Gjykata e Posaçme pritet të shqyrtojë të shtunën e 22 nëntorit, verifikimin e masave për numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, njëherësh edhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli, kreu i ARRSH dhe administratori i KESH-it, Erald Elezi.
'Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korruspionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar', thuhet në njoftimin për mediat të GJKKO.
Gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Çela do të marrë gjithashtu në pyetje Ballukun dhe dy vartësit e saj.
Me kërkesë të SPAK, gjyqtari i GJKKO, Erjon Çela, miratoi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku dhe dy masat e sigurisë për vartësit e saj.
Gjyqi do të zhvillohet të shtunën, 22 nëntor, ora 09.00 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Njëkohësisht, GJKKO i bllokou pasaportën ministres Balluku, duke mos lejuar në këtë mënyrë daljen e saj jashtë vendit.
Zëvendëskryenministrja Belinda Balluku, po hetohet për veprën penale për “shkelje të barazisë në tendera” për tunelin e Llogarasë.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur një tjetër akuza ndaj numrit 2 të qeverisë, dhe ajo lidhet me Lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Mësohet se vendimi është një marrë një ditë më parë nga gjyqtari Erion Çela me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi dhe sot u është dërguar institucioneve për zbatim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, akuzat lidhen me veprimet e ministres Balluku në cilësinë e saj si drejtuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në lidhje me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë, në autostradën SH8 (Vlorë–Sarandë).
Sipas SPAK, tenderi në fjalë është zhvilluar më 11 dhjetor 2020, ndërsa pas anulimit të tij, procedura është rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekë.
Sakaq Syri ka siguruar pjesë nga vendimi i GJKKO-së për masën e sigurisë pezullim nga detyra të zv. Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun si dhe bllokimin e pasaportës.
Në vendimin e GJKKO-së e firmosur nga gjyqtari Erjon Çela u caktua masë sigurie ‘arresti shtëpie’për 2 bashkëpunëtorët e saj, Gentian Gjyli,aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A).
Në vendim konfirmohet se SPAK po heton dhe procedura të tjera prokurorimi, ndërsa po vijohet marrja në pyetje e personave zyrtarë që kanë vepruar në kuadër të ndjekjes së procedurave të prokurimit, të cilët janë vartës të drejpërdrejtë të të pandehurve të sipërcituar.
“ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet Qëndrore që drejtojnë vetë të pandehurit në detyrë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjise dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, por edhe nisur nga fakti që organi procedues po vijon me pyetjen e personave zyrtarë që kanë vepruar në kuadër të ndjekjes së procedurave të prokurimit, të cilët janë vartës të drejpërdrejtë të të pandehurve të sipërcituar. Si dhe nisur nga fakti që organi procedues po heton për shkeljet e këtyre të pandehurve edhe në procedura prokurimi të tjera"
Po kështu ekziston rreziku i vijimit të abuzimit me fondet publike përmes tenderave të paracaktuar si dhe intimidimi i vartësve të cilët po merren në pyetje.
"organi procedues po vijon me pyetjen e personave zyrtarë që kanë vepruar në kuadër të ndjekjes së procedurave të prokurimit, të cilët janë vartës të drejpërdrejtë të të pandehurve të sipërcituar. Si dhe nisur nga fakti që organi procedues po heton për shkeljet e këtyre të pandehurve edhe në procedura prokurimi të tjera” thuhet ndër të tjera në vendim"
Ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo, lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë.
SPAK e GJKKO i druhen edhe arratisjes
Në vendim thuhet se Balluku dhe vartësit e saj rrezikojnë deri në 5 vite burg secili dhe mund të arratisen. Vepra penale, neni 258 i K.Penal, për të cilën ata akuzohen , parashikon nga një deri në pesë vjet burgim ndërsa merret parasysh dhe rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim.
© SYRI.net