'Intimidon dëshmitarë dhe prish prova'/ Bardhi apel SPAK dhe ndërkombëtarëve: Këmbëngulni për arrestimin e Ballukut!

12:25, 06/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të depozitojë një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit së Kuvendit, nëse ai nuk thërret brenda ditës së enjte mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e ministres Belinda Balluku.

Gjatë një konference për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se mazhoranca nuk ka më asnjë alibi për të zvarritur procesin, duke theksuar se pushimet e fundvitit kanë kaluar. "E pandehura hëngri Vitin e Ri jashtë. Nuk ka asnjë alibi për të mos mbledhur këshillin," u shpreh ai.

Sipas tij, provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë aq të forta sa "nuk ka avokat që e merr përsipër" mbrojtjen e ish-zëvendëskryeministres. U theksua se vonesa tre-javore është e paprecedentë në historinë e kërkesave të tilla nga SPAK drejtuar Kuvendit.

Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të këmbëngulë në kërkesën e saj dhe të përdorë çdo mjet procedural për të mos lejuar dëmtimin e hetimeve. I pyetur mbi mundësinë e një arrestimi në flagrancë pa autorizimin e Kuvendit, ai shpjegoi se Kushtetuta e lejon një veprim të tillë, por shtoi se nuk ka informacion nëse SPAK ka prova të mjaftueshme për një hap të tillë, duke e lënë këtë në kompetencën e organit të akuzës.

SPAK ka argumentuar se një nga arsyet e kërkesës për arrest është rreziku i prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve nga ana e Ballukut. Bardhi i bëri gjithashtu një apel partnerëve ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformën në drejtësi, duke u kërkuar që të mos heshtin, por të ushtrojnë presion mbi Kuvendin për të vepruar pa vonesa. Ai e lidhi zvarritjen e procesit me një strategji të Kryeministrit Edi Rama.

"Kur Edi Rama flet për ligj, dijeni që është në hall të madh," tha Bardhi , duke iu referuar konferencës së fundvitit të kreut të qeverisë.

Sa i përket sesionit të ri parlamentar, u konfirmua se Partia Demokratike ka dërguar kërkesa zyrtare për mbledhjen e Këshillit, duke theksuar se detyra e Kryetares së Kuvendit është thjesht të njoftojë palët për datën, orën dhe rendin e ditës, pasi kërkesa e gjysmës së anëtarëve e bën mbledhjen automatike. Refuzimi për të kryer këtë veprim, sipas Bardhit, përbën shkelje ligjore që do të pasohet me kallëzim penal.

Bardhi:

Nuk ka më asnjë alibi për kryetarin e Kuvendit. E pandehura hëngri vitin e ri jashtë, që kështu nuk ka asnjë alibi për të mos mbledhur këshillin, për të mos ftuar prokurorinë e posaçme. Zonja po të dojë të vijë, do ketë gjithë mundësinë dhe të drejtën që i njeh ligji dhe kushtetuta për të mbrojtur veten, megjithëse me këto prova që ka sjellë prokuroria, s'ka avokat që e merr përsipër. Jo dy sa ç'ka caktuar, por 20 le të marrin, nuk ka avokat që e merr përsipër.

Që kështu, hapi jonë i radhës do të jetë thirrja e mbledhjes së këshillit të enjten dhe së dyti, nëse kjo nuk ndodh, do të depozitojmë kallëzim penal në prokurorinë e posaçme për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. E ka detyrim ta thërrasë mbledhjen e këshillit.

Absolutisht që kushtetuta lejon që në raste të flagrancës prokuroria të veprojë edhe pa autorizim të kuvendit dhe kuvendi do të duhet të shprehet brenda 24 orëve nga ky moment, nëse do të vijojë masa e arrestit apo jo. Të jem i vërtetë me ju, prokuroria po, ka thënë që në vijim të hetimeve dhe nga përdorimi i metodave speciale të hetimit ka konstatuar që zonja Balluku është duke intimiduar dëshmitarë dhe duke prishur prova, por nuk kam dijeni nëse, apo nuk kam nga ta di nëse këto prova janë të mjaftueshme për të urdhëruar arrestimin e saj në flagrancë.

Kjo është në kompetencë e prokurorisë dhe prokuroria do të duhet të shfrytëzojë çdo mjet procedural për të mos lejuar dëmtimin e hetimeve.

Dhe apeli im është edhe për prokurorinë e posaçme që do të duhet të këmbëngulë që kuvendi të shqyrtojë pa vonesa kërkesën e tyre për dhënien e autorizimit. Po ashtu, secili prej partnerëve tanë ndërkombëtarë që ka mbështetur reformën në drejtësi, që ka mbështetur punën e prokurorisë së posaçme, sot nuk është koha më të heshtë. Do të duhet të kërkojë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë që të shqyrtojë pa vonesa kërkesën e prokurorisë.

Është e paprecedent, nuk ka ndodhur kurrë. Ky është rasti i disatë që prokuroria e posaçme ka sjellë kërkesë për të kërkuar autorizim për arrestimin e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Në asnjë rast, veçanërisht për rastet e sjella nga, që nga momenti i krijimit të SPAK-ut, nuk ka ndodhur që Kuvendi të ketë vonuar tre javë shqyrtimin apo votimin për të dhënë apo mos dhënë autorizimin për arrestim. Me sa kuptuam, e gjithë kjo vonesë është një kohë që po merr kryeministri se ju e patë në tre orë konferencë fundviti, dy orë e 30 minuta i harxhoi duke thënë paraburgimi, paraburgimi, paraburgimi, paraburgimi. Dhe kur Edi Rama flet për ligj, dijeni që është në hall të madh.

Unë me zotin Peleshi komunikoj institucionalisht, bashkë me kolegët e mi. Kemi dërguar kërkesa zyrtare me të drejtën që na njeh rregullorja e Kuvendit, që ai të njoftojë mbledhjen e Këshillit. Sepse mbledhja e Këshillit është automatike kur kërkohet nga 1/2 e anëtarëve. E vetmja, e vetmja e drejtë që ka kryetari i Kuvendit është se ai është autoriteti që do të duhet t'i njoftojë palëve të treta rendin e ditës, datën edhe orën, sikundër edhe pjesës tjetër të anëtarëve të Këshillit. Dhe Niko Peleshi ka refuzuar në të gjitha këto raste që të bëjë atë detyrë që ja ngarkon rregullorja për të njoftuar rendin e ditës anëtarëve të tjerë të Këshillit dhe në rastin konkret të pandehurës Balluku dhe prokurorisë së posaçme. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco