Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Vendimi që ndan mësuesit dhe zhvlerëson diplomat e vjetra, Lama: Më 18 dhjetor mësuesit do të protestojnë

09:19, 15/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një vendim i fundit i Këshillit të Ministrave ka nxjerrë sërish në pah një padrejtësi të rëndë që po godet mijëra mësues në Shqipëri, duke krijuar ndasi në trupën arsimore dhe duke zhvlerësuar diplomat e fituara para sistemit të Bolonjës.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar, përmes presidentes së saj Alma Lama, e ftuar në emisionin e mëngjesit 'Kafe Shqeto', në Syri Tv sqaron se kjo nuk është një problem i ri, por një skemë diskriminuese e ndërtuar prej vitesh mbi ligjin nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë, konkretisht nenin 124, i cili ka riklasifikuar padrejtësisht diplomat trevjeçare të mësuesve të titulluar si “arsim i papërfunduar” ose të barasvlershme me bachelor.

Lama thekson se mësuesit do të protestojnë me 18 dhjetor para Parlamentit duke bër thirrje për qytetarët, mësuesit për tu bërë bashkë.

Sipas SBASH, ky ligj ka shkelur të drejtat e fituara të mësuesve të arsimit fillor, të edukimit fizik dhe të arteve, ka krijuar paga të ndryshme për punë të njëjtë dhe ka lënë rreth 11 mijë mësues gati një të tretën e sistemit në një pozicion të pasigurt profesional dhe financiar. Edhe ndërhyrja e vitit 2018 ka pasur vetëm efekt pagash dhe jo njohje reale të diplomave.

Pas dështimit të Gjykatës Kushtetuese për të dhënë një zgjidhje, për shkak të ndarjes 4 me 4 të trupës gjykuese, çështja ka mbërritur në Kuvend, ku është depozituar një projektligj që synon korrigjimin e kësaj padrejtësie, duke kërkuar që sistemi i Bolonjës të mos përdoret si kriter vlerësimi për diplomat e marra para hyrjes së tij në fuqi. SBASH paralajmëron se nëse kjo situatë nuk zgjidhet, do të vijojë degradimi i statusit, dinjitetit dhe pagës së mësuesve që prej vitesh mbajnë në këmbë arsimin publik.

Pjesë nga deklarata:

Çështja e diplomave, në fakt, po na merr prej gati një viti e gjysmë mundime, pa u ndarë. I jemi drejtuar fillimisht Ministrisë së Arsimit me qëllim që të sqaronim problematikën në themel, pasi kjo, në fakt, u soll nga VKM-ja e qershorit, konkretisht më 26 qershor 2024, VKM nr. 425. Por problemi i diplomave të mësuesve ka nisur më herët. Ka nisur me ligjin nr. 80/2015, ligjin e arsimit të lartë.

Ligji i arsimit të lartë i kategorizon diplomat e mësuesve. Problemi realisht ka lindur në vitin 2015, pra me ligjin e arsimit të lartë. Neni 124 i ligjit nr. 80/2015 i kategorizon pa të drejtë diplomat e mësuesve që kanë përfunduar shkollimin e tyre para sistemit të Bolonjës. Kjo kategori mësuesish ka përfunduar arsimin e lartë trevjeçar, por është titulluar mësues: mësues i arsimit fillor, mësues i edukimit fizik ose mësues i arteve.

Çfarë bëri ligji i arsimit të lartë? Këto diploma trevjeçare i quajti sipas sistemit të Bolonjës, duke i konsideruar si arsim i papërfunduar ose bachelor. Në vitin 2018 u përpoqëm të bënim një korrigjim në ligjin e arsimit parauniversitar, por ky korrigjim u bë vetëm për efekt page dhe jo për efekt diplome.

Në fakt, është një problematikë e mbartur prej vitesh dhe për këtë arsye iu drejtuam fillimisht Gjykatës Kushtetuese, pasi ka shkelje të të drejtave të fituara më parë dhe ka diskriminim, sepse për të njëjtën punë dy mësues paguhen jo në mënyrë të barabartë. Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk na dha një zgjidhje, pasi trupa gjykuese prej tetë anëtarësh u nda katër me katër.

Si një situatë e pazakontë, ne iu drejtuam, nëpërmjet deputetes Ina Zhupa, Kuvendit të Shqipërisë. Iu drejtuam Kuvendit me qëllim që ta zgjidhim problemin aty ku buron, sepse buron te ligji. U hartua një projektligj në Kuvend. Një grup i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar është konsultuar në mënyrë të vazhdueshme me deputeten Ina Zhupa, të cilën e falënderoj shumë për mbështetjen që po na jep. Ne pretendojmë që ky projektligj të kalojë në Parlament, pasi është një problem i krijuar nga ligjvënësi.

Ligji është i shkruar keq dhe kushdo që sot ulet dhe e shikon me vëmendje problematikën, e kupton se nga buron dhe se duhet zgjidhur. Ne kemi kërkuar të shtojmë vetëm një pikë: nenit 124 t’i shtohet një pikë ku të përcaktohet që sistemi i Bolonjës të mos jetë vlerësues për diplomat e marra para hyrjes në fuqi të këtij sistemi. Sepse sot sistemi i Bolonjës, arsimi trevjeçar ose bachelor, nuk të titullon, pra nuk të bën mësues. Nuk kemi pse t’i quajmë bachelor diploma me titull, të cilat janë titulluar si mësues dhe e kanë këtë efekt. Në fakt, mësuesit janë të indinjuar edhe moralisht.

Numri i mësuesve të prekur nga kjo padrejtësi është gati një e treta e mësuesve të sistemit. Shpeshherë përpiqen të flasin për 6.000 mësues, por jo, janë rreth 11.000. Duhet të flasim edhe për mësuesit e arsimit parashkollor, të cilët varen nga bashkitë. Arsimi është i ndarë në disa pjesë, disa “çudira shqiptare”. Arsimi parashkollor varet nga bashkitë dhe edhe ata kanë të njëjtin problem. Janë mbi 4.000 mësuese.

Kemi gjithashtu arsimin 1–5, pra mësuesit e arsimit fillor, që përbëjnë një numër të konsiderueshëm. Përveç tyre, kemi edhe mësues që sot punojnë në gjimnaze dhe që kanë përfunduar mastera profesionalë me 60 dhe 90 kredite. Edhe ata kanë probleme me pagën e grupit, sepse paga jonë ndahet në katër komponentë: paga e grupit, paga sipas kategorisë, paga sipas vjetërsisë dhe paga e pozicionit. Pra, paga e grupit ka prekur edhe mësues që sot janë në sistem, punojnë në arsimin e mesëm të lartë, por diplomat e tyre të masterit janë 90 kredite.

Ne do të protestojmë, mësuesit do të protestojnë në 18 dhjetor 2025 në orë 14:30 para parlamentit, ditën e enjte. I bëj thirrje mësuesve, shoqërisë civile, prindërve sepse është koha për të reaguar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco