I ftuar në emisionin “SYRI I BOTËS”, gazetari Genc Burimi u shpreh se dokumenti i ri i strategjisë së sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara tregon qartë se Amerika po ndryshon rrënjësisht marrëdhënien me Evropën dhe se kontinenti nuk mund të mbështetet më verbërisht te mbrojtja amerikane.
Sipas Burimit, dokumenti ka shkaktuar alarm në kryeqytetet evropiane, pasi për herë të parë ngre hapur mundësinë që Evropa të mbetet e vetme përballë sfidave të saj të sigurisë.
Ai theksoi se ky zhvillim nuk është i papritur, veçanërisht për Francën, e cila historikisht ka paralajmëruar për varësinë e tepruar nga Shtetet e Bashkuara. Burimi nënvizoi se thirrjet e vazhdueshme për autonomi strategjike evropiane, nga De Gaulle deri te Macron, sot po rezultojnë të drejta, ndërsa Evropa përballet me realitetin e një Amerike që kërkon të tërhiqet gradualisht nga roli i saj tradicional si garant i sigurisë së kontinentit.
Pjesë nga deklarata:
Pra, ka pasur një lloj anti-amerikanizmi, në kuptimin që gjithmonë ka qenë një vend që nuk u ka besuar shumë amerikanëve. Ka qenë edhe vendi i parë që guxoi të dilte nga NATO, madje ta dëbonte atë. Nuk e kemi fjalën për largim simbolik, por për dëbimin e selisë së NATO-s, e cila ndodhej në Paris pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pas krijimit të NATO-s në vitin 1949. Selia u vendos në Paris dhe ishte Charles de Gaulle ai që e dëboi NATO-n nga Parisi në vitin 1964.
De Gaulle ka predikuar gjithmonë autonominë strategjike të Francës. Pse e bëri këtë? Sepse, ndonëse dihet pak në histori, Franca u ndje e tradhtuar nga amerikanët përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Midis dy luftërave, pra nga Traktati i Versajës në vitin 1918 deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Franca është ndjerë vazhdimisht e tradhtuar dhe e braktisur nga amerikanët, të cilët kishin një lloj preference për Gjermaninë e Hitlerit.
Kjo e çoi Francën e asaj kohe të krijonte aleanca me vende të vogla të Evropës Lindore, si Jugosllavia dhe Polonia. Madje, aleanca me Poloninë çoi më pas në përplasjen me Hitlerin. Këtë De Gaulle nuk e harroi kurrë. Këtë braktisje që anglo-saksonët i bënë Francës para Luftës së Dytë Botërore ai nuk e harroi dhe, për këtë arsye, me fuqinë e tij, e pajisi Francën me armë bërthamore, e nxori nga NATO dhe i thoshte gjithë botës se Franca ishte një vend që garantonte vetë sigurinë e saj. Këtë ua thoshte edhe evropianëve.
Çdo president që erdhi pas De Gaulle-it, të gjithë me radhë, deri te i fundit, Macron, kanë thënë dhe kanë bërë të njëjtën gjë: u kanë bërë thirrje evropianëve të krijojnë një mbrojtje, një shtyllë të mbrojtjes evropiane. Të mos harrojmë dy fjalimet e famshme të Macronit në Sorbonë, të njohura si fjalimet e Sorbonës, ku ai pikërisht këtë theksonte. Megjithatë, ai nuk është marrë kurrë seriozisht. Francezët nuk janë marrë kurrë seriozisht, sepse perëndimorët gjithmonë u thoshin se mbrojtjen e kishin nga amerikanët. Pra, ajo që po ndodh sot në Francë nuk i habit dhe madje shpesh thonë: “Ju kishim paralajmëruar”.
Çfarë është ky dokument?
Në rastin e Evropës, ky dokument nuk është më i rëndësishmi. Dokumenti më i rëndësishëm vjen në muajt janar–shkurt dhe është dokumenti tjetër i mbrojtjes. Ky aktual është ideologjik, për sigurinë e përgjithshme. Ai që pritet të vijë ka të bëjë drejtpërdrejt me mbrojtjen dhe aty krijohen aleancat. Për këtë arsye, sot është shumë e vështirë të komentohet ky dokument.Pse është e vështirë? Sepse ekziston një qëndrim në Evropë që është komplet paranojak dhe ekstremist, i cili thotë se më në fund amerikanët na braktisën. Ky qëndrim shkon deri aty sa t’i shohë amerikanët jo vetëm si jo-aleatë, por edhe si kundërshtarë. Madje, i është dhënë shumë pak jehonë dokumentit të ngjashëm të sigurisë që publikohet çdo vit nga Danimarka. Në atë dokument, po ta lexoni, amerikanët trajtohen praktikisht si armiq. Bëhet fjalë për dokumentin e inteligjencës së mbrojtjes daneze, i cili është shumë i rëndë, pasi përmend mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Danimarkës, konkretisht për Grenlandën.
Kjo është ana më ekstremiste. Ekstremizmi më i butë është ai që thotë se amerikanët do të lënë NATO-n dhe se evropianët duhet të përballen vetë me gjithçka. Ata mbështeten në deklaratat amerikane që thonë se nga viti 2027 e tutje, evropianët duhet të jenë gati të marrin përsipër dhe të paguajnë NATO-n. Sot, rreth 75% e kapaciteteve të NATO-s janë amerikane dhe vetëm 25% evropiane. Ideja është që pas vitit 2027, evropianët të arrijnë në 50%. Kjo është linja paranojake dhe negative.
Ekziston edhe krahu tjetër, që thotë: “Shikoni, në këtë dokument përmbahet një fjali e rëndësishme, ku Trump thotë se Evropa është vitale për Amerikën”. Pra, kjo Amerikë nuk kërkon të braktisë Evropën, por kërkon një marrëdhënie ndryshe, një marrëdhënie sovraniteti të institucionalizuar. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që sot amerikanët nuk e duan më Bashkimin Evropian në formën aktuale dhe, po të kishin mundësi, do ta dobësonin apo edhe shkatërronin atë. Mjafton të përmendim faktin që BE-ja i vendosi një gjobë të madhe Elon Musk-ut, prej 130 milionë dollarësh.
© SYRI.net