I çuditshëm është reagimi i Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos lidhur me zv/kryeministren Balluku e cila është e pandehur për afera korruptive me tendera dhe GJKKO me kërkesë të SPAK ka vendosur pezullimin e saj nga detyra.
Në konferencën me gazetarët, pas 'Samitit rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE” me liderët e Ballkanit Perëndimor, diplomatja e Brukselit u tregua e rezervuar. E quajti rast të zakonshëm që ndodh dhe në vende të tjera ndërsa duket se do të presë fundin e procesit gjyqësor.
Pyetje: "Zonja Kos, ju dëgjuat deklaratat e kryeministrit përsa i përket çështjes së zonjës Balluku, zëvendëskryeministres. Një pyetje për ju. Bashkimi Europian, a pret që vendet anëtare që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian të kenë një zëvendëskryeministër dhe ministre e cila, mbi të cilën rëndon një akuzë nga Prokuroria Speciale, speciale.
Marta Kos: “ Nuk do të komentoj çështje konkrete. Ajo që unë mund të them është që një sistem i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdhaja të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Dhe gjithashtu Shqipëria ka patur një ecuri të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit.
Dhe këtë ne e kemi patur si pjesë të gjetjeve tona dhe e kemi bërë edhe pjesë të raportit të zgjerimit.
Ajo çka ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e sundimit të ligjit, e mbrojtjes së qytetarëve dhe të sektorit të biznesit do të thosha që është e paprecedent.
Ajo që ne duam nga çdo vend kandidat është që të ketë një sistem ku me ndihmën e sistemit gjyqësor do të ketë siguri ligjore, që në rast se dikujt i dhunohen të drejtat, atëherë ka gjykata dhe ka gjykatës të cilët do të kujdesen për këtë çështje.
Dhe sigurisht që raste të tilla ndodhin gjithandej, por e rëndësishme është që ne të ndjekim vendimet e gjykatës dhe ajo që kam dëgjuar nga kryeministri që do të ndodhë në fakt.
© SYRI.net