Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Takimi kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Në samit marrin pjesë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Sipas njoftimit zyrtar të BE-së, samiti do të fokusohet në marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në kontekstin aktual gjeopolitik.
Në përfundim të takimit pritet të miratohet Deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor, me të cilën vendet e rajonit do të ftohen të harmonizohen më tej me politikat dhe qëndrimet e BE-së.
Në agjendë janë edhe çështjet që lidhen me procesin e zgjerimit, përfshirë reformat, përafrimin me legjislacionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Gjithashtu, do të diskutohen hapat për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, përmes instrumenteve si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti i radhës BE–Ballkani Perëndimor është planifikuar të mbahet në qershor të vitit 2026 në Mal të Zi.
© SYRI.net