Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Rrëzimi i padisë për Mziun, avokati Logu: Malaj e ka kuptuar gabimin

13:27, 15/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Posaçme ka vendosur pushimin e çështjes për padinë për shpifje të ngritur nga deputeti socialist Agron Malaj ndaj deputetit demokrat Xhelal Mziu. Shkak për këtë vendim u bë mungesa e vetë paditësit në seancën gjyqësore, një veprim që sipas palës mbrojtëse tregon tërheqje pas kuptimit të "gabimit" të bërë.

Avokati i Xhelal Mziut, Marash Logu, në një prononcim për mediat pas seancës, e cilësoi padinë e Malajt si një gabim, duke ironizuar se deputeti socialist mund të mos i ketë ndjekur rregullisht leksionet në shkollën politike të partisë së tij. Sipas avokatit Logu, Malaj e ka kuptuar gabimin pas një "tërheqje veshi" nga profesorët e Akademisë së Partisë Socialiste, duke përmendur profesor Pandin dhe profesor Braçen. "Besoj unë që profesorët e Akademisë së Partisë Socialiste i kanë tërhequr veshin deputetit Malaj dhe ai ka kuptuar që ka gabuar dhe ka vendosur të mos e trashë më shumë atë gabim që ka bërë," deklaroi Logu.

Në thelb të akuzës për shpifje ishin deklaratat e deputetit Mziu, të cilat, sipas mbrojtjes, nuk përbënin shpifje por një denoncim të krimeve zgjedhore. Avokati Logu theksoi se këto deklarata ishin të bazuara tërësisht në fakte dhe prova, të lidhura me një hetim që Prokuroria e Posaçme (SPAK) po kryen për ngjarjet e 9 majit 2025. Bëhet fjalë për procedimin penal numër 246, që heton krimet zgjedhore të ndodhura në Qarkun e Dibrës dhe zona të tjera. "Nuk ka pasur asnjë deklaratë as shpifje, as fyerje, por vetëm një denoncim të krimeve zgjedhore," tha avokati.

Vendimi i gjykatës për pushimin e çështjes ishte i pritshëm dhe bazohet në nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se mungesa e viktimës akuzuese ose avokatit të tij çon detyrimisht në pushimin e gjykimit. Sipas Logut, mungesa e palës paditëse dëshmon ose humbjen e interesit, ose kuptimin se kishin gabuar me ngritjen e padisë. Ai shprehu besimin se SPAK do të zbardhë plotësisht krimet zgjedhore të denoncuara.

Marash Logu: Si çdo njeri që është i ri në një punë, besoj unë që mund të bëjë gabime siç është të padisë padrejtësisht kolegët deputetë për shpifje. Siç duket, Agron Malaj nuk i ka frekuentuar rregullisht leksionet e shkollës politike të Partisë Socialiste dhe kjo ishte arsyeja mbase që gaboi sot, ose ka gabuar duke paraqitur një padi për shpifje kundër kolegut të tij deputet, zotit Xhelal Mziu. Kam besim që profesor Pandi dhe profesor Braçe i kanë tërhequr veshin dhe e ka kuptuar gabimin. Ndoshta është arsyeja pse nuk u paraqit sot dhe gjykata vendosi pushimin e gjykimit të kësaj çështjeje që në fillim të saj. Ne, po themi e kemi ditur që është një çështje tërësisht e stisur dhe pa asnjë shkak apo bazë ligjore. Çfarë qëndrimi kishte prokuroria? Në kushtet, ne kemi mbajtur qëndrime në vazhdimësi. Prokuroria e Posaçme ka informuar në fakt gjykatën që lidhur me ngjarjen e datës 9 Maj 2025, ka një hetim, ka një procedim penal, numër 246 i vitit 2025, që është duke u hetuar për krime zgjedhore dhe aktualisht Prokuroria e Posaçme është duke kryer hetime lidhur me atë ngjarje. Deklaratat që ka bërë zoti Mziu kanë qenë tërësisht të bazuara mbi fakte, mbi prova dhe nuk ka pasur asnjë deklaratë as shpifje, as fyerje, por vetëm një denoncim të krimeve zgjedhore që ka ndodhur në qarkun e Dibrës, ashtu siç ka ndodhur kudo, edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë, çka ne shpresojmë shumë që Prokuroria e Posaçme do arrijë nëpërmjet hetimeve të saj të zbardhë të plota krimet zgjedhore që janë kryer në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Pyetje: E prisnit ju këtë vendim nga gjyqtarja?

Marash Logu: Në kushtet kur palët mungojnë, dëshmon që palët kanë humbur interesin ose kanë kuptuar që kanë gabuar me padinë që kanë sjellë në Gjykatën e Posaçme. Kështu që vendimarrja ishte tërësisht e pritshme, nuk kishte si të merrte vendim tjetër në fakt, sepse ligji e thotë, neni 59 i Kodit të Procedurës Penale e thotë që kur mungon viktima akuzuese apo avokati i tij apo i saj, në ato raste do të duhet detyrimisht që gjykata të vendosë pushimin e gjykimit. E thashë edhe më përpara, besoj unë që profesorët e Akademisë së Partisë Socialiste i kanë tërhequr veshin deputetit Malaj dhe po themi, ai ka kuptuar që ka gabuar dhe ka vendosur të mos e trashë më shumë atë gabim që ka bërë. Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco