Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Franc Nuri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e cilësuar masën si ‘vetëm majën e ajsbergut’ në atë që ai e quan kapje të shtetit nga qeveria Rama.
Juristi i PD-së, Franc Nuri, ka komentuar sot masat e marra nga Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut, e cila u pezullua nga detyrat që mbante si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Nuri tha se vendimi i SPAK tregon se regjimi i kryeministrit Edi Rama ‘është ndërtuar mbi abuzime dhe kapje totale të shtetit’.
Reagimi i Fanc Nurit:
Pezullimi sot nga detyra i zëvendëskryeministres Belinda Balluku me vendim Gjykate është vetëm maja e ajsbergut. Çdo ditë që kalon, po provohet atë që qytetarët Shqiptarë e kanë kuptuar prej kohësh: Regjimi i Edi Ramës është ndërtuar mbi abuzime dhe kapje totale të shtetit.
Në një vend (a)normal, me këto skandale të përmasave të pallogaritshme, nuk do të ishte vetëm Balluku që largohej nga posti. Do të ishte Kryeministri, i pari, që do duhej të mbante përgjegjësi politike e morale.
Sot po shohim një paradoks të turpshëm:
Të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës, zv/Kryeministra, ministra, zv.ministra, drejtorë të mëdhenj, kryetarë bashkish etj., janë në burg, nën hetim, në arrati ose të pandehur. Vetëm « Ai » vazhdon të sillet si « fanar ndriçues » drejt Europës, sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për piramidën e abuzimeve që ka ngritur me pushtetin e tij këto 12 vite.
Por sidoqoftë, koha e Ramës po mbaron. Kandili i tij politik po fiket me shpejtësi. Më shpejt se ç’mendohej. Dhe ironikisht, pikërisht në kulmin e pushtetit absolut të PS dhe Ramës, sot Ramës po i shembet çdo gjë si një Kështjellë Letrash.
Pas rrëzimit të Erion Veliajt, edhe më e shpejtë ishte rënia e ‘Bela Belindës’. Tani radha është e Edi Ramës.
Thirrja ime sot është e qartë:
Vetëm zgjedhjet e parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër, mund ta rikthejnë Shqipërinë në shinat e normalitetit.
I bëj thirrje demokratëve dhe opozitarëve të bashkohen rreth Partisë Demokratike për të bërë të mundur rrotacionin politik !
I bëj thirrje socialistëve të ndershëm që të ngrihen kundër diktatit të Ramës në parti dhe në qeveri.
Shqipëria nuk është pronë private e Edi Ramës. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, aq më pak një kryeministër me gjithë qeverinë në hetim.
Koha e Edi Ramës ka mbaruar.
© SYRI.net