Opozita shqiptare po artikulon një strategji të re veprimi, e cila synon të kombinojë presionin e brendshëm përmes protestave me një ofensivë diplomatike drejtuar qendrave kryesore ndërkombëtare. Gjatë një diskutimi mbi hapat e ardhshëm, u propozua një plan i detajuar që përfshin krijimin e një qeverie teknike, reformën zgjedhore dhe një peticion qytetar drejtuar Brukselit dhe Uashingtonit.
Sipas kreut Republikan Fatmir Mediu që mbajti një fjalë të shkurtër në takimin e organizuar nga PD me forcat politike dhe intelektualët, në themel të planit të veprimit qëndron protesta, e cila konsiderohet si mjeti kryesor për të ngritur shoqërinë shqiptare kundër qeverisë aktuale. Megjithatë, ky aksion duhet të shoqërohet me një kërkesë të qartë politike: ngritjen e një qeverie teknike. U theksua rëndësia për të përcaktuar qartë se çfarë synohet të arrihet me këtë qeveri, duke filluar me garantimin e “zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re përfshin aktivizimin më efektiv të faktorit ndërkombëtar. Duke pranuar mbështetjen ekzistuese, siç dëshmohet nga raportet e ODIHR-it dhe rezolutat ndërkombëtare, u propozua një mjet i ri: një “peticion qytetar”. Ky dokument nuk do të ishte një ankesë thjesht politike, por një thirrje qytetare drejtuar drejtpërdrejt institucioneve evropiane në Bruksel dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara në Uashington. Synimi është që situata në Shqipëri të mos paraqitet si një hall i opozitës, por si një krizë e shoqërisë që kërkon një përgjigje serioze ndërkombëtare.
Fatmir Mediu: Te ketë një koordinator për të krijuar një format të veprimit të përbashkët për planin, domethënë qytetar-opozitar. Kjo është e rëndësishme dhe ndoshta zoti Berisha mund ta përcaktojë më qartë se si duhet ndërtuar.
E dyta është padyshim protesta, sepse prandaj jemi mbledhur, që të ngremë veten tonë dhe shoqërinë shqiptare kundër kësaj qeverie. Por dhe protesta ka nevojë pastaj për elementë të cilët u hodhën këtu në ide, në mënyrë të veçantë, në qoftë se flasim për një qeverisje teknike, është e rëndësishme të përcaktojmë se çfarë kuptojmë me këtë qeveri teknike, çfarë kërkojmë të realizojmë me këtë qeveri teknike, duke filluar nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe për t'i dhënë besimin dhe mirëkuptimin partive politike, por edhe shoqërisë në kontributin që mund të japë, doktor mendoj që duhet ndërtuar një grup pune ekspertësh, domethënë, përsa i përket reformës zgjedhore, e cila i parashtron pastaj si grup ekspertësh partive politike, domethënë, propozimet për reformën zgjedhore.
Natyrisht që Edi Rama do bëjë atë që do. Por ne përballë kësaj duhet të ndërtojmë presionin maksimal qytetar-opozitar për të mundur që domethënë të jemi të unifikuar përsa i përket asaj që konceptojmë si reformë zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Tha me të drejtë zonja Grillo që nuk duhet harruar faktori ndërkombëtar. Nuk na ka mbështetur pak. Çështja është se s'e kemi treguar ne sa duhet për atë mbështetje që na ka dhënë. Vëmendja ka qenë e jashtëzakonshme. I përmendi zoti Berisha shtatë rezoluta. Nuk janë letra, janë proces, janë punë, janë marrëdhënie që janë krijuar, mbështetje, sidomos raporti i ODIHR-it përsa i përket zgjedhjeve. ‘Hearing’-u i fundit në Dhomën e Përfaqësuesve, në Komitetin për Europën e të tjerë. Pra të gjitha këto gjëra duhet të përpiqen të kapitalizohen. Por ka nevojë dhe për një element shtesë dhe besoj që do ishte shumë i dobishëm.
Një peticion qytetar, përsa i përket situatës në Shqipëri, që t'i adresohet që pjesës europiane të Brukselit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, më tepër sesa politike, qytetare si thirrje, edhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mënyrë që të mos duket si një opozitë e cila vjen dhe qahet për veten e vet, por një shoqëri e cila përcakton qartë se kush janë problemet dhe kush duhet të jenë zgjidhjet. Dhe besoj që këtu ka intelektualë të mençur dhe të mirë, të cilët mund të përcaktojnë një qëndrim qytetar që i kërkohet Brukselit dhe Ëashingtonit apo qendrave të vendimit në Bashkimin Europian se kush duhet të jetë zgjidhja e këtij vendi, qoftë për qeverisjen teknike, por qoftë edhe për probleme, të tjera. Prandaj unë dua ta mbyll me këtë dhe besoj që ky takim i parë ka një vlerë, ndoshta shprehëm atë që kishim brenda nesh, por në radhën tjetër le të jemi një çikë më racional. Të vijmë tek ideja se kush duhet të jenë hapat praktikë që ne duhet të ndjekim, domethënë, duke vendosur jo thjesht politikën në plan të parë. Unë mendoj që duhet të jetë shoqëria në plan të parë dhe politika të mbështesë, domethënë, çdo lëvizje të shoqërisë në një koordinim të përbashkët siç është ky sot.
© SYRI.net