Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Nga dhuna e Gardës te ndëshkimi masiv/ Vokshi: Përjashtimi i opozitës, urdhër i Ramës për të mbrojtur Ballukun

15:31, 18/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas dhunës së ushtruar nga Garda ndaj deputetëve të opozitës dhe bllokimit me forcë të protestës parlamentare, mazhoranca ka kaluar në fazën e dytë të represionit politik: ndëshkimin disiplinor masiv të deputetëve të Partisë Demokratike.

Deputetja e PD, Albana Vokshi, anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, e ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, u shpreh se përjashtimi i 27 deputetëve të opozitës nga Kuvendi nuk është një vendim disiplinor, por një akt politik i urdhëruar drejtpërdrejt nga Edi Rama për të mbyllur hetimin parlamentar dhe për të mbrojtur aferat korruptive të qeverisë. Ajo deklaroi se mazhoranca ka përdorur Këshillin e Etikës dhe Mandateve si një instrument politik për të pezulluar me dhunë mandatin e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët dhe për të paralizuar funksionimin normal të Kuvendit.

Vokshi theksoi se qëllimi i këtij përjashtimi masiv është fshehja e dosjes së Belinda Ballukut, bllokimi i çdo diskutimi për heqjen e imunitetit, arrestimin e saj dhe përgjegjësinë penale për aferat e mëdha financiare që rëndojnë mbi qeverinë. Sipas saj, përjashtimi i opozitës synon t’u mohojë qytetarëve transparencën, të eliminojë kontrollin parlamentar dhe ta shndërrojë Kuvendin në një instrument të verbër në shërbim të kryeministrit.

Deputetja paralajmëroi se përballë këtij akti të paprecedentë, opozita nuk do të tërhiqet dhe do të vijojë betejën politike dhe institucionale për të mbrojtur pluralizmin, demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të pasur një parlament që i shërben interesit publik, jo korrupsionit dhe pushtetit personal të Edi Ramës.

Pjesë nga deklarata:

Nuk bëhet fjalë për seancën e ardhshme, por për faktin që ata kanë përjashtuar të gjithë anëtarët e opozitës dhe anëtarët zëvendësues të opozitës nga Këshilli i Mandateve. Pra, të gjithë emrat që janë përzgjedhur në atë listë, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë thjesht prezentë në seancë, kanë qenë në këmbë ose të ulur dhe nuk kanë bërë asgjë, por qëllimisht i ka futur partia, deputetët e Partisë Socialiste, për të marrë vendimin që ata duan për Belinda Ballukun dhe, sigurisht, për t’ua mohuar qytetarëve shqiptarë, opozitës dhe publikut transparencën, në kushtet kur Niko Peleshi, me urdhër të Edi Ramës, ka vendosur ta kyçë me dry edhe dosjen e Belinda Ballukut.

Pra, në vend që aty të diskutohej heqja e imunitetit të Belinda Ballukut, arrestimi i saj, largimi me mbështetje qeveritare i koordinatorit të krimit, Ergys Agasi, dhe pengmarrja së bashku me krimin e të paktën dy biznesmenëve; në vend që të flitej për aksin, për milionat, qindra milionat dhe miliardat e vjedhura nga kjo qeveri dhe ky kryeministër hajdut, ata përjashtojnë gjithë opozitën. 27 deputetë, duke nisur nga kreu i grupit parlamentar, kryesia, e tërë kryesia e grupit parlamentar dhe dhjetëra e dhjetëra deputetë.

Po, sigurisht. Është edhe emri im, edhe emri i disa kolegëve të mi. Dëgjo, kjo është e paprecedentë. Domethënë, të përjashtosh për 60 ditë, që i bie praktikisht dy muaj, një deputet, do të thotë pezullimi apo heqja për dy muaj e mandatit të një deputeti, i cili është aty me votat e qytetarëve. Dhe çfarë bëjnë këta? Mbledhin Këshillin e Etikës dhe të Mandateve dhe, me një të rënë të lapsit, dikur Klotilda Bushka, tani Ulsi Manja, praktikisht i heqin, pra pezullojnë për dy muaj mandatin që ta ka dhënë populli, jo ata.

Është e paprecedentë të përjashtosh 27 deputetë, pra gjysmën apo treçerekun e grupit parlamentar, edhe pse një pjesë e tyre nuk ka bërë absolutisht asgjë. Një pjesë po pengohen, por nuk do të ketë parlament normal. E kemi vonuar edhe këtë reagim, me thënë të drejtën. Pse? Sepse jemi treguar tolerantë, duke bërë kërkesa në mënyrë institucionale. Por kush pyet për institucione? Edi Rama nuk pyet për institucione.

Edi Rama, deri tani, deri sot apo edhe deri nesër, do të mundohet të mbrojë Belinda Ballukun. Do të mundohet të mbrojë Linda Ramën, e cila ka dalë në përgjimet e aksit. Pra, tani i gjithë shteti dhe parlamenti janë në funksion të Edi Ramës për mbrojtjen e korrupsionit dhe për mbrojtjen e lidhjes së qeverisjes së tij me bandat kriminale dhe krimin.

A mund të ketë parlament normal në një narkoparlament apo narko-qeveri? Jo, nuk mund të ketë. A e dini ju që pjesa më e madhe e deputetëve që kanë firmosur për të na përjashtuar neve, kanë ardhur pikërisht prej grupeve kriminale që i kanë mbështetur dhe nuk janë në këtë parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve, siç jemi ne? Opozita është aty për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe ky është objektivi ynë primar, dhe do ta bëjmë me çdo kusht e me çdo kosto.

Por pjesa më e madhe, lexoni emrat se kush ka firmosur: ata që kanë ardhur nga bandat. Një pjesë e mirë e tyre, nuk po them të gjithë, por një pjesë e mirë, kanë ardhur me mbështetjen e bandave dhe përjashtojnë opozitën. Pra, e duan edhe parlamentin, e duan monopartiak. Nuk duan pluralizëm. Lexoji emrat, se janë një pjesë e mirë e tyre ata që kanë ardhur nga mbështetja e bandave kriminale. Në të gjitha qarqet ku ka pasur banda kriminale, do të shohësh listën e deputetëve që kanë firmosur. Një pjesë e tyre kanë firmosur.

Pra, çfarë pret nga ky parlament? Çfarë pret nga Taulant Balla, kur ne e dimë shumë mirë përfaqësues i kujt është, siç e dinë edhe mediat e huaja, jo vetëm ato shqiptare, por edhe nga informacionet që kanë ardhur? Taulanti nuk është vetëm i lidhur, por ka edhe përgjime në Sky ECC. Pra, çfarë mund të presësh nga ky grup parlamentar?

Çfarë, më thoni ju mua, është dënuar zoti Sali Berisha? Kreu i Partisë Demokratike dhe i opozitës propozohet për t’u përjashtuar. Për çfarë përjashtohet zoti Berisha?

Nuk ishte vetëm një prej gardistëve. Ishte shefi i gardës, i cili dha urdhër para se të niste seanca, që ishte provokim. Para se të niste seanca, u fut garda në sallën e parlamentit, gjë që është në kundërshtim me rregulloren e parlamentit. Garda nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në ambientet e seancave plenare. Garda hyn vetëm kur ka konflikt dhe vetëm me urdhër të kryetarit të parlamentit.

Para se të niste situata, kishte gardistë brenda në sallën e seancave plenare, në shkelje të rregullores. Pra, a mund të ketë parlament ku garda është brenda? Ku garda guxon të prekë, të shtyjë dhe të godasë deputetët?

Në vend që garda të jetë në krah me ne, ashtu siç ndodh në shumë vende me demokraci funksionale, ku kemi parë gardën dhe policinë që janë bërë me protestuesit sepse është e drejtë, këtu ndodh e kundërta. Qëllimi ynë, objektivi ynë, është një parlament funksional, një parlament që t’u shërbejë qytetarëve. Parlamenti duhet të jetë i qytetarëve, duhet të jetë i popullit dhe duhet të mbrojë vetëm interesat e tyre, jo interesat e krimit dhe jo interesat e Belinda Ballukut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco