Pas vendimit të GJKKO-së për caktimin e masave të sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ka ardhur reagimi i ashpër nga opozita. Deputeti demokrat Klevis Balliu deklaroi në një intervistë në Syri tv se në këtë çështje mungon masa kryesore, ajo ndaj “arkitektit të vërtetë” të aferës, që sipas tij është kryeministri Edi Rama.
Gjatë bisedës me moderatorin Arnold Kariqi, Balliu akuzoi se Rama po sakrifikon Ballukun për të shpëtuar veten, duke ndjekur një skemë të njohur të distancimit nga bashkëpunëtorët e tij të përfshirë në afera korruptive. “Këtu duhet të mbarojnë këto lojëra ku na thotë Edi Rama që ‘unë nuk di gjë për Ahmetajn, nuk di gjë për Ballukun, nuk di gjë për Veliajn apo Beqajn’. Këtu përgjegjësia është komplet e Edi Ramës,” theksoi ai.
Sipas deputetit të opozitës, qeveria aktualisht ka rënë moralisht dhe politikisht, duke argumentuar se kryeministri duhet të japë dorëheqjen. “Këta kanë më shumë veta në kabinet në burg sesa janë këtu. Kjo është një qeveri e shkarkuar,” u shpreh Balliu.
Balliu rikujtoi gjithashtu denoncimin e bërë një ditë më parë në Parlament për një apartament 130 metra katrorë të dhuruar djalit të Ballukut, duke e lidhur këtë me pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, fenomen që sipas tij ka rritur në mënyrë fiktive çmimet e banesave, duke i bërë ato të papërballueshme për të rinjtë.
Ai këmbënguli se Balluku, në rolin e zëvendëskryeministres, nuk mund të vepronte pa urdhrin dhe dijeninë e plotë të Edi Ramës. “Nëse Balluku meriton një ditë burg, Edi Rama meriton një vit burg,” deklaroi deputeti, duke shtuar se drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe duhet të shkojë te “koka” e sistemit. Opozita paralajmëroi intensifikim të aksionit të saj, duke përfshirë protesta dhe kërkesa për komisione hetimore, me qëllimin final largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.
Arnold Kariqi: Si e sheh opozita këtë lëvizje të GJKKO-së ditën e sotme sa i përket numrit dy të qeverisë shqiptare?
Klevis Balliu: E para, ka një masë të munguar aty që është masa ndaj arkitektit të kësaj çështje që është Edi Rama. Këtu përgjegjësia për këtë çështje është komplet e Edi Ramës. Është ai personi i cili ka projektuar të gjithë këtë aferë korruptive dhe patjetër ka përdorur Belinda Ballukun...
Arnold Kariqi: Zoti Balliu, për çka po flasim pra, pikërisht për masat ndaj zëvendëskryeministres. Ju deklaroni se ditën e sotme pra, mungon masa e arkitektit, ku sipas jush arkitekti është Edi Rama. Pra, ka dy masa ndaj zonjës Balluku: ajo e pezullimit nga detyra dhe bllokimi i daljes jashtë vendit. Opozita, e sheh këtë si një masë e cila pra, po amnistohet kryeministri Rama, i cili është autori dhe arkitekti i vërtetë për atë çka akuzohet Belinda Balluku. Sapo ta kem gati zotin Balliu me lidhjen, unë do të rikthehem intervistës. Kujtoj për të gjithë teleshikuesit që prej më tepër se dy orë e gjysëm, Balluku ndodhet në zyrën e kryeministrit Rama. Është ky momenti i hyrjes së saj në kryeministri ku kamerat e Syrit Televizion kanë qenë aty. Siç duket edhe në këto momente, është hyrja e zonjës Balluku në takim me kryeministrin Rama dhe që prej dy orë e 30 minuta, më tepër se dy orë e 30 minuta, ajo ndodhet brenda aty. Balliu, ju kam në këto momente. Atëherë pra, ju thoni se arkitekti i gjithë kësaj është zoti Rama dhe po ia hedh paq.
