Ndërsa u shfaq duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të lirojë nga qelia Erion Veliajn, kryeministri Edi Rama i ka dhënë një tjetër goditje kryebashkiakut, duke e zëvendësuar me Ogerta Manastirliun në diskutimet për projektbuxhetin 2026. E ngarkuara e Ramës, me sjellje si kryebashkiake, ka thirrur këshilltarët bashkiakë në një mbledhje në selinë rozë, për të diskutuar detajet e buxhetit. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj është kundërpërgjigjur nga qelia, me anë të një letre dërguar këshilltarëve. Sipas Veliajt, miratimi i buxhetit 2026 pa konsultim me të nuk është legjitim dhe devijon nga standardet e qeverisjes vendore.
Nga SYRI TV
Kryeministri Edi Rama i ka dhënë një tjetër goditje kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Ndërsa shfaqej publikisht me deklarata ku kërkon lirimin e tij nga qelia, nga ana tjetër ka përcaktuar Ogerta Manastirliun që de facto të marrë drejtimin e Tiranës.
E pa votuar nga qytetarët dhe në shkelje të rëndë të ligjit të autonomisë vendore, por me bekimin e Edi Ramës, Ogerta Manastirliu ka thirrur këshilltarët bashkiakë në një mbledhje në selinë rozë për të diskutuar projektbuxhetin e vitit 2026 për Bashkinë e Tiranës.
Mbledhja e thirrur nga Manastirliu vjen pak kohë para miratimit në Këshill, pasi të enjten ora 12 Këshilli Bashkiak pritet të votojë buxhetin, që tashmë është konsultuar nga takimet e Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Ndërsa Manastirliu ka nisur të sillet si kryetare e Bashkisë, nga qelia ka ardhur edhe kundërpërgjigja e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në një letër dërguar këshilltarëve socialistë, ai shprehet se buxheti i pakonsultuar më parë me të është i paligjshëm dhe shkel rëndë standardet e qeverisjes vendore.
‘Dëshiroj të rikujtoj se propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik. Miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim i gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.’, thotë Veliaj.
Në letrën e tij, Veliaj ka edhe një mesazh për kryeministrin Edi Rama, që sipas tij asnjë akt politik dhe struktura të përkohshme nuk mund ta zëvendësojnë.
Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe me parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht.
© SYRI.net