I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, eksperti i ekonomisë Klodian Muço analizoi situatën aktuale të tregut imobiliar në Shqipëri, duke theksuar se blerësit kryesorë të apartamenteve janë qytetarë të thjeshtë që kërkojnë një shtëpi për të jetuar.
Sipas tij, praktika e shitjeve që në fazat e para të ndërtimit, mungesa e kapitalit dhe eksperiencës së ndërtuesve, si edhe financimi i projekteve me paratë e blerësve, kanë nxitur spekulimin dhe kanë hapur rrugë për depërtimin e ekonomisë kriminale në ekonominë reale. Muço theksoi nevojën për ndërhyrje të shtetit për të vendosur kritere më të forta, për të seleksionuar ndërtuesit seriozë dhe për të garantuar siguri për qytetarët.
Klodian Muço: Është fakti që shpeshherë blerësit e apartamenteve që në shumicat e rasteve janë qytetarë të thjeshtë, kërkojnë një shtëpi thjesht për të jetuar, është minimumi i garancisë. Ajo ëndrra amerikane që përmendi Trumpi në nismën e fundit, është në një farë mënyre dhe ëndrra e shqiptarëve që lidh pikërisht nga kultura e shqiptarit, duke pasur parasysh para viteve '90 se si jetonin shqiptarët në hapësira aq shumë të vogla dhe në familje shumë, shumë numeroze në numër.
Kështu që, ajo që ka ndodhur në Shqipëri në kohët e fundit është fakti që ndërtuesit vetëm duke zbardhur lejen, fillojnë që të shesin një pjesë të mirë të apartamenteve qoftë te qytetarët e thjeshtë, qoftë duke dhënë me klering punë të ndryshme dhe praktikisht ndërtuesi në vetvete kthehet në një, në thonjëza në një sekser ndërmjet qeverisë edhe nënkontraktorëve të tij dhe në vetvete, financimet i bëjnë vetë qytetarët. Kjo në një farë mënyre i jep mundësi që ata të nisin disa ndërtime njëherësh, u jep mundësi atyre që të, që të financojnë dhe të punojnë me paratë e të tjerëve. Dhe kjo në një farë mënyre ka rritur në mënyrë të ndjeshme spekulimin në sektorin imobiliar. Pra ideja është që unë blej në momentet e fillimit të punimeve me një çmim shumë të ulët sepse ndërtuesit i duhen paratë dhe vazhdoj pastaj ta rishes këtë hyrje një herë, dy herë apo e kështu me radhë. Domethënë në thelb ne sot që po flasim kemi ndërtues që kanë më tepër se sa një kullë në ndërtim e sipër, duke pasur parasysh që apo 300 apo 500.000 m² ndërtime kullash të larta që çmimet për metër katror, kostoja e ndërtimit të tyre shkon nga 1.000 deri në 1.500 euro për metër katror.
Flasim për koston e ndërtimit në këtyre ndërtesave kaq të larta. Ndërkohë, që janë, që janë kompani në shumë, në shumë raste pa eksperiencë apo pa një kapital. Që të kupton që ka diçka që nuk shkon. Domethënë nuk është forma, pra nuk janë ata që po investojnë, po janë të tjerët që po investojnë, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo qofshin thjesht një formë për të depërtuar paratë e gjeneruar nga ekonomia kriminale në ekonominë reale. Kështu që për të përmbledhur dhe për t'u kthyer pyetjes sate, nisur nga kjo situatë, çfarë mund të bënte shteti? Mund të bënte të mundur që mos të jepeshin më leje ndërtimi te persona që nuk kanë një background apo nuk kanë një historik në sektorin e ndërtimit apo nuk kanë një kapital financiar të mjaftueshëm për të financuar ndërtimin. Aspekti i dytë, të mos lejonte këto shitjet, thjesht në ajër, ku ti blen njëherë dhe pastaj duhet ndoshta pesë vjet apo shtatë vjet për të marrë apartamentin tënd mbrapsht. Të mos lejoheshin këto transaksionet në mënyrë të vazhdueshme me nënkontraktime që bëhet gjithmonë e më e komplikuar situata. Kjo në një farë mënyre çfarë do bënte? Do, do seleksiononte, do bënte një seleksionim të ndërtuesve, pra do ndërtonin vetëm ata që ishin seriozë, do bënte një, do bënte një frenim të ndjeshëm të depërtimit të ekonomisë kriminale në ekonomi reale, pra do ishte e vështirë që paratë e krimit të depërtonin në ndërtime.
© SYRI.net