Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

‘Miqtë e Ramës’, Balliu: Kontratat sekrete në industrinë e armatimit, kanë qëllim vjedhjen e fondeve publike

10:27, 14/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Akuza të rënda janë ngritur për një skemë korruptive në industrinë e armatimit, e cila jo vetëm dyshohet se vjedh qindra miliona euro nga paratë publike, por edhe cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe anëtarësimin e saj në NATO. Këto denoncime, të cilat morën forcë të re pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, vënë në qendër të aferës kompaninë “Kajo” dhe lidhjet e saj me individë të afërt me kryeministrin Edi Rama.

Sipas deputetit të PD Klevis Balliu i cili ishte i ftuar këtë mëngjes në emisionin Kafe Shqeto në Syri tv, kompania “Kajo”, e përfshirë në tenderë të Ministrisë së Mbrojtjes, është një entitet fiktiv pa buxhet real, e krijuar si një “ingranazh korrupsioni”. Në skemë përmenden emra si Arjeta Puca dhe Ron Jefet, i përshkruar si “miku dhe krahu i djathtë i Edi Ramës”. Një fakt tronditës i përmendur është shitja e 45% të aksioneve të kompanisë te Ron Jefet për një shumë simbolike prej vetëm 490 eurosh, ndërkohë që kompania supozohet të ketë një xhiro prej 10 milionë eurosh. Ky nivel fiktiviteti konsiderohet një kërcënim i hapur për sigurinë e një vendi anëtar të NATO-s.

Në bisedë me moderatorin Flavio Qarri, Balliu tha se përveç rastit “Kajo”, përmendi edhe një kompani izraelite, “Elbit”, e cila operon në fushën e sistemeve të armatimit. Ndërsa të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s i kanë pezulluar prokurimet me këtë kompani për shkak se ajo është nën hetim, në Shqipëri “Elbit” vazhdon të fitojë kontrata. Këto kontrata, të cilat arrijnë shifra deri në 650 milionë euro, mbahen sekrete, në kundërshtim me praktikën e transparencës të ndjekur nga aleatët e tjerë të aleancës.

Mungesa e transparencës dhe klasifikimi i kontratave si “sekrete” sipas Balliut, ngre dyshime të forta se qëllimi i vetëm është vjedhja e fondeve publike. Sipas denoncuesve, këto nuk janë thjesht aludime politike, por fakte të bazuara në dokumente zyrtare të vetë shtetit shqiptar. Në këtë situatë, kur institucionet shtetërore, përfshirë dhe ato të sigurisë, konsiderohen të degraduara dhe të kapura, bëhet thirrje për një ndërhyrje urgjente nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa shpresa e vetme për ndryshim shihet te reagimi i qytetarëve.

Flavio Qarri: Duket se kishit të drejtë, në fakt një çështje që ju e kishit ngritur, por për shkak edhe të zhvillimeve kaloi pak pa u vënë re. U desh ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj që të vërtetonte akuzat tuaja për qasjen që kishte Edi Rama, kryeministri dhe qeveria ndaj Kajos, industrisë sonë të armatimit. Ku dallonit në qëndrimet e zotit Ahmetaj me qëndrimet tuaja dhe gjithashtu cilat ishin informacionet shtesë që morët, nga dokumentat që përcolli Ahmetaj?

Klevis Balliu: Zoti Ahmetaj faktoi më së miri, patjetër ai dha dhe detaje shtesë të cilat janë tejet të rëndësishme për një sistem drejtësie që do të bëjë ndonjë punë në lidhje me mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sepse qartazi Kajo është një ë ingranazh i ri korrupsioni që jo vetëm vjedh paratë e shqiptarëve, por cenon dhe në mënyrë direket sigurinë kombëtare. Në Komisionin e Punëve të Brendshme, unë i ngrita pyetjen edhe ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, në lidhje me tenderët që ka marrë kompania Kajo në bashkëpunim me Arjeta Pucën dhe Ron Jefet që është miku dhe krahu i djathtë i Edi Ramës. Pasi vetë kompania qartazi është fiktive, pa ndonjë buxhet dhe është një kompani e cila 45% të aksioneve ja ka shitur Ron Jefet për 490 euro. Një kompani e cila supozohet ka 10 milionë euro xhiro, unë nuk mendoj që 50% e asaj kompanie kushton 490 euro. Qartazi ka një fiktivitet dhe qëllimi, kur kompanitë janë fiktive dhe individët janë të skeduar si të korruptuar, është e qartë që qëllimi është vjedhja dhe ajo çfarë është më e rëndë, vjedhja në siguri kombëtare për një vend anëtar i NATO-s, cenon edhe anëtarësimin tonë në NATO.

Së dyti që nuk duhet të shkojë pa u vënë re është një kompani tjetër izraelite, Elbit, e cila po ashtu merret me sisteme të armatimit, një kompani e cila në të gjithë vendet anëtare të NATO-s, të gjitha prokurimet e saj janë pezulluar sepse është një kompani që është aktualisht në hetim.

Flavio Qarri: Të gjitha kontratat e veta?

Klevis Balliu: Të gjitha kontratat, në të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përveç në Shqipëri që vazhdon të marri kontrata dhe duhet të kemi parasysh për qytetarët që na ndjekin që kontrata të tilla në lidhje me sigurinë, në të gjithë botën dhe nuk është vetëm çështje lekësh, është dhe çështje e sigurisë kombëtare, po këto çështje kushtojnë, këto kontrata janë të niveleve shumë të larta nga pikëpamja e shpenzimeve dhe ndaj dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të NATO-s i bëjnë këto kontrata publike për t'i treguar qytetarëve që, shikoni këto janë paratë dhe ku po shkojnë për sigurinë, për mbrojtjen tuaj, mbrojtjen e shtetit.

Në Shqipëri janë kontrata sekrete. Ndryshe nga çdo vend tjetër.

Flavio Qarri: E parashikon ligji këtë?

Klevis Balliu: E parashikon, s'e parashikon ligji, ka pak rëndësi. Fakti, fakti, fakti që e gjithë bota, të gjithë vendet anëtare të NATO-s nuk i kanë këto kontrata sekrete, ndërsa Edi Rama i bën sekrete. Fakti që të gjithë vendet anëtare të NATO-s ja kanë pezulluar kontratat sepse është në hetim pikërisht në këto vende, në të gjitha vendet, ndërkohë në Shqipëri ajo vazhdon të marri paratë. Është e qartë që edhe në këtë rast qëllimi një dhe i vetëm është vazhdimi i vjedhjes dhe siç thashë për qytetarët, duhet të kuptojnë që këto kontrata shkojnë deri në 650 milionë euro. Këto lloj kontratash shkojnë deri në këto shifra sepse kemi të bëjmë me sistemet e armatimeve. Janë shumë të kushtueshme. Pra në këtë aspekt, edhe ato që tha zoti Ahmetaj për lidhjen me Kajon, tregojnë në detaje që kemi një qeveri të tërë që ka ngritur një sistem dhe ka ingranazhe të ndryshme për vjedhjen e parave dhe nuk ka absolutisht asnjë limit edhe kur cënohet jeta e qytetarëve apo siguria kombëtare, për sa kohë paratë vidhen me sukses.

Flavio Qarri: A mund të ndërhyjë dikush në këto kontrata? Nga prokuroria jonë e posaçme deri te partnerët tanë, se ne kështu rrezikojmë edhe partnerët tanë.

Klevis Balliu: Patjetër që mund të ndërhyjnë dhe duhet të ndërhyjnë dhe është emergjente. Po flasim për diçka tejet serioze, jemi jashtë politikës tani. Bëhet fjalë për sigurinë kombëtare dhe këto nuk janë thjesht akuza politike, se unë thashë, u referohen disa fakteve konkrete të cilat janë të shkruajtura pikërisht në dokumentet e shtetit. Pra nuk janë dokumente të opozitës apo nuk është denoncimi i një mediaje, por është një, në bazë të letrave që kanë firmosur vetë pronarët, vetë biznesmenët edhe vetë shteti. Pra këto nuk janë, si të thuash, aludime politike apo tezë politike apo të vërteta politike. Këto janë fakte juridike, me dokumentet e qeverisë shqiptare. Në këtë aspekt patjetër që mund të ndërhyjnë dhe duhet të ndërhyjnë një orë e më parë. Frika ime është se shteti prej kohësh në Shqipëri ka rënë, ligji ka rënë, siguria ka rënë dhe në këtë aspekt, ë, mendoj që e vetmja shpresë për vendin tonë janë qytetarët. Nuk ka më absolutisht asnjë shpresë tjetër, pavarësisht me çfarë mund të mundohemi ne të kontribuojmë.

Flavio Qarri: S'ka më institucione në këtë vend? Sidomos ai deklarimi ishte shumë i frikshëm që është ndërruar dhe kreu i Forcave të Armatosura me vëllain e një shokut të Ramës.

Klevis Balliu: S'ka më vlerë asgjë. Ka rënë çdo gjë. Ju keni ministrin e Mbrojtjes dhe çunin e tezes keni zëvendësministër të Mbrojtjes. Pra këtu është bërë qesharake çdo gjë. Nuk ka më vlerë asnjë institucion.

Flavio Qarri: Pse i intereson Ramës ky degradim?

Klevis Balliu: Kriminelët shkëlqejnë në llum. Ndaj duhet që të jetë sa më shumë llum që të shkëlqejë më shumë Rama. Në qoftë se do të kishim një shtet ligjor, absolutisht ne s'do ishim duke diskutuar për këto çështje, por do diskutonim për alternativën që kemi ne si opozitë. Unë këtu do të kisha një koleg të Partisë Socialiste të parlamentit që të diskutohej, siç bën në të gjithë botën, dhe të bënim një debat qoftë ekonomik apo për sigurinë apo për çdo gjë tjetër, duke dhënë mendimet tona. Në Shqipëri, fatkeqësisht, dhe kjo është problemi mendoj unë më i madh, që çdo institucion shteti, ligji ka rënë dhe e vetmja shpresë e këtij vendi për të sjellë një ndryshim janë qytetarët...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco