Këshilli Bashkiak i Tiranës iu drejtua zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Burgjeve për t’i dhënë leje kryebashkiakut Erion Veliaj që të merrte pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit të vitit 2026. Sipas kërkesës, e cila u firmos nga 30 këshilltarë të Partisë Socialiste, pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.
“Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, referuar ligjit nr. 68/2017 ‘Për Financat e Qeverisjes Vendore’, ku neni 41 parashikon se ‘Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore’, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri më 18 dhjetor 2025.”
Por ka qenë e shpejtë përgjigjja e SPAK, e shoqëruar me arsyetimin përkatës, që refuzon kërkesën e këshilltarëve të majtë, teksa ata të opozitës nuk kishin firmosur një kërkesë të tillë.
“Në lidhje me këtë kërkesë, duhet mbajtur në konsideratë fakti se ligjvënësi ka përcaktuar se ‘i burgosuri ka të drejtën të përfitojë leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit’. Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë, e trajtuar si kërkesë për leje të veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës. Për këto arsye, vendosëm mosdhënien e miratimit paraprak.”
Erion Veliaj ndodhet prapa hekurave prej 10 shkurtit të këtij viti, për korrupsion në 9 episode, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në paraburgim, ndërsa dosja e tij ende nuk ka kaluar për gjykim.
© SYRI.net