Juristi Marash Logu, i ftuar në emisionin “Task Force” të Sonila Meços në SYRI TV, ka komentuar pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, nga SPAK.
Sipas tij, prokurori i çështjes ka konfirmuar në dosjen hetimore, e bërë tashmë publike, se Balluku dhe disa persona të tjerë të marrë të pandehur po hetohen edhe për vepra të tjera penale. Megjithatë, ai ka sqaruar se marrja e saj e pandehur në këtë fazë lidhet me çështjet që rrezikonin të parashkruheshin.
Logu theksoi gjithashtu se drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, në një raportim para Komisionit të Ligjeve më 15 tetor 2025, ka deklaruar se që në nëntor të vitit 2024 është miratuar një udhëzim administrativ në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian. Ky udhëzim parashikon që çdo hetim penal i regjistruar të shoqërohet paralelisht me një hetim pasuror.
Sipas tij, SPAK tashmë e ka standardizuar praktikën e zhvillimit të një hetimi pasuror krahas çdo çështjeje penale, qoftë ato që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë, qoftë me rastet e krimit të organizuar.
Logu:
Prokurori domethënë ka konfirmuar në fakt që Belinda Balluku së bashku me grupin e njerëzve që janë marrë të pandehur, janë duke u hetuar edhe për vepra të tjera penale, por thotë, që marrja e saj e pandehur në këtë fazë ka të bëjë me faktin e kalimit të afatit të parashkrimit.
Pra, prokurori këtë gjë e ka cituar në dosjen që ne tashmë e kemi parë dhe është bërë edhe publike. Elementi i dytë ka të bëjë me faktin që drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, me 15 tetor 2025, duke raportuar para Komisionit të Ligjeve, ka thënë se në nëntor të vitit 2024, ne kemi miratuar një udhëzim administrativ në përputhje me rekomandimin e BE-së, që për çdo hetim penal që regjistrohet, ka një hetim pasuror paralelisht me të.
Pra, për çdo çështje penale dhe hetim penal që SPAK-u kryen, paralelisht me këtë hetim penal, ka dhe një hetim pasuror.
Pavarësisht, pra kanë standartizuar praktikën që krahas hetimit penal të ketë edhe një hetim pasuror dhe ishte duke folur pikërisht qoftë për korrupsionin e lartë, qoftë edhe për rastet e krimit të organizuar.
© SYRI.net