Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

VIDEO/ ‘Air Albania’ në kaos total, lë në mes të rrugës pasagjerët dhe punonjësit

20:51, 19/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në mars të këtij viti, “Piranjat” dëshmuan me fakte se si kompania ajrore Air Albania, që u shit si krenaria shqiptare e qiejve, po shkonte drejt dështimit total. Dhe fatkeqësisht pasojat e kësaj po i vuajnë sot klientët e kompanisë, të cilët kanë mbetur në mes të rrugës. Disa pasagjerë kanë rrëfyer për “Piranjat”, se si u janë anuluar fluturimet në moment të fundit pa asnjë arsye.

“Kam prerë një biletë për prindërit nga Tirana drejt Malpensës, për në datën 30 nëntor. Në datën 30 nëntor më dërgojnë një email që fluturimi ishte anuluar, më japin një mundësi për një biletë të dytë për në datën 3 dhjetor. Në datën 3 dhjetor nisen prindërit drejt Tiranës, diku dy orë para më dërgojnë një email që fluturimi juaj është anuluar. Pastaj u detyruam të prisnim një biletë tjetër, në një kompani tjetër, që të vinin të nesërmen”, rrëfen Ermir Kastrati.

“Ne kishim domethënë një përkujtimore dhe vendosëm që ta prisnim biletën katër-pesë muaj përpara, se normalisht kur është muaji qershor, nuk është se gjenden edhe shumë vende dhe pastaj këtu në Malpensa është pak më e vështirë. Premë biletën familjarisht dhe krejt papritur gjendemi në Malpensa pa asnjë informacion fare, domethënë një komunikim që s’është fluturimi, ose është anuluar për këtë motiv, ose diçka tjetër, zero. Dhe përgjigjja e tyre ishte: po deshe të udhëtoni ditën e diel, dhe ishte kthimi mbas dy-tre ditësh. Dhe vajza ime i thotë: më fal, ne e kemi prerë biletën për një motiv, na duhet se s’bën që të jemi këto dy-tre ditë. Okej, atëherë, thotë, do t’ju bëjmë bonifikon, domethënë t’ju kthejmë lekët mbrapsht. Kemi marrë dy-tre herë, kemi çuar email-e tre-katër herë dhe përgjigjja është: do t’ju rimbursojmë”, tregon një tjetër zonjë, e cila jeton në Itali.

Ndërkohë që pasagjerët prej muajsh po presin për rimbursim, sipas rregullave ata duhet të kishin marrë një përgjigje nga kompania brenda tre javësh dhe më pas duhej t’i drejtoheshin për ndërmjetësim Autoritetit të Aviacionit Civil. Ky i fundit, prej datës 3 dhjetor 2025, ka vendosur të pezullojë licencën e operimit të shoqërisë ajrore Air Albania, si pasojë e pezullimit të certifikatës së operatorit ajror. Kjo do të thotë se Air Albania-s i ndalohet kryerja e fluturimeve, pezullohet shitja e biletave dhe kompania duhet të plotësojë kushtet e vendosura nga autoriteti për heqjen e pezullimit të licencës. Por, teksa Air Albania nuk duhet të shesë bileta, derisa të vendoset për heqjen e pezullimit, kjo shoqëri vazhdon ta bëjë këtë gjë pa problemin më të vogël. Këtë e konfirmoi në një bisedë telefonike edhe një operatore e shërbimit të klientit të kësaj kompanie.

Kriza financiare dhe falimentimi i Air Albania-s nuk ka prekur vetëm udhëtarët, por edhe punonjësit. Një punonjëse e kësaj shoqërie tregon për “Piranjat” gjendjen e vështirë financiare, në të cilën ndodhet Air Albania.

“Të gjithë janë në atë situatë ku kanë tre muaj pagën të pa marrë, plus edhe sigurimet që janë që në korrik të 2024 të papaguara, punë me orë shtesë, që nuk llogariten askund, pavarësisht se janë me firmën e shefave të departamenteve. Është e gjitha çështje e menaxhimit dhe atyre që u është besuar ajo kompani, për sa kohë nuk ka pasur asnjë fokus të qartë, për sa kohë ti merr përsipër të bësh udhëtime pa pasur një analizë të kostove, të fitimeve, kjo është gjëja më minimaliste”, shprehet punonjësja.

Sakaq, më 9 dhjetor 2025, përmbaruesi gjyqësor Dionis Mekshaj ka vendosur sekuestro të aktiveve të Air Albania-s, për shkak se kompania ka humbur një gjyq me ish-drejtorin e operacioneve tokësore, Engjeljan Radovani. Kjo do të thotë se tashmë të gjitha pasuritë dhe mjetet ekonomike të Air Albania janë të bllokuara. Ndërkohë, ne u paraqitëm edhe në zyrat e Air Albania për të kërkuar informacion, por ato ishin të mbyllura. Ndërsa Sinan Idrizi, njëri nga aksionerët kryesorë të kompanisë, nuk dha asnjë përgjigje konkrete për shitjen e biletave dhe për moskryerjen e rimbursimeve të pasagjerëve.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco