Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Hoxha, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e vizave për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria, duke e cilësuar këtë situatë si pasojë direkte të korrupsionit dhe lidhjeve të shtetit me krimin dhe narkotrafikun.
Sipas Hoxhës, shqiptarët nuk po ndëshkohen sepse e meritojnë, por sepse keqqeverisja ka zhytur vendin në korrupsion të thellë, duke cenuar seriozisht imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë. Ai thekson kontrastin mes realitetit të sotëm dhe premtimeve të kryeministrit Edi Rama për pasaporta europiane dhe lëvizje të lirë në vitin 2026.
“Kjo është ‘s’keni parë gjë akoma’ që nga viti 2013 – diferenca e madhe mes propagandës dhe realitetit që po përjetojnë sot qytetarët”, shkruan ndër të tjera deputeti në rrjetin e tij social facebook, duke nënvizuar se shqiptarët po mbahen peng nga një qeverisje që ka dështuar.
Postimi në FB:
SHBA ka pezulluar vizat për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria jonë.
Jo sepse shqiptarët e meritojnë, por sepse shteti i tërë është zhytur në korrupsion dhe në lidhje me krimin e narkotrafikun.
Ndërkohë që Rama premton për 2026 pasaporta europiane dhe lëvizje të lirë, sot qytetarët penalizohen dhe mbahen peng nga keqqeverisja.
Kjo është: “S’keni parë gjë akoma” që prej 2013, diferenca mes propagandës së tij dhe realitetit tonë ndër vite.
© SYRI.net