Bizneset e Gjirokastrës kanë zhvilluar një takim të rëndësishëm, ku ngritën shqetësime të ndryshme lidhur me funksionimin dhe standartet e turizmit në qytet. Një nga problematikat kryesore që u theksua ishte nevoja për ndërtimin e paketave turistike të plota, të cilat do të përfshijnë qartë çmimin, shërbimin dhe guidat turistike. Kjo do të mundësonte që vizitorët të kenë informacion të saktë dhe të strukturuar, duke përmirësuar përvojën e tyre.
Përveç kësaj, bizneset ngritën shqetësimin për mungesën e sinjalistikës orientuese, e cila është thelbësore për orientimin e turistëve në qytet. Po ashtu, u diskutua për problemet me përditësimin e Google Maps, që shpesh nuk pasqyron realitetin, dhe për mungesën e hapësirave për parkim, veçanërisht në zonat me fluks të lartë vizitorësh.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mungesa e formimit profesional në bizneset turistike, çka ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit dhe përvojën që ofrohet turistëve. Bizneset kërkuan që institucioneve përkatëse t’u japin prioritet formimit dhe trajnimit profesional, për të përmirësuar shërbimin dhe për të garantuar një turizëm më të mirë dhe të qëndrueshëm.
Një tjetër shqetësim u lidh me bujtinat (guest houses) që operojnë në informalitet, të cilat krijojnë konkurencë të pandershme dhe dëmtojnë tregun turistik.
Bizneset kërkuan që institucionet përkatëse të reagojnë ndaj kësaj situate dhe të sigurojnë që të gjitha strukturat akomoduese të operojnë në përputhje me rregullat dhe ligjet.
Një përfaqësues i një operatori turistik shprehu shqetësimin se turizmi në Gjirokastër nuk është në standardet e duhura, duke krahasuar çmimet që paguhen për shërbimet me cilësinë që ofrohet.
Ai theksoi se rritja e cilësisë dhe profesionalizmit është një domosdoshmëri për të zhvilluar turizmin në Gjirokastër dhe për të arritur një nivel të qëndrueshëm.
Për më tepër, ky sezon turistik ka treguar se Gjirokastra nuk ka ofruar një turizëm të qëndrueshëm. Një pjesë e madhe e vizitorëve kanë qëndruar vetëm disa orë në qytet, duke e bërë që shpenzimet të jenë të ulëta dhe ndikimi ekonomik për bizneset të mbetet i kufizuar. Kjo ka penguar zhvillimin e një turizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm, duke ulur potencialin ekonomik të qytetit.
Bizneset kërkuan një angazhim të menjëhershëm nga institucionet për të adresuar këto probleme dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit në Gjirokastër.
© SYRI.net