Diplomati Agim Nesho, i ftuar në emisionin ‘SYRI Digjital’, ka komentuar deklaratat e bëra sot në Tiranë nga komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.
Nesho u shpreh për moderatorin Bled Marku, se qëndrimi i saj ishte i papranueshëm dhe i tejkaluar, duke nënvizuar se ekziston koordinim mes institucioneve ndërkombëtare për vlerësimin e proceseve zgjedhore, por që sipas tij, komisionerja Kos ka dalë jashtë rolit të saj.
Duke folur për raportin mes BE-së dhe OSBE/ODIHR-it, ai tha: ‘Pavarësisht se janë dy institucione të ndryshme, Bashkimi Europian me qendër në Bruksel dhe OSBE-ja me qendër në Vjenë, prapë se prapë ka një koordinim për arsye sepse ka një ‘common sense’, një marrëveshje të përgjithshme kur vjen puna për vlerësimin e zgjedhjeve dhe proceseve demokratike në një vend, është pikërisht ODIHR-i si një institucion i lidhur me OSBE-në me çështjet e sigurisë, paqes dhe të ëh të kontinentit Europian. Por dua të them këtë gjë, që kjo deklaratë për mendimin tim e, jo vetëm e tejkaluar por e papërgjegjshme e komisioneres Kos, nuk është një rast i veçantë’.
Nesho kujtoi edhe një episod të mëparshëm në Bruksel.
‘Ne e kemi parë edhe në takimin e Brukselit kur mori pjesë dhe ngriti dorën e zotit Rama sikur ishte një kampion i proceseve dhe një lider, siç e përcaktoi ajo, një lider me vizion ndryshe nga gjithë liderat e Ballkanit. Këtu tregon që përveç një lobimi të të thekur politik prej shumë kohësh, zonja Kos po tejkalon edhe ato detyra të cilat do të ishin vërtetë në shërbim të vendeve të cilat aspirojnë të futen dhe të të realizojnë integrimin europian.’
Sipas tij, komisionerja Kos po neglizhon realitetin politik në Shqipëri.
‘Pse? Për arsye sepse jo vetëm shqiptarët të cilët jetojnë këtu në këtë qeverisje katastrofë, por edhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian e shikojnë që në Shqipëri ekziston një autokraci. E shikojnë që në Shqipëri shteti ka kapur gjithë institucionet. E shikojnë që në Shqipëri që drejtësia është e pavarur, që nuk funksionon shteti i të drejtës dhe drejtësia në shumë momente është i kapur nga ekzekutivi.’
Diplomati Nesho solli në vëmendje deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm gjerman gjatë vizitës në Tiranë.
‘Dhe këto nuk i themi neve si analistë, por i tha dhe para dy ditëve Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë i cili erdhi këtu. Dhe ndryshe nga gjithë vendet e tjera, duke ditur që përfaqëson lokomotivën e Bashkimit Europian, vendit më të rëndësishëm, e cila në shumë raste përcakton edhe tonin e veprimeve të tjera të Bashkësisë Europiane, mesazhet e tij duke takuar vetëm ministren e Jashtme për protokoll dhe SPAK-un për detyrë, për t'ju treguar shqiptarëve se sa e nevojshme është bërja e reformave dhe hapja e kapitujve nuk është asnjë gjë, por reformat do të bëjnë të mundur ëh realizimin e aspiratës së shqiptarëve.’
Në vijim, Nesho u ndal te motivet politike të komisioneres.
‘Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, unë e shikoj të gjithë veprimtarinë e zonjës Kos thjesht si një, një dëshirë për të realizuar atë ëh, çfarë Bashkimi Europian dhe Presidentja e Bashkimit Europian ka thënë që Europës i kërkohet një veprim gjeopolitik për të integruar sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor.’
© SYRI.net