Një vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur debate të ashpra mbi integritetin dhe pavarësinë e saj, duke u cilësuar si një mekanizëm që legjitimon ndërprerjen e parakohshme të mandateve të anëtarëve dhe cenon themelet e shtetit të së drejtës.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’, ish anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi e konsideron të gjithën si një “lojë institucionale” të mirë-menduar, e cila nisi me një kërkesë në dukje të pafajshme për interpretim nga Presidenti i Republikës. Kjo kërkesë i hapi rrugën një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili, në mënyrë të cilësuar si “rastësore”, u dha fuqi organeve emëruese – Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë – që të kërkojnë konstatimin e mbarimit të mandatit për anëtarët e emëruar prej tyre.
Ky zhvillim, sipas Muçit, shihet si një lëvizje strategjike që vuri në shënjestër mandatin e disa anëtarëve të caktuar. Argumenti kryesor kundër këtij vendimi mbështetet në qartësinë e akteve ligjore. Dekretet e emërimit, siç theksohet nga një anëtar i Gjykatës, përcaktojnë qartë se mandati është 9-vjeçar dhe i plotë, pa asnjë lidhje me kohëzgjatjen e mbetur të mandatit të paraardhësit. Për shembull, një anëtar i emëruar në vitin 2019 e ka mandatin deri në vitin 2028, pavarësisht se kur i ka mbaruar mandati gjyqtarit që ai zëvendësoi.
Kjo kontradiktë mes akteve të qarta të emërimit dhe interpretimit të ri të Gjykatës ngre dyshime serioze për një ndërhyrje të qëllimshme, madje sipas Muçit, ky nuk është një rast i izoluar, por ndjek një praktikë negative të konsoliduar në Shqipëri, atë të ndërprerjes së mandateve kushtetuese. Procesi i vetingut përmendet si precedenti që “ndërpreu mandatet e përhershme” të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke krijuar një model ku mandatet e funksionarëve publikë mund të ndërpriten sa herë kjo i shërben një interesi të caktuar
Për më tepër, kritikat i drejtohen edhe argumentimit juridik të vendimit të shumicës në Gjykatën Kushtetuese, i cili cilësohet si “mediokër”. Vërehet me shqetësim se për të justifikuar vendimin, gjykata ka zgjedhur të mbështetet në praktikën ligjore të Bullgarisë, duke anashkaluar jurisprudencën e konsoliduar të vendeve perëndimore si Gjermania, Franca apo Italia, të cilat zakonisht shërbejnë si pikë referimi për drejtësinë shqiptare.
Në përfundim, ky vendim nuk konsiderohet thjesht si një çështje teknike mandatesh, por si një akt që cenon parimet bazë të funksionimit të shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese të ekspozuar ndaj presioneve politike dhe duke minuar besimin e publikut tek institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.
Këtu është ajo fabula e atij filmit të famshëm që "topin e kam unë, penalltinë do e gjuaj unë". Pra, ata që kontrollojnë të gjitha institucionet kushtetuese, ose ajo dorë që i kontrollon të gjitha institucionet kushtetuese, nuk i pëlqente mandati i një anëtari ose një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, në rastin konkret mandati i zonjës Zaçaj, por me sa duket dhe mandati i zonjës Toska ka hyrë në këtë lojë, e cila dha dorëheqjen vitin e kaluar. Para një viti e ca, se jemi në 2024 dha dorëheqjen. Pra, me sa duket, këto dy mandateve u ishte vënë syri, të cilat duhet të përfundonin, dhe duhet të gjente mekanizmi për t'i, për t'i ndërprerë këto mandate. Gjykata Kushtetuese, ndryshimet e kushtetutës së vitit 2016 janë shumë të qarta, lidhur me ripërtëritjen e Gjykatës Kushtetuese një herë në tre vjet dhe me mandate të cilat janë të përkohshme dhe mandate që janë të plota. Dhe nisi kjo lojë institucionale më duket mua. Pra nisi me kërkesën, në gjasme të pafajshme, të Presidentit të Republikës për një interpretim. Pastaj doli me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatonte mbarimin e mandatit të një anëtari të saj, duket zonjës Zaçaj, por në atë vendim, në mënyrë si rastësore, Gjykata Kushtetuese legjitimonte organet e emërtesës, që janë Presidenti, Kuvendi ose Gjykata e Lartë, që t'i kërkonin Gjykatës Kushtetuese konstatimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Pra, në mënyrë rastësore u thotë këtyre që, i legjitimon, pra u jep të drejtën që, nëse këto mendojnë që anëtarët e emëruar prej tyre, ose anëtarëve të emëruar prej tyre u ka mbaruar mandati, atëherë mund t'i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese, gjoja ka mbaruar mandati i filan anëtari. Pavarësisht se në aktet që ndodhen në këto institucione, del qartë që mandati përfundon në një periudhë të caktuar. Për shembull, Presidenti ka në arkivin e vet aktet e emërimit të emërimit tim në vitin 2019. Dhe në të gjitha aktet e emërimit, që nga shpallja e vakancës, vendimi i marrë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi lidhur me vakancën me vendimin për plotësimin e kushteve dhe listimin e anëtarëve, në të cilin unë jam listuar, dhe dekreti i Presidentit, thonë në mënyrë të qartë që mandati është nëntëvjeçar. Pra, fillon në tetor të 2019 dhe mbaron në tetor 2028. Pra, në këto kushte, pavarësisht se Kushtetuta ishte e qartë, aktet e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në këto raste, mandatet ishin totalisht të qarta në akte. Dhe e vetmja mënyrë për ta larguar këtë anëtar të Gjykatës Kushtetuese, e thënë me pak fjalë, është ndërprerja e mandatit të saj. Në fakt, shiko, teorinë e ndërprerjes së mandateve kushtetuese, ne na i ka mësuar shumë mirë vetingu, se procesi i vetingut këtë bëri. Ndërpreu mandatet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat ishin mandate të përhershme.
Se kjo është shumë e rëndësishme për të thënë. Pra ne kemi një praktikë këtu të konsoliduar në këtë aspekt, negative natyrisht që u ndërpresin mandatet kushtetuese, të patundshme, të përhershme, funksionarëve publikë sa herë i pëlqen institucioneve, nuk i pëlqen ose i pëlqen dikujt tjetër. Dhe kjo kaq e thjeshtë është kjo gjithë kjo situatë. Pastaj mënyra se si e ka argumentuar, unë e lexova në fakt dje me thënë të drejtën, nuk e kisha lexuar vendimin, është një, një vendim shumë mediokër nga pikëpamja e argumentit kushtetues, i shumicës. Pra, unë natyrisht kam respekt për Bullgarinë, për institucionet e Bullgarisë, por natyrisht nuk është shembulli më i mirë që duhet të marrë Gjykata Kushtetuese, nga shembujt, nga, nga praktika, nga jurisprudenca ose praktika ligjore e Bullgarisë. Ka praktika, ne natyrisht, ë, tentojmë dhe të shikojmë drejt praktikave të konsoliduara të jurisprudencës kushtetuese në vendet perëndimore, Francë, Gjermani, Italisë e të tjerë. Por pavarësisht, në këtë rast përdoret shembulli i Bullgarisë, për të justifikuar vendimin. Pavarësisht se është e qartë që Gjykata Kushtetuese me këtë vendim ka cenuar parimet bazë të funksionimit të shtetit ligjor, të ndërtimit gjyqësor të një shteti demokratik. Duke cenuar në këtë rast Gjykatën Kushtetuese.
© SYRI.net