Interesi i publikut për protestën e paralajmëruar të opozitës është rritur ndjeshëm, i nxitur nga vërtetimi i denoncimeve të bëra publike, lidhur me menaxhimin e buxhetit të shtetit.
I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, ligjvënësi demokrat, Gjin Gjoni u shpreh se zbardhja e dosjeve që ekspozojnë keqpërdorimin e fondeve publike ka shkaktuar një reagim të fortë qytetar, i cili tashmë i tejkalon kufijtë e mbështetjes partiake.
Reagimi qytetar përshkruhet si më i gjerë se Partia Demokratike, duke treguar se pakënaqësia është e përhapur. Kërkesa e protestuesve është e qartë dhe e prerë theksoi deputeti Gjoni: largimi përfundimtar i qeverisë aktuale. “Ata na thonë të vijmë dhe mos të kthehemi derisa të mbyllet përfundimisht rrëzimi i kësaj qeverie”, theksohet gjatë diskutimit, duke sinjalizuar një qëndresë të paepur.
Qeverisja aktuale për PD, cilësohet si një “gangrenë e madhe”, e lidhur me korrupsionin, krimin e organizuar dhe një sërë problemesh sociale e ekonomike, duke përfshirë çështjen e pensioneve, vështirësitë e familjeve të reja, mangësitë në infrastrukturë, krizën e energjisë elektrike dhe barrën e taksave mbi pensionistët.
Zemërimi popullor përshkruhet me shprehjen “gota është mbushur plot”, duke nënkuptuar se durimi i qytetarëve ka arritur në limit. Ligjvënësi demokrat sqaron se, ndonëse Partia Demokratike synon të vijë në pushtet përmes votës së lirë, qëllimi i kësaj proteste nuk është marrja e pushtetit. Objektivi kryesor, sipas Gjonit, është largimi i menjëhershëm i atij që e quan “një klikë, e cila sot ka uzurpuar çdo qelizë” të shtetit.
Pjesëmarrja në protestë, sipas deputetit të PD, paraqitet si një akt dinjiteti për çdo shqiptar, një mundësi për të kundërshtuar atë që përkufizohet si një “klikë pushtuesish”.
Padyshim që ka një interes të shtuar në lidhje me protestën, edhe për shkak të faktit që të gjithë denoncimet e realizuara nga ana e Partisë Demokratike kanë, janë vërtetuar që janë të vërteta dhe sot shfaqja e tyre në publik nëpërmjet dosjeve dhe mënyra se si është trajtuar buxheti i shtetit dhe si janë futur duart në buxhetin e shtetit, ka një reagim të shtuar dhe padyshim, të them të drejtën, do jetë në, Partia Demokratike që duhet t'i mbajë këta njerëz, sepse reagimi është përtej Partisë Demokratike, të themi realitetin.
Ata na thonë të vijmë dhe mos të kthehemi derisa të mbyllet përfundimisht rrëzimi i kësaj qeverie, sepse ka qenë një gangrenë e madhe në lidhje me korrupsionin, në lidhje me krimin e organizuar, në lidhje me pensionet, në lidhje me familjet e reja, siç e përmendi, në lidhje me infrastrukturën, me energjinë elektrike, me taksat, me pensionistët, me gjithçka tjetër. Dhe padyshim, është, gota është mbushur plot dhe duhet patjetër dhe shpeshherë na kritikojnë se jemi të vonuar në lidhje me organizimin e këtyre protestave.
Dhe unë them që ne duhet të bëjmë kujdes, sepse padyshim Partia Demokratike, ashtu siç e ka shprehur dhe kryetari i Partisë Demokratike, ne kërkojmë që të vijmë në pushtet nëpërmjet votës. Por kjo nuk është protestë për pushtetin. Kjo është protestë për të larguar njëherë e përfundimisht këtë klikë, e cila sot ka uzurpuar çdo qelizë. Dhe është në dinjitetin e çdo shqiptari që sot të dalë dhe të protestojë kundër kësaj klike pushtuesish, të them të drejtën.
© SYRI.net