Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

'Sterilizimi aferë klienteliste'/ Teliti: 100 milionë euro u zhdukën, ndërsa shëndetësia u la pa mjekë, shtretër dhe ilaçe

17:02, 14/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas një dekade debatesh të ashpra dhe akuzash për korrupsion, qeveria ka vendosur të tërheqë koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, duke ia rikthyer këtë shërbim menaxhimit publik. Ky vendim vjen pas një periudhe 10-vjeçare ku shërbimi operohej nga një kompani private, një kontratë që ka kushtuar rreth 100 milionë euro dhe ka çuar disa zyrtarë dhe biznesmenë para drejtësisë.

I ftuar në SYRI TV me Edvin Parrucën, eksperti i financave, Dorian Teliti shprehet se ky ndryshim kursi nga ana e qeverisë është një pranim i dështimit dhe vërteton akuzat e vazhdueshme të opozitës se kontrata ishte një “aferë pastër klienteliste dhe korruptive”.

Ai thekson se premtimi fillestar i mazhorancës për një shërbim më cilësor dhe me kosto më të ulët rezultoi një fabul, ndërkohë që realiteti ishte krejt tjetër.

“Pse nuk vazhdohet me të njëjtën praktikë nëse ky koncesion ishte kaq i suksesshëm?” pyet Teliti, duke shtuar se fituesit e koncesioneve ishin shpesh individë pa asnjë lidhje me fushën e mjekësisë, nga ndërtues deri te tregtarë të vegjël. Shqetësimi kryesor mbetet kostoja e lartë financiare e kësaj dekade. Sipas Telitit, rreth 100 milionë euro “janë zhdukur” përmes kësaj skeme, para të cilat mund të ishin investuar për të përmirësuar sistemin shëndetësor.

“Me aq para, nuk do të kishim sot problematika tek onkologjiku, nuk do të kishim mungesë mjekësh, infermierësh apo shtretërish në spitale”, argumenton ai.

Fondet mund të ishin përdorur për ilaçe të rimbursueshme ose për të mbështetur pensionistët. Ky rast nuk shihet si i izoluar, por si pjesë e një modeli më të gjerë qeverisës. Janë përmendur edhe raste të tjera, si ai i Portit të Durrësit dhe Teatrit Kombëtar, ku premtimet për investime private madhore më vonë janë anuluar, duke e lënë barrën financiare mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit.

Tërheqja e qeverisë nga koncesioni i sterilizimit ngre pyetje themelore për politikat e partneritetit publik-privat dhe përgjegjshmërinë për fondet publike. Ndërsa shërbimi kthehet në duart e shtetit, mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur me miliona eurot e shpenzuara gjatë dekadës së fundit dhe pse u desh kaq shumë kohë për t'i dhënë fund një praktike që, siç po provohet, ishte e dëmshme për financat publike dhe shëndetin e qytetarëve.

Teliti:

Kjo do të thotë vetëm një gjë, që diskursi i opozitës paska qenë i vërtetë dhe paska qenë i drejtë. Gjatë këtyre 10 viteve, ne shpesh jemi anatemuar edhe nga ata pseudoanalistët, nga gazetarët e blerë, mediat e blera e gjëra me radhë, që neve nuk donim që shqiptarët të shërbeheshin. Nuk donim që mjetet e tyre të ishin sterile. Madje mbaj mend edhe filmime kur shkonin nëpër spitale dhe gjenin disa teneqe atje dhe na i shisnin sikur ato ishin pajisje të vjetërsuara.

Dhe tashmë do të vijnë pajisjet e reja. Si u shit atëherë nga ana e mazhorancës kjo fabul e bukur, që ishte një fabul korruptive në fund të fundit, se është vërtetuar tashmë. Jo më kot ke tetë veta që janë para drejtësisë. Nuk ua kemi vënë ne, ua ka vënë vetë drejtësia. Si u shit kjo fabul atëherë nga ana e mazhorancës? U shit që tha, do japim shërbim shumë më të mirë, shumë më cilësor, me kosto më të ulët.

Tani në një treg ekonomik, në një treg të hapur, këto janë dy kriteret të cilat shikohen gjithmonë kur ti bën një zgjedhje. Të jetë cilësia sa më e lartë, me kosto sa më të ulët. Nëse ky koncesion i vërtetë i jepte këto dy parametra, i respektonte dhe i përmbushte këto dy aspekte, pse nuk vazhdon me të njëjtën praktikë? A u bë për faktin sepse kjo praktikë rezultoi kokë e këput, rezultoi një aferë pastër klienteliste dhe korruptive. Kur na vika muratori, që në vend të ndërtojë një tullë dhe të ndërtojë një mur, na ndërton koncesione sterilizimi. Kemi raste të tjera, ata që shesin patatina, kikirika, e mallra nga më të ndryshme, na marrin check-upin.

