Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi kërcënimin me jetë të gazetarit Osman Stafa. Berisha u shpreh se përgjegjës kryesor për këtë është Rama dhe qeveria e tij, të cilët, sipas tij, po mbrojnë krimet kundër njerëzimit që kryhen në Spitalin Onkologjik. Pacientët me sëmundje malinje, shtoi kryedemokrati, privohen nga ilaçet dhe aparaturat jetike për shkak të korrupsionit dhe tenderave të manipuluar nga dyshja Nushi–Doshi, të lidhur direkt me Ramën. Berisha sulmoi ashpër edhe ndërhyrjet e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se po përdoren presione dhe materiale komprometuese kundër gjyqtarëve për të mbrojtur interesat e ministres Balluku dhe vetë kryeministrit.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, denoncoi kërcënimin me jetë ndaj gazetarit Osman Stafa, i cili sipas kryedemokratit, vjen pas investigimeve të tij për abuzimet dhe mungesën e trajtimeve jetësore në Spitalin Onkologjik. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se në Onkologjik ka ndodhur krimi më i shëmtuar kundër njerëzimit në 32 vite, ndërsa denoncoi “zaptimin e tregut të ilaçeve” nga ajo që e cilëson si “mafia Nushi–Doshi”. Berisha bëri përgjegjës kryesor për sulmin ndaj gazetarit Edi Ramën.
Lideri demokrat denoncoi sërish presionet që, sipas tij, Edi Rama po i bën Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur Belinda Ballukun dhe veten e tij, duke hedhur akuza edhe për shantazhet që u janë bërë punonjësve të kësaj gjykate me video që ndalohet të përdoren. Berisha hodhi dyshime se në këto shantazhe është i përfshirë edhe SPAK-u.
Duke u ndalur te SPAK-u dhe zgjedhja e drejtuesit të ri, Berisha theksoi se, ndryshe nga Altin Dumani, Klodian Braho u zgjodh sipas Kushtetutës, por nuk la pa komentuar edhe përfshirjen e lartë ndërkombëtare në këtë proces. Megjithatë, Berisha e sheh të pamundur që Rama të heqë dorë nga tentativat për kapjen e SPAK-ut, edhe pas zgjedhjes së drejtuesit të ri.
Para gazetarëve, Berisha denoncoi edhe atë që e cilëson si “rrëmbimi i institucionit të Avokatit të Popullit”, me votimin e Endri Shabanit në Kuvend. Kryedemokrati akuzoi Ramën se ka zëvendësuar standardet me lobim korruptiv, si në votimin e Avokatit të Popullit duke refuzuar kandidaturat e opozitës, ashtu edhe me miratimin e amnistisë fiskale, edhe pse ajo është kundërshtuar ashpër nga partnerët ndërkombëtarë.
© SYRI.net