Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një 15-vjeçar është plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar i tij brenda ambienteve të shkollës 9-vjeçare private “Dea 2001”. I mituri është plagosur në qafë dhe është dërguar në spital dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori i dyshuar, 13-vjeçar, nxënës i kësaj shkolle, është në kërkim nga policia.
Nga Syri TV
Konflikti mes të miturve u regjistrua mesditën e së mërkurës në oborrin e shkollës.
Sipas burimeve, fillimisht 13-vjeçari është konfliktuar verbalisht me 15-vjeçarin, me pretendimin se kush i kishte zënë rrugën njëri-tjetrit. Por sherri mes tyre agravoi dhe 13-vjeçari nxori thikën që e mbante me vete, duke e goditur në qafë 15-vjeçarin. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Ky është konflikti i tretë mes adoleshentëve i regjistruar në pak javë. Më 25 nëntor, në Durrës, pas një sherri të nisur në rrjetin social TikTok, humbi jetën 15-vjeçari Erion Boba. Ndërsa më 12 dhjetor, në Shkodër, dy grupe nxënësish u përfshinë në një përplasje të dhunshme, fatmirësisht pa pasoja fatale.
© SYRI.net