Ish-deputeti Genc Pollo ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Pollo thekson se debati mbi ligjshmërinë e vendimit të GjKKO-së po shërben si shmangie nga ‘çështjet e mëdha’, duke ngritur një seri pyetjesh të drejtpërdrejta për mungesën e reagimit politik brenda Partisë Socialiste dhe heshtjen e kryeministrit Edi Rama mbi akuzat e rënda që dalin nga dosja hetimore ndaj Ballukut.
Ai nënvizon se thelbi i krizës nuk lidhet me interpretimet procedurale, por me mungesën e përgjegjshmërisë publike dhe morale nga drejtuesit më të lartë të mazhorancës.
Reagim i ish-deputetit Genc Pollo:
Ligjshmëria e vendimit të GjKKO që pezulloi Ballukun është një debat që largon vëmendjen nga Çështjet e Mëdha:
Që janë:
Pse nuk ka dhënë dorëheqjen Balluku këto tre javë mbasi është marrë e pandehur dhe kanë dalë lakrat sheshit (nga dosja hetimore)?
Pse nuk flet askush në PS, përfshi edhe deputetët ‘e virtytshëm’, për bëmat e dosjes të cilat janë interes publik e jo vetëm objekt penal?
Pse nuk i kërkojnë sqarime publike ministres (paralel me mbrojtjen ligjore) për të ‘rivendosur besimin e tronditur’?
Pse nuk i kërkojnë dorëheqje siç lipset?
Pse, në mungesë të këtyre hapave nga Balluku, nuk procedojnë me përjashtimin nga grupi parlamentar e nga partia?
Pse nuk i bën këto gjëra vetë kryetari i partisë e kryeministri Edi Rama.
Kjo e fundit është pyetja strumbullar!
© SYRI.net