Mazhoranca qeverisëse ka miratuar projektligjin e shumëdebatuar për “paqen fiskale”, një nismë e cila, ndonëse prezantohet si një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe biznesit, ka shkaktuar shqetësim të madh tek opozita, dhomat e tregtisë vendase dhe të huaja, si dhe ekspertët e ekonomisë.
I ftuar ditën e sotme në intervistën e mesditës në Syri TV, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, komentoi se ligji në sipërfaqe duket si një mundësi për bizneset që deklarojnë fitime 15% më të larta se viti paraardhës, të përjashtohen nga kontrollet fiskale për tre vitet e ardhshme. Por, sipas Telitit, prapa kësaj fasade pajtuese fshihet një mekanizëm i rrezikshëm, që ekspertët e ekonomisë e cilësojnë si një “lavatriçe” për paratë e krimit.
Teliti theksoi se ligji hap një portë të madhe për pastrimin e fondeve me origjinë të dyshimtë, duke shpërblyer ata që veprojnë në informalitet dhe duke penalizuar bizneset e ndershme, të cilat për vite me rradhë kanë paguar rregullisht taksat.
Ai paralajmëroi se kjo masë, duke mos pasur kufi maksimal dhe duke rrëzuar amendamentet e opozitës për sektorë të caktuar, mund të legalizojë miliarda euro me origjinë të diskutueshme, të ndryshojë balancat e fuqisë në sektorë kyç ekonomikë dhe të dëmtojë konkurrencën e ndershme në treg.
Pjesë nga deklarata:
"Po të shohësh që në nenet e para të projektligjit për paqen fiskale, që është miratuar tashmë me kartona të mazhorancës, që u kundërshtua fuqimisht nga opozita, por edhe nga dhomat e tregtisë vendase dhe të huaja, siç ishte dhoma amerikane e tregtisë e kështu me radhë, që në nenet e para të saj thuhet, do të përfitosh, mos kesh kontrolle për tre vitet e ardhshme? Atëherë thotë, bëjmë një paqe bashkë.
Pra, që në konceptin që këta kontrollin e shohin si një element jo të paqes, pra të luftës, tregon mënyrën se si janë kryer punët këto vite në Shqipëri. Se si janë, çfarë formati kanë pasur kontrollet në Shqipëri.
Dhe tani qeveria i ka ofruar, i thotë, hajde të bëjmë një paqe. Unë s'do të të kontrolloj për tre vitet e ardhshme, gjatë tre viteve, me kushtin që ti të më deklarosh mua një fitim që është 15% e vitit të kaluar.
Pra, më sill disa para më tepër në arkën e shtetit, më deklaro një fitim më të lartë se sa viti i kaluar, dhe taksidarët e mi që përpara ishin luftarakë, pra nuk ishin paqësorë, s'do të vini tashmë te dera. Dhe është një paqe midis biznesit tënd dhe qeverisë në fuqi dhe tatimorëve që ajo ka.
Nga ana tjetër, përveç kësaj, ka hapur një derë të madhe gjigande, e cila është pastrimi i bilanceve të të kaluarës. Një portë e madhe, një portë e madhe gjigande e cila nuk ka masë, realisht kontrolli.
Po ta marrim me një kalkulus konkret. Supozoni se ju keni pasur një biznes. Keni deklaruar 100.000 euro në vitin 2024. Me paqen fiskale sot, ju keni të drejtë të deklaroni 1 milion euro fitim për vitin 2024. Dhe të fusni në tregun shqiptar para të padeklaruara në masën 900.000 euro më tepër, të cilat ndoshta s'mund të jenë fare as paratë tuaja. Po ndoshta mund të jenë të një trafikanti, të një drogaxhiu, të një politikani, i cili me anë, duke shfrytëzuar ju, po përdor dhe faktin për të pastruar paratë.
Dhe paguan, dhe për më tepër, miq, pra, për më tepër që paguan, që deklaron 1 milion, pra vlera e pagesës është vetëm 5%. Ai i cili ka paguar taksat 1.000, detyrimet 1.000 në kohë, ai e ka paguar atë fitimin 15%.
Pra që këtu jemi, realisht jemi në të njëjtën deja vu, në të njëjtën praktikë që na u propozua dy-tre vite më parë. Ajo që ishte amnistia e kapitalit, e cila u kundërshtua fuqimisht jo vetëm nga institucionet ndërkombëtare, jo vetëm nga dhomat tona tregtare, por edhe nga shtetet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kështu me radhë. Tashmë kanë gjetur një mënyrë tjetër, një formë tjetër, e quajtur ndryshe, pra jo amnisti, po e quajtur paqe fiskale, e cila do të kishte të njëjtën gjë, madje pa kufij.
Se ndonëse amnistia para tre viteve që u propozua, e kishte një kufi deri në 2 milionë euro, kjo e sotmja as kufi nuk ka. Kështu që është hapur një portë e madhe gjigande lavatriçe për pastrimin e parasë, e cila do të sjellë më shumë të ardhura në arkën e shtetit, patjetër, por do të fusi në tregun shqiptar, do të ligjërojë në tregun shqiptar, ata që mund të jenë të futur tashmë, miliarda, miliarda e miliona të cilat do të deformojnë konkurrencën e lirë dhe të ndershme dhe do të vazhdojnë të godasin akoma dhe më fort aktorët e...
Mesazhi që jepet me amnistinë dhe me paqen fiskale cili është? Mos jini të ndershëm, se do vijë një moment që qeveria juve do ju fali. Mos u sillni me ligjin, se do vijë një moment që qeveria juve do ju japi një akses.
Dhe e fundit fare, mirë t'i bëre gjithë këto lëshime ndaj këtyre që nuk kanë qenë të ndershëm dhe të rregullt. Për ata që kanë qenë të ndershëm në treg, a mendove një farë shpërblimi për ndershmërinë e tyre? Se kur ti fal të pandershmin, po ai që ka qenë i ndershëm, çfarë do fitojë? Ai që ka qenë i ndershëm merr mesazhin, shiko, të sillem keq unë nesër, sepse do të vijë amnistia e radhës. Zero, askush nuk mendoi për ta.
A kishte nevojë tregu shqiptar për një amnisti, për një, le të themi, për një heqje detyrimesh apo falje? Po, po, kishte nevojë. Për një pastrim bilancesh të gabuara? Po, kishte nevojë. Por mënyra siç është kryer kjo është tërësisht e gabuar dhe do të japë efekte negative mbi ekonominë shqiptare, mbi konkurrencën e ndershme, mbi aktorët e tregut, se kush do të zotërojë, pra mund të kemi ndryshime të fuqive brenda sektorëve të caktuar".
© SYRI.net