Deputeti i PD, Belind Këlliçi, i ftuar sot në intervistën e mesditës në Syri TV, me moderator Bledi Markun, theksoi se situata politike dhe ekonomike në vend po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur dhe të pakënaqur nga vendimet e qeverisë aktuale.
Këlliçi bëri një pasqyrë të gjendjes ku interesat e grupeve kriminale ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve dhe sektorëve kyç të vendit.
Deputeti nënvizoi se shumë vendime qeveritare, përfshirë koncesionet, lejet dhe licencimet, nuk janë të bazuara në nevojat e qytetarëve, por në lidhje me individë dhe grupe që veprojnë me ndikim të madh në ekonomi dhe politika.
Ai theksoi se qytetarët përballen me pasojat e drejtpërdrejta të këtyre vendimeve: gjoba të larta, mungesë shërbimesh, probleme me pronat dhe hapësirat publike, duke i lënë ata pa mbështetje dhe pa një zgjidhje reale për nevojat e tyre.
Sipas Këlliçit, ky fenomen tregon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë dhe e vendos vendin në një situatë ku interesi i qytetarëve nuk konsiderohet prioritet.
Deputeti i PD nënvizoi gjithashtu se pjesëmarrja aktive e qytetarëve në protestën e 24 janarit, është thelbësore për të rikthyer drejtësinë dhe transparencën në vend, ndërsa qeveria aktuale duket e larguar nga realiteti dhe sfidat e përditshme të shqiptarëve.
Deklarata e plotë:
"Ndërlidhësi me këto kartele dhe personi i vetëm që bën bashkë të gjithë këto interesa është një dhe vetëm një dhe është Edi Rama. Këto mesazhe janë të qarta, janë për qeverinë shqiptare dhe janë për kryeministrin shqiptar, sepse është kryeministri shqiptar që njihet botërisht për lidhjet e tij me kartelet më të rrezikshme të botës ku mjafton t'ju marrim vetëm shembullin e fundit të kartelit Sinaloa.
Nëse vitin e shkuar presidenti Trump e dezignjonte kartelin Sinaloa si një organizatë terroriste, i shpallte në listë të zezë të gjithë përfaqësuesit e saj, përfshi këtu dhe mikun e Edi Ramës, Luftar Hysën, me të gjithë familjarët e tij, çfarë ndodhi në Shqipëri? Edi Rama i jep, përveç se e pret në kryeministri, e ka mik dhe partner.
Luftar Hysa del në media dhe thotë unë jam krenar që jam miku i Edi Ramës dhe kam ardhur këtu për kam ardhur këtu për të folur për interesat, e para tha, për të integruar Shqipërinë në BE, për të gënjyer qytetarët shqiptarë dhe e dyta flasim se kemi pasion të përbashkët artin dhe kulturën.
Trafikanti i dizenjuar si organizatë terroriste dhe i futur në listën e zezë nga SHBA-ja për këtë arsye, shkon në zyrën e kryeministrit të një vendi anëtar të NATO-s dhe çuditërisht ky rezulton pastaj që merr liçencë për kazino dhe për hotel me pesë yje në Vlorë. Pra, kjo është ndarja e madhe midis kësaj administrate aktuale amerikane dhe një qeverisje të një vendi anëtar të NATO-s që është qeverisja shqiptare.
Këtë shpjegim e bëra për narko-shtetin për të kuptuar qytetarët shqiptarë se shpeshherë dëgjojnë kreun e opozitës, zotin Berisha apo dëgjojnë deputetët e PD-së që përdorin termin narko-shtet dhe mund t'ju duket diçka e largët, diçka që nuk ka lidhje me Shqipërinë.
Shqipëria sot është një vend ku ka një ekonomi për fatin tonë të keq të kriminalizuar në çdo sektor të vendit, është kriminalizuar gjithçka. Është kriminalizuar ekonomia, është kriminalizuar politika, është kriminalizuar shëndetësia. Sepse ju nuk keni sot një koncesion që të mos ketë vjedhje, mos ketë duart, qeverisja në xhepat e qytetarëve.
Ju nuk keni sot një anëtar të kabinetit qeveritar që nuk akuzohet, që mund të ketë mungesë akuze për një aferë. Nuk thoni dot një emër të një socialisti në vite që nuk ka patur një akuzë këto vite për korrupsion dhe kjo nuk është një lajm i mirë për PD-në ky. Nuk është lajm i mirë për opozitën. Ky është lajm i keq për shqiptarët.
Sepse ne, në fund të ditës duhet të bëjmë një analizë të thellë me njëri-tjetrin. Ore si ka mundësi në 13 vite, se tashë tashmë jemi në vitin e 13, ne kemi lejuar një grup kriminal i kryesuar nga Edi Rama të na udhëheqë. Dhe ne nuk çohemi si popull dhe ta marrim zvarrë, sepse na vjedh në mënyrë të përditshme, na plaçkit, na bastis, na gjobis.
Ju jeni nga ato familje që e keni vuajtur dhe në kurriz. Pasi ju kanë shëmbur pronat e juaja të ndërtuara me gjak, ju kanë gjobitur këta ordinerë që janë sot në akuzë për grup kriminal, për hakerimin e SPAK-ut, me Agim Isnailin në krye, ju kanë vendosur qindra milionë lekë gjoba. Pra ju jeni një ndër rastet që e keni provuar në kurriz, por jam i bindur që shqiptarët që na ndjekin, qytetarët që na ndjekin, padrejtësinë, vjedhjen, abuzimin, përbuzjen, nxjerrjen me gaz, me molotov nga shtëpiat e tyre, mos harroni që e kanë përjetuar në lëkurën e tyre.
Jo vetëm banorët e Laprakës, të Astirit, të Unazës së Re, të 5 Majit e me radhë, ku kanë shkuar thua se po shkojnë pushtuesit për të luftuar armikun e tyre. Ndërkohë që ne kemi të bëjmë me një qeverisje e cila në fund të ditës me të gjithë problemet që mund të kishe, do të duhet të ketë në thelb njeriun dhe interesin e qytetarëve. Ty të mbyllin derën sot nuk ke një derë ku të trokasësh për t'u ankuar për problemin që ke, sepse të mbyllet në turi.
Pse? Sepse kur blen zgjedhjet, kur paguan para për votën, nuk të jep më llogari ai që drejton. Dhe për sa kohë fenomeni i shitblerjes së votës është fenomen që ka deformuar vullnetin e qytetarëve, ne nuk kemi të bëjmë më me procese elektorale. Dhe këto të gjitha që unë po them, ndodhin në narko-shtet. Nuk ndodh në një qeverisje normale".
© SYRI.net