Koncesioni i sterilizimit, një kontratë me vlerë 100 milionë euro, ka lënë pas një dëm të thellë në sistemin shëndetësor shqiptar. Ndërsa kontrata po shkon drejt fundit mes akuzave për korrupsion dhe arrestimeve të ish-zyrtarëve të lartë, qeveria po përgatit terrenin për një skemë të re: krijimin e një kompanie shtetërore për të menaxhuar shërbimin, një lëvizje që ngre dyshime për vazhdimësinë e një modeli klientelist.
I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', mjeku Besnik Jakaj tha se skema korruptive funksiononte në mënyrë të thjeshtë, por shkatërruese.
Pajisjet kirurgjikale, të cilat duhet të ishin njëpërdorimëshe, mblidheshin nga kompania koncesionare, sterilizoheshin në autoklavë dhe u rishiteshin spitaleve me çmime të kripura, deri në 300 euro.
Kjo barrë binte mbi infermierët, të cilët për vite me radhë kryen punë shtesë pa asnjë pagesë shtesë, duke u bërë pjesë e një zinxhiri abuzimi të financuar me para publike.
Sipas mjekut Jakaj, ky koncesion u dha në një kohë kur Shqipëria kishte tashmë kapacitetet për të kryer këtë shërbim. Rreth viteve 2011-2012, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) u inaugurua një qendër moderne sterilizimi, e aftë të përballonte të gjithë volumin kirurgjikal të spitaleve të Tiranës.
Megjithatë, ky investim publik u la mënjanë për t'i hapur rrugën një monopoli privat, të financuar nga buxheti i shtetit dhe pa asnjë risk për kompaninë përfituese.
Dëmet e kësaj afere nuk janë vetëm financiare. Sistemi shëndetësor publik ka humbur eksperiencën, traditën dhe elemente thelbësore të funksionimit të tij.
Futja e partneriteteve publike-private (PPP) në këtë sektor ka krijuar një problem kompleks, duke plagosur rëndë shërbimin ndaj qytetarëve, përtej kostove të ekzagjeruara dhe konsumit të fondeve.
Deklarata për 'Kafe Shqeto':
“Unë i kam parë fizikisht kryesisht në spitalin e traumës, por dhe në të gjitha spitalet ku kanë kirurgji. Tek mjekimi i plagëve janë ato pajisjet që bëhet manipulimi, pastrimi i plagës së diabetit, po themi që është tipike që do një set veglash, bëhet dhe hidhet aty dhe realisht nuk e dija, pyes atë thotë, i them si bëhet kjo? Çfarë bëni me këto?
Thotë, i merr kompania, i sterilizon në autoklavë, i vë në celofanin dhe i shet 300 euro pastaj përsëri ne. Tha, punë tha infermieri që kishte 38 vjet punë në Qendrën e Traumës. Punë tha doktor që e kemi pas bërë pa shtesë page për vite me radhë.
Domethënë, gabim dhe ajo që qeveria nuk ka shtuar, po themi çdo qeveri e kohës, siç tha kolegu Shehu, sigurisht që duhej përmirësuar, sigurisht që duhej investuar, që duhej mbështetur me burime njerëzore dhe financiare, por nuk mund të harxhosh 100 milionë euro dhe për të dalë në një produkt fiktiv në fund të gjithë kësaj 10-vjeçari dhe merr 10 milionë euro dhe i kalon nga sektori publik dhe i kalon në xhepat e qeveritarëve dhe të keqbërësve.
Janë nga të gjitha, po themi investigimet mediatike e të gjitha, kaq mundësi kemi ne. Kaq mundësi, kaq zë kemi.
Kanë folur disa kolegë, zoti Shehu, Vasili, Dasho dhe kaq ka qenë numri i kufizuar. Pasi janë të arrestuar disa persona, ish-ministri, ish-zëvendësministri dhe të tjerë, kryeministri Rama del në spitalin Shefqet Ndroqi dhe bën një show duke nxitur që të paguhen fondet përsëri te ky koncesion korruptiv dhe reagimi i mjekëve ka qenë i dobët.
Nuk mund të rreshtohesh aty krah një hajduti kriminal që po të prish spitalin dhe të ardhmen, dhe për pasojë të këtij dëmi shëndetësor humbin jetën qytetarë të ndryshëm.
Tani marrim informacion nga mediat, sepse asnjë institucion sot nuk i jep asnjë lloj informacioni. As një mjeku, qytetari apo deputeti nuk i jepet informacion, qoftë te Agjencia e Barnave, QSUT-ja apo institucione të tjera përfaqësuese të qytetarëve. Djalli fshihet në detaje.
Mbyllja e koncesionit, merren në administrim nga spitalet përkatëse siç është bërë në histori, investohet në infrastrukturë dhe në burime njerëzore, dhe paratë janë shumë më të ulëta. Ndërtohet një kompani shtetërore.
Me mbarimin e kontratës, investimet e mbetura sipas kontratës duhej t’u kalonin spitalit përkatës. Qendrat që bënin vetë sterilizimin, si QSUT-ja dhe Spitali i Traumës, do të duhej të përballonin shërbimin. Domethënë, ishin qendrat që duhej të kryenin të gjithë sterilizimet vetë, sepse edhe krimi i kësaj kompanie shtetërore ka qenë i madh.”
© SYRI.net