Klevis Balliu: Patjetër që Belinda Balluku ka pjesën e vet dhe ka marrë pjesën e vet, por arkitekti, këto akte nuk mund të ndodhin pa kryeministrin. Tani këtu duhet të mbarojnë këto lojëra, ku na thotë Edi Rama që unë nuk di gjë për Ahmetajn, unë nuk di gjë për Ballukun, unë nuk di gjë për Veliajn, unë nuk di gjë për Beqajn, nuk di gjë për këtë e për atë, e ky qenka njeriu që, po ç'punë ka të jetë kryeministër ky pastaj? Kur ky s'di ka gjë fare? Këto janë lojëra. Balluku patjetër duhet të ishte në burg, po bashkë me Ballukun duhet të jetë dhe Edi Rama. Po si shkoka, Balluku dhe e mbyllka një aferë korruptive me turqit, të cilët ia ka prezantuar Edi Rama, pa ditur Edi Rama se ç'ndodhte. Kjo që ka ndodhur sot është një nga ngjarjet më të rënda. Këtu është faktuar që shteti ka rënë, që këtu s'ka qeveri, po ka bandë hajdutësh. Belinda Balluku është një hajdute e vogël krahasuar me Edi Ramën. Nuk ka diskutim që Lubia ka pasur dorë në të gjitha aferat korruptive, nga infrastruktura tek energjia. Dhe prandaj 70% të buxhetit Edi Rama e alokonte, e alokoi tek Belinda Balluku ditën e djeshme, për të vazhduar vjedhjet. Tani, të bëjmë këtu sikur po bëhet drejtësi, ndërkohë që ka dy persona që kanë firmosur për këtë aferë korruptive, është Edi Rama dhe Belinda Balluku. Njëra është me masë dhe tjetri as nuk thirret. Ç'do të thotë kjo? Çfarë qeverie është kjo? Si mund të rrimë ne dhe ta quajmë këtë si një situatë normale? Këtu ka rënë qeveria. Edi Rama duhet të dorëhiqet sot. Kjo është një qeveri e shkarkuar. Moralisht, politikisht, kjo është një qeveri e shkarkuar. Këta kanë më shumë veta në kabinet në burg sesa janë këtu. Është anomali, nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës dhe këtej pastaj na flasin për dëngla, jo Europa, jo rritja ekonomike. Rritje ekonomike për kë? Për, për Edi Ramën. Atij po i është rritur ekonomia. 55% e shqiptarëve nuk mbyllin dot fundin e muajit dhe duan të na e shesin tani me këto pseudo-masa që po e bëjmë drejtësinë ne. Pse se do bëj kurban Edi Rama Belindën? Ai kurban është gati t'i bëjë të gjithë për të shpëtuar kokën e vet.
Arnold Kariqi: Pra më tepër sesa një lëvizje të drejtësisë, ju e shihni lëvizje të kryeministrit Rama këtë?
Klevis Balliu: Po patjetër. Po patjetër. Po mos t'i ngatërrojmë ato mbiemra
Arnold Kariqi: Balliu, keni bërë një denoncim ditën e djeshme në parlament sa i përket një apartamenti 130 metër katror të dhuruar djalit të saj, nga zonja Balluku, e faturuar kjo dhe në deklaratën e saj të pasurisë. Për çfarë bëhet fjalë zoti Balliu dhe ku është ky apartament i dhuruar, brenda vendit?
Klevis Balliu: Për shkak të pastrimit të parave që bëhen nëpër kulla dhe ndërtim, është rritur fiktivisht çmimi i apartamenteve. Dhe të rinjtë dhe të rejat shqiptare sot nuk blejnë dot shtëpi. Madje e kanë të vështirë të rrinë në shtëpia me qira. Kurse këta, ia bëjnë dhuratë një 20 vjeçari këtë shtëpi. Dhe ai as nuk e përdor. Ku ndodhet, ku është kjo shtëpi, se thotë në Shqipëri. Ku është adresa e shtëpisë o zotëri? Se mund ta ketë te një nga këta biznesmenët që bën punët e veta atij. Ku është kjo shtëpi? Ne kur bëjmë deklarime na kërkohet adresa ekzakte. Kurse kjo adresën ekzakte e ka në Shqipëri. Po në Shqipëri mund të jetë edhe në kullën e Sinaloas, po mund të jetë edhe në një vend tjetër. Po ta dimë kur bëhet deklarimi i pasurisë. 33-vjeçarët shqiptarë nuk kanë dot shtëpia për shkak të pastrimit të parave. Kurse Belinda Balluku ka para boll sa bën dhurata shtëpi. Unë s'kam gjë. Shumë mirë, po deklaroje. Deklaroje zonjë. Se 130 metra katror në Tiranë sot nuk janë pak. Deklaroje ku është shtëpia, ç'është kjo dhuratë. Dhe as nuk e përdor, se këta i kanë zgjidhur punët e veta dhe nuk i hyn në punë për shqiptarët, prandaj dalin dhe na flasin ka rritje ekonomike, rritje ekonomike për këta. Ky është denoncimi që bëra unë. Dhe tani ajo çfarë ka rëndësi, është masat e arrestit. Shumë mirë që janë bërë masat e arrestit. Por zonja, duke qenë e lirë, me pushtetin që ka pasur dhe që ka, mund të ndërhyjë në hetime. Sepse zonja duhet bërë pentito. Unë ia kam thënë Belinda Ballukut. Ia thashë para tre ditësh në një televizion tjetër, po të bëjnë gati për të të pjekur. Tregoje shkakun, mos bëj gabimin që ka bërë gjyshi jot. Ia kam thënë në parlament: Mos bëj gabimin që ka bërë gjyshi jot. Dhe kjo vazhdoi me teoritë e gjyshit të vet. Dhe ja ku është sot. Dje i duartrokitën, sot i futën shkelmin. Shihni ndonjë reagim ju nga PS-ja, nga ata që e duartrokitën dje? Shihni ndonjë reagim? Zero. Pse? Sepse kanë hallin të shpëtojnë kokën e Edi Ramës. Sepse Edi Rama jep urdhra. Po tani, unë, pavarësisht çfarë mund të kem personalisht me Belinda Ballukun, pavarësisht debateve që mund të kem personalisht, po unë s'mund të pranoj kurrë që Belinda Balluku e ka bërë këtë dhe Edi Rama s'di gjë.
Në qoftë se Belinda meriton një ditë burg, Edi Rama do një vit burg. Do ishim të pasinqertë dhe të pandershëm me shqiptarët. Dhe shqiptarët duhet të kuptojnë që për sa kohë nuk ikën Edi Rama, do ketë Lubia sa të duash. Ai mund të heqi këtë Lubi, të sjellë Lubinë tjetër, Manastirliun. Ku kanë këta mungesë Lubish dhe mungesë hajdutësh? Ka vetëm hajdutë krijojnë dhe ndërtojnë. Ka bëjnë shkollë për të ndërtuar hajdutë sa më të mirë dhe sa më të mëdhenj. Ç'do të thotë kjo që të vazhdojmë neve në këtë formë? Kjo qeveri ka rënë. Sot Edi Rama të japë dorëheqjen. Në të kundërt këtu duhet të çohemi të gjithë dhe me hir me pa hir t'i largojmë nga pushteti. Nuk mund të mbahet një qeveri e tillë, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Dhe nuk ka nevojë më për analiza. Ç'analiza t'i bësh këtyre? Çfarë analize t'i bësh?
Arnold Kariqi: Balliu, të gjithë po ikin një nga një këto bashkëpunëtorë më të ngushtë të Ramës, por asnjë prej tyre nuk e kallëzon kryeministrin.
Klevis Balliu: Është frika, sepse ai ka pushtetin, i kërcënon. Po fole, ai ka bandat e veta o zotëri. I kërcënon me banda. Nuