Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Thellohet skandali me 'The Albanian Files'. Cilat janë provat që zbulojnë arkitektët

Shqipëria nën ujë, Rama Balluku mbi ujë dhe të thatë

Shqipëria nën ujë, Rama Balluku mbi ujë dhe të thatë

16:55, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Feliks Bilani

Që nga viti 2013, Shqipëria drejtohet nga i njëjti kryeministër, me të njëjtin model qeverisjeje dhe me të njëjtën filozofi, pushtet i centralizuar, vendimmarrje e mbyllur dhe prioritet absolut imazhi mbi funksionin. Përmbytjet e këtyre ditëve nuk janë fatkeqësi natyrore të rastësishme, ato janë pasojë direkte e këtij modeli.

Sot nuk është përmbytur vetëm Durrësi.

Janë përmbytur qytete, fshatra, toka bujqësore, rrugë, zona industriale dhe infrastrukturë kritike. Në Vlorë, përmbytjet kanë prekur edhe zonën e aeroportit, një investim strategjik që është promovuar si simbol i zhvillimit.

Kjo është prova më e qartë se problemi nuk është lokal, por kombëtar dhe sistematik.

Prej më shumë se një dekade, qeveria ka shpenzuar miliarda në projekte që duken bukur në ekran, sheshe, fasada, bulevarde, inaugurime të përhershme. Ndërkohë, infrastruktura bazë, kanalizimet e ujërave të bardha, kolektorët, hidrovoret, sistemet e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet janë lënë në harresë.

Kur bie shi, realiteti rrëzon propagandën.

Në krye të këtij sistemi qëndron Edi Rama, kryeministër që prej vitit 2013, i cili mban përgjegjësinë politike dhe institucionale për çdo sektor, nga infrastruktura, te energjia, te menaxhimi i emergjencave. Asgjë nga kjo nuk është deleguar pa kontroll. Gjithçka është centralizuar në Kryeministri.

Në këtë kontekst, është e pamundur të injorohet fakti se zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është sot objekt i një procesi të hapur institucional, ku SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj. Ky nuk është opinion politik, por fakt publik.

Përgjigjja e Kryeministrit ndaj kësaj situate nuk ka qenë transparencë apo distancim institucional, por mbrojtje politike. Një reagim që dërgon një mesazh të qartë, sistemi mbron veten, jo interesin publik.

Ky është thelbi i problemit.
Kur një qeveri,
dështon të mbrojë qytetet nga përmbytjet,
dështon të garantojë funksionimin e infrastrukturës bazë,
dhe njëkohësisht refuzon të lejojë hetim të qetë dhe të plotë ndaj zyrtarëve të saj më të lartë,
atëherë problemi nuk është shiu.....

Problemi është qeverisja.....

Shqipëria e vitit 2013–2025 është një vend ku qytetarët paguajnë taksa, por nuk marrin siguri. Ku investimet publike nuk i rezistojnë realitetit. Ku propaganda funksionon më mirë se kanalizimet. Dhe ku emigrimi masiv është bërë reagimi i vetëm racional i mijëra familjeve.

Përmbytjet nuk janë incident.
Janë simptomë.
Simptomë e një modeli që ka prodhuar varfëri, pasiguri dhe humbje besimi, ndërsa pushteti vazhdon të sillet sikur problemi është natyra dhe jo mënyra se si është drejtuar vendi për më shumë se një dekadë.

Në fund, përgjegjësia është e qartë dhe nuk mund të shpërndahet, ajo ka një emër dhe një zyrë......dhe ky emer eshte Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco