Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Fitorja e protestës, turpi i intelektualëve

Rama nuk e lëshon Ballukun: Nuk ikën, do ‘rrijë’ derisa të vijë vendimi GJK

12:55, 21/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend ta lëshojë numrin dy të qeverisë Belinda Balluku. I pyetur në konferencën me gazetarët pas 'Samitit rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE” me liderët e Ballkanit Perëndimor Rama bëri të qartë se nuk do të emërojë një emër të ri në vend të Ballukut por vendi i zv/kryeministrit dhe i ministrit të Infrastrukturës do të qëndrojë bosh deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Për periudhën që flasim qeveria e Shqipërisë nuk ka një zv/kryeministër dhe as një ministër të Infrastrukturës e Energjisë që funksionon

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së SYRI TV, Ambrozia Meta, për qëndrimin që do mbajë në lidhje me vendimin e gjykatës speciale për zëvendësen e tij, Belinda Balluku, Rama tha se do respektohet vendimi, edhe pse e quajti një reflekt antidemokratik, dhe 'akt brutal' i ndërhyrjes në pushtetin ekzekutiv. 

“Dua të them fillimisht se nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndër sa arsye themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Pa diskutim që sot edhe fakti mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë.

Dhe në këtë epokë të re, Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye.

Për sa i përket rastit konkret, dua të them tre gjera.

Së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër, as eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe e realizuar vetëm vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive.

Duke filluar nga një fakt i pamohueshëm, varrosja e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë.

Por ama ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushteti krejt të ri, fëminor për nga mosha si dhe reflekse të vjetra antidemokratike.

Së dyti dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjesht për ne, këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse sic thotë edhe një fjalë e mençur, kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë.

Dhe këtu vij tek e treta, pezullimi nga detyra i një ministri, dhe në këtë rast edhe zëvendëskryeministri, pra drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është  një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart të një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve antidemokratike që përmenda po ashtu më lart.

Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evropian të vendeve të ish-lindjes komuniste ku nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë një anëtar qeverie.

Por, dhe ky është një por shumë i madh, nëse një prokuror special dhe një gjykatës special kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushteti tjetër të pavarur, siç është ekzekutivi, duke marrë kompetencat e kryeministrit, presidentit dhe parlamentit, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja si gjithmonë. Për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht, edhe në këtë rast ekstrem.

E thënë drejtpërdrejt ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti.

Dhe as do angazhohemi larg qoftë në një betejë politike, retorike me drejtësinë.

Por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik.

Do ta ruajmë dhe mbështesim pavarësinë e gjyqësorit.

Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres.

Dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese,” tha Rama.

I pyetur nga një gazetare tjetër Rama sqaroi bëri të qartë që nuk do e lëshojë zëvendësen e tij.

"Nuk u kuptuam. Pezullimi është vendim i gjykatës që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese do të duhet të na thotë qëndrimin e saj bazuar në Kushtetutë.

Pra nuk jemi në kushtet kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë

Për periudhën që flasim qeveria e Shqipërisë nuk ka një zv/kryeministër dhe as një ministër të Infrastrukturës e Energjisë që funksionon" tha ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco