Durrësi dhe zonat përreth vazhdojnë të përballen me një situatë të rëndë përmbytjesh, pavarësisht deklaratave për normalizim. Lagje të tëra mbeten nën ujë, duke krijuar një realitet të vështirë për mijëra banorë dhe biznese.
Sipas dëshmive nga terreni, disa lagje në Durrës kanë marrë formën e "vaskave" gjigante, ku niveli i ujit nuk ka pësuar asnjë ulje. Deputeti i PAA Artan Luku, i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, tha se në zona të caktuara, si ajo mes Urës së Dajlanit dhe rrethrrotullimit të Shkozetit, situata mbetet kritike. Banorët raportojnë se pallatet vazhdojnë të jenë të zhytura në ujë, duke lënë pa funksion sistemin e furnizimit me ujë dhe duke i detyruar ata të lëvizin me çizme për të kryer aktivitetet më elementare.
Në zonën e Katundit të Ri, ku u raportua dalja nga shtrati e lumit Erzen, dyshimet për shkakun e vërtetë të përmbytjes shtohen. Një banor i zonës, njohës i mirë i sjelljes së lumit, hedh hipotezën se një rritje e menjëhershme e nivelit të ujit mund të jetë shkaktuar nga hapja e portave të Bovillës, dhe jo thjesht nga reshjet.
Në mes të emergjencës, janë shënuar edhe skena ironike. Në vend që forcat e ushtrisë të ndihmonin banorët e bllokuar, ka ndodhur e kundërta. Në bisedë më moderatorin Flavio Qarri deputeti i PAA tha se, dëshmitarët dhe videot e qarkulluara tregojnë se ishin vetë banorët ata që ndihmonin kamionët e ushtrisë për të dalë nga balta ku kishin ngecur, një situatë që ngre pyetje mbi gatishmërinë dhe efikasitetin e operacioneve të shpëtimit.
Dëmet ekonomike janë të pallogaritshme dhe kapin shifra prej miliona eurosh, veçanërisht për bizneset e vogla. Për to, një ditë përmbytje përkthehet në një muaj punë të humbur dhe një vit vonesë në progres. Përgjegjësia për këtë situatë po kërkohet, dhe projektuesit e hidrovoreve të reja mund të përballen me nevojën për të mbrojtur projektin e tyre ose për të paguar koston e një gabimi teknik.
Ndërkohë që ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve, ekziston shqetësimi se vëmendja e autoriteteve është përqendruar kryesisht te familjarët, të cilët kanë një impakt më të madh mediatik. Bizneset e vogla, një sektor jetik i ekonomisë lokale, rrezikojnë të mbeten jashtë vlerësimit dhe mbështetjes, duke thelluar më tej krizën e shkaktuar nga përmbytjet.
Artan Luku: Në fakt vazhdon të jetë i njëjti, të jetë i njëjti problem nëpër lokacione të ndryshme. Ka lagje të tëra të Durrësit, të cilët kanë marrë formën e vaskës, duke mos pasur asnjë ulje të nivelit të ujit. Unë vetë jam banor i njërës prej këtyre zonave. Konkretisht, pallati në të cilin banoj unë, vazhdon të jetë i zhytur në ujë, vazhdon të mos ketë funksional sistemin e furnizimit me ujë të pallatit. Banorët lëvizin me çizme për të dalë dhe për të hyrë, në ambientet e banimit. Kemi një situatë jo të mirë fare, hiç të mirë në Shkozet. Në Shkozet që, domethënë, edhe për shkak të nivelit, por edhe si rrjedhojë e mosfunksionimit të kanaleve, është një zonë goxha e përmbytur, zona e cila është ndërmjet urës së Dajlanit dhe rotondës së madhe të Shkozetit.
Flavio Qarri: Po, ndërkohë cilat janë veprimet konkrete të emergjencave civile, bashkisë, qeverisë, se kemi parë nëpërmjet videove sigurisht eksponentët kryesorë. Madje doli vetë Belinda Balluku në terren.
Artan Luku: Atëherë, dje ishim së bashku me kolegë të tjerë, ishim në zonën e Katundit të Ri ku kishim daljen e lumit Erzen. Si rrjedhojë e një, domethënë, unë mendoj që nuk është se lumi Erzen ka sjellë aq shumë ujë, se duke qenë se jam lindur e rritur në qytetin e Shijakut, ne e dimë shumë mirë kur lumi Erzen sjell ujë, e njohim me sy situatën kritike të lumit. M'u duk sikur hapja e Bovillës ka qenë ajo që ka bërë një ardhje, një rritje të menjëhershme të niveleve dhe ka shkaktuar përmbytje në një zonë, në disa lagje të Katundit të Ri. Kishte nivel emergjence, kishte kamiona të ushtrisë, të cilët në fakt, në vend që kamionat e ushtrisë të ndihmonin banorët, ishin banorët që po ndihmonin, besoj i keni parë dhe videot qesharake, që po ndihmonin kamionët e ushtrisë për të dalë nga, sikleti në të cilin ishin zhytur. Por, në fakt, nëse më lejoni, do të doja që mos të ndaloj shumë te kjo pjesa teknike, te kjo pjesa ishte s'ishte niveli, hidrovor i tërë gjërat që me kalimin e ditëve besoj që do të marrin, qartësinë e duhur. Besoj që ata që janë fajtorë do të përballen me sistemin e drejtësisë tanimë. Projektuesit e hidrovorit të ri do të duhet ta mbrojnë fort idenë e hidrovorit, ose, përndryshe duhet të paguajnë kostot e atij gabimi teknik që po i kushton shumë banorëve, po i kushton miliona euro biznesit.
Mos harrojmë që një ditë, një përmbytje për biznesin e vogël do të thotë një muaj punë. Një muaj punë do të thotë një vit vonesë në progresin e një bizneseve të vogla të përmbytura. Unë do të doja të përqëndrohem...
Flavio Qarri: Si është situata e dëmeve financiare atëherë?
Artan Luku: Atëherë, dëmet financiare tanimë janë, po maten. Nuk di të them. Duket sikur biznesi i vogël nuk po vlerësohen dëmet e, nuk po vlerësohet ky sektor i ekonomisë, po janë fokusuar kryesisht te familjarët, duke qenë se ato kanë dhe impaktin më të madh përsa i përket procesit mediatik, që, qeveria aktuale e ka si armë...
© SYRI.net