Pra njerëz që nuk kanë lidhje absolutisht me sektorin e shëndetësisë, i cili ka të bëjë me jetën e njerëzve, shëndetin e njerëzve, dhe kanë futur duart atje, janë zhdukur miliona eurove, 100 milionë euro tashmë kanë ikur, sikur të kenë qenë kikirika. Jemi në një situatë e cila tashmë vërteton, fatkeqësisht, diskursin e opozitës. Unë them gjithmonë, unë do të doja gjithmonë që opozita të ishte në gabim. Pse? Sepse do të thoshte që qeveria që është në fuqi po bënte punën siç duhet.

Do të thotë që po i shërbente dhe qytetarëve, po i shërbente dhe ekonomisë, po i shërbente dhe biznesit, po i shërbente dhe familjes. Fakti që dita-ditës vërtetohen akuzat e opozitës të ngritura gjatë këtyre 13 viteve, realisht për Shqipërinë është një fatkeqësi po ta marrësh. Sepse ne kemi ngritur gjithmonë shqetësime, kemi ngritur gjithmonë aspekte që kanë qenë shqetësuese dhe kokë e këput korruptive.

Na shitet një fabul e bukur, që në fund të fundit rezultoi një film horror, ku 100 milionë euro janë zhdukur. Dhe me aq para, të siguroj, s'do kishim sot problematika tek onkologjiku. S'do kishim sot problematika në spitalet e tjera, ku mungojnë shtretërit, ku na mungojnë mjekët, ku na mungojnë infermierët, se të siguroj që nuk bën mrekullira me 100 milionë euro, por të siguroj që një pamje ndryshe, një fytyrë ndryshe, diçka ndryshe do t'ia jepte sektorit të shëndetësisë. Po a është ky i vetmi?

Jo, nuk është i vetmi. Se do vijë dhe check-up-i pastaj. Po do vijnë dhe laboratorët. Të cilat të gjitha kanë qenë kontrata 10-vjeçare. Pyetja e madhe është, pse qeveria po ndryshon qëndrim? Nga menaxhim privat, në menaxhim publik. Nesër do të dalë me një çmim të ri qeveria, i cili do të jetë më i ulët sesa çmimi aktual. Absolutisht që po.

Atëherë pse kjo iniciativë nuk u ndërmor dhe në vitin 2015? Që të jepej i njëjti shërbim sipas këtyre prezantimeve të atyre teneqeve të vjetra, që ishin thjesht për show realisht. Dhe që të kishte kosto më të ulët për buxhetin, pra për taksat tona. E cila më pas do përkthehej më shumë para për aspekte të tjera, për shërbime të tjera, për shkolla, për rrugë, për ujësjellësa, që i mungojnë Shqipërisë. Për ilaçe të rimbursueshme që mungojnë, që mungojnë pensionistët e kështu me radhë.

Pra kjo është prova e radhës, që diskursi opozitar gjatë këtyre 10 viteve për këtë temë, e cila ka qenë një temë tejët e debatuar, kanë kërkuar dhe komisione hetimore, parlamentare, ka qenë temë debatesh në studio televizive e kështu me radhë, përsëri fatkeqësisht vërtetohet qëndrimi i opozitës, që ato ishin thjesht para të destinuara për t'u vjedhur, që disa kanë shkuar në xhepat e atyre që janë sot para drejtësisë, pjesa tjetër e madhe pastaj ka shkuar në xhepat e të tjerëve dhe për të blerë dhe zgjedhjet gjatë me radhë, se si financimi i zgjedhjeve, i fushatave elektorale dihet se si është bërë, te blerja e votës, se dihet që me këto para është bërë.

Ca nga koncesioni i sterilizimit, ca nga ai i check-upit, ca nga ai i rrugëve me tendera tre herë më tepër të larta se çmimet që ndërton Zvicra, Gjermania apo Holanda. Ca të tjera me mashtrime të tjera, tatime, dogana e kështu me radhë. Ja ku jemi në një situatë sot, prandaj Shqipëria është vendi më i pajetueshëm në Evropë, përsa i përket cilësisë së jetesës, prandaj është vendi i fundit në Evropë përsa i përket cilësisë së shërbimit shëndetësor.

Sepse një nga aspektet kryesore, siç është dhe kjo kontratë, ky lloj shërbimi, e përsëris dhe njëherë, gjatë këtyre 10 viteve është përkthyer jo në një shërbim me kosto efiçiente le të themi ndaj qytetarëve, ndaj atyre që kanë qenë nevojtarë, por me kosto marramendëse ndaj buxhetit të shtetit, i cili në fund të ditës mbushet po nga këta qytetarë, po nga ne mbushet. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco