Atird Hoxha, këshilltar i PD në Këshillin Bashkiak të Vlorës, ka denoncuar një shkelje të hapur të ligjit dhe rregullores nga kryetarja e re e Bashkisë, znj. Brunilda Mersini.
Sipas Hoxhës, anëtarët e Këshillit janë njoftuar më datë 20.11.2025 se mbledhja për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë do të zhvillohej vetëm një ditë më pas, në orën 10:00, në ambientet e Teatrit “Petro Marko”.
Hoxha thekson se kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin nr. 139/2015, i cili parashikon që njoftimi për mbledhje duhet të bëhet jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Ai shprehet se mbledhja e thirrur nga kryetarja e Bashkisë dhe kryetarja e Këshillit, e quajtur prej tij “2 K”, është e pavlefshme dhe e kontestuar, duke u konsideruar një shkelje e hapur dhe me arrogancë.
Hoxha akuzon se mandati i znj. Mersini është bërë i kontestuar që në ditën e parë, për shkak të këtij veprimi, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po menaxhohet qeverisja vendore në Vlorë.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Nëpërmjet shkresës nr. 19558 prot., datë 20.11.2025, ne, si anëtarë të Këshillit Bashkiak, jemi njoftuar se sot, pra vetëm një ditë pas marrjes së njoftimit, në orën 10:00, në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, do të zhvillohet mbledhja për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë.
Dikush mund të pyesë: Ku qëndron shkelja e ligjit dhe e rregullores së Këshillit?
Sqaroj shkurtimisht:
Në zbatim të rregullores së Këshillit Bashkiak dhe konkretisht nenit 54, Detyrat dhe kompetencat e Kryetarit të Këshillit janë:
1.Kryetari i Këshillit kryen detyrat si më poshtë:
a.Thërret mbledhjen e Këshillit, në përputhje me nenin 53 të Ligjit nr. 139/2015.
Po çfarë parashikon neni 53 i këtij ligji?
Në pikën 4 të tij thuhet:
Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj.
Jo më pak se 5 ditë!
Kjo është shkelja e kryer hapur dhe me arrogancë nga “2 K”.
Dikush mund të pyesë se çfarë janë “2 K”: janë dy kryetaret, ajo e Këshillit dhe ajo e Bashkisë.
Pra, është krejtësisht e qartë se mbledhja e thirrur për sot është në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe me rregulloren e funksionimit të Këshillit Bashkiak.
Znj. Mersini, që në ditën e parë, shkel në një dërrasë të kalbur, duke e bërë mandatin e saj të kontestuar dhe të pavlefshëm.

© SYRI.net