuesja dha edhe vendimin përfundimtar, përsëri në favor të Kukunov, ndonëse kishte informacione zyrtare shumë sensitive për rrezikshmërinë e tij të tepërt kriminale dhe pa asnjë lidhje apo aktivitet politik të ndonjë lloji, që të mund të justifikonte sado pak këtë vendim skandaloz, aq më shumë që Kukunov tashmë ishte ekstraduar në Rusi prej më shumë se një viti.
Pse ky vendim kaq absurd dhe kaq shumë i komprometuar i Kushtetueses përballë informacioneve asgjësuese?
Arsyet janë të ndryshme, por të gjitha vijojnë erë të rëndë komprometimi korruptiv, sepse rekordet e Kukunov nuk motivonin askund një vendim të tillë.
Kjo çështje ka krijuar një precedent shumë, shumë të rrezikshëm për sigurinë kombëtare, duke krijuar hapësira ligjore për invadimin e vendit nga kriminelë rusë dhe jo vetëm.
Të gjitha veprimet e kryera nga Kushtetuesja, jashtë çdo logjike dhe parametri juridik e procedurial, me një kurajo të çmendur, tregojnë se komprometimi i kësaj Gjykate është i thellë dhe i hapur, si dhe dëshmon kthimin e karrigeve të saj në një mjet për pazare të çdo lloji dhe jo për realizimin e standardit më të lartë juridik dhe parimor në sistemin e drejtësisë.
Vendimet dhe qëndrimet njëpasnjëshme të kësaj Gjykate, që qelbin erë interesash okulte të pista, tregojnë se kjo Gjykatë ka dështuar totalisht në realizimin e misionit të saj.
Rasti Kukunov kërkon një hetim tepër të thellë nga SPAK, në emër të ligjit, të sigurisë kombëtare dhe të ndëshkimit të përgjegjësve konkretë, si dhe të korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
Përfundimisht, kjo Gjykatë Kushtetuese dhe anëtarët e saj kanë falimentuar tërësisht në misionin e tyre në raport me Kushtetutën dhe ligjin; ndaj, kjo Gjykatë duhet ribërë nga themeli në mbrojtje të Republikës dhe shtetit ligjor.
© SYRI.net