Imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare po përballet me një sfidë të rëndë, teksa media prestigjioze amerikane si “Washington Times”, “Fox News” e deri te “New York Times” po i kushtojnë artikuj fenomenit të krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me politikën, duke e etiketuar vendin si një “narko-shtet”. Ky zhvillim vjen pas akuzave të vazhdueshme të opozitës, e cila prej kohësh ka denoncuar kapjen e shtetit dhe shndërrimin e tij në një platformë për shpërndarjen e drogës.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, diplomati Agim Nesho deklaroi se Shqipëria po përballet me një ekspozim të fortë negativ në mediat më të mëdha ndërkombëtare, të cilat po e portretizojnë vendin si një “narko-shtet”, për shkak të lidhjeve të politikës me krimin e organizuar.
Sipas Neshos, imazhi virtual i ndërtuar nga qeveria Rama për publikun perëndimor po shembet, ndërsa faktet dhe hetimet e bëra publike nga media amerikane si Washington Times, Fox News dhe New York Times po nxjerrin në pah realitetin e një shteti të kapur, pa funksionim të shtetit të së drejtës.
Ai theksoi se kjo situatë cenon rëndë interesat strategjike të SHBA-së dhe rrugën europiane të Shqipërisë, duke paralajmëruar se vendi po shihet gjithnjë e më shumë si një platformë e krimit ndërkombëtar dhe e trafikut të drogës.
Pjesë nga deklarata:
Ky realitet ka një kohë të gjatë në Shqipëri. Këtë dua të shpjegoj, por të huajt, nga dita në ditë, po e shohin të thyhet e gjithë ajo “karrocë” që kishte krijuar Rama në një botë virtuale, sidomos për Perëndimin, mbi atë se cili ishte realiteti në Shqipëri. Gjithnjë e më tepër, faktet po tregojnë realitetin shqiptar: një vend pa funksionim të shtetit të së drejtës, një vend i kapur, një bashkëpunim i politikës me krimin e organizuar dhe, ajo që është më e rëndësishme, sidomos për partnerët tanë strategjikë amerikanë, lidhja e politikës dhe shndërrimi i Shqipërisë në një platformë të shpërndarjes së drogës.
Prandaj, ajo që lideri i opozitës me të drejtë ka insistuar prej kohësh, se Shqipëria po kthehet në një narko-shtet dhe po i largohet orientimit të domosdoshëm perëndimor, ku përfshihet edhe integrimi në Bashkimin Europian, sot po evidentohet gjithnjë e më tepër. Kjo ka filluar në mënyrë masive, dua të them, nga mediat kryesore amerikane.
Artikulli i fundit i Washington Times e shprehte hapur konceptin e narko-shtetit shqiptar, me të gjitha specifikat që kanë ndodhur në Shqipëri, duke nisur edhe nga atentati mafioz në aeroportin e Rinasit dhe duke vazhduar me të gjithë elementët e tjerë që nuk kanë qenë të panjohur as për median europiane.
Duhet të themi që deri tani zoti Rama kishte mbrojtjen e administratës së zotit Biden, ku vetë sekretari Blinken ia kishte lënë në formë partneriteti privat grupeve të interesuara, si grupi i Soros, që të merreshin me Ballkanin. Për asnjë qytetar të Ballkanit Perëndimor nuk ishte dyshim kur shihte Alex Sorosin që merrte pjesë në të gjitha takimet e niveleve të larta qeveritare, duke dhënë zërin dhe përfaqësimin e interesave amerikane.
Dhe kur vinte puna për evidentimin e realiteteve që po ndodhnin në Ballkan, pavarësisht se kishte vërejtje nga institucione tepër serioze, duke përfshirë Departamentin e Shtetit, Amnesty International dhe institucione të tjera në mbarë botën, sërish kishte një mbrojtje për të ruajtur këtë regjim ose autokracitë në Ballkan, me të cilat kërkonin të realizonin projektet e tyre me interesa politike dhe financiare.
Në këtë kuptim, tani kemi një realitet tjetër. Kemi një realitet ku administrata e presidentit Trump i ka shpallur luftë pa kompromis shteteve që e kanë kthyer vendin e tyre në një platformë droge, duke i cilësuar si organizata terroriste. A është Shqipëria një rast i tillë? Dua të them se Shqipëria është një rast par excellence, ndoshta edhe më tepër se Venezuela, kur dihet dhe janë fakte konkrete që sot, jo vetëm në shtypin shqiptar, por edhe në media ndërkombëtare, përfaqësues të kartelit të Sinaloas kanë kryer pastrim parash në Shqipëri, gjë që prek drejtpërdrejt edhe interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, nuk është vetëm Washington Post, por edhe gjigandi Fox News ka një sërë artikujsh që kritikojnë ekzistencën e një shteti të korruptuar nën drejtimin e zotit Rama. Madje edhe media të majta, si New York Times, kanë nisur të flasin për aferat dhe blerjen e influencës nga zoti Rama, siç ishte rasti i vizitës së ish-kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut.
Pra, në shtypin ndërkombëtar, për ta përmbyllur, dua të them se kryeministri shqiptar nuk përfaqëson gjë tjetër veçse një narko-shtet, një regjim të korruptuar që vazhdon të blejë influencë politike për të mbajtur karrigen e pushtetit.
Pyetja juaj është shumë e drejtë. Në radhë të parë, sensibilizimi ka ndodhur plotësisht. A ka nevojë për një aksion të vendeve demokratike, partnerëve tanë, ndaj Shqipërisë? Kjo duket se po vjen nga dita në ditë dhe po bëhet një domosdoshmëri. Pse? Sepse Bashkimi Europian nuk mund të pranojë një vatër të tillë problematike, e cila do të krijonte pasoja të pashmangshme edhe për funksionimin e vetë BE-së, duke pasur përballë një narko-shtet që tenton të futet në familjen europiane, në një kohë kur rreziku nga vende si Rusia për rritjen e dominimit në Europë është i qartë.
Por a do të veprojnë demokracitë perëndimore ndaj regjimit të Tiranës? Duket se sensibilizimi ka ndodhur në të gjitha nivelet: në administratën amerikane, në nivelet e paprekura nga blerja e influencës së zotit Rama në Europë, si edhe në burokracinë e Brukselit.
Këtu dua të hap një parantezë: zoti Rama, për të fshehur realitetin e narko-shtetit dhe funksionimin e një shteti të korruptuar, ka blerë vazhdimisht influencë ose ka vepruar si klientelist par excellence, duke u ofruar vendeve europiane zgjidhje të rreme për krizat e tyre. Shembull është marrëdhënia me Italinë, ku për arsye politike dhe elektorale i është ofruar qeverisë Meloni një projekt që ishte nonsens dhe shkelte Kushtetutën shqiptare. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me Francën dhe vende të tjera, sipas interesave të momentit për të kapërcyer krizat e brendshme.
Megjithatë, duhet të jemi realistë: vëmendja e Shteteve të Bashkuara, ndonëse kjo administratë po e vendos gjithnjë e më shumë regjimin e Ramës nën vëzhgim kritik, ka edhe kufizime. Prioritetet kryesore globale, sidomos projekti i presidentit Trump për paqe dhe konfliktet ekzistuese, kanë përparësi absolute. Vëmendja kryesore e administratës është arritja e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, e cila prek drejtpërdrejt interesat e Bashkimit Europian dhe raportet gjeopolitike të fuqive të mëdha në shekullin XXI.
© SYRI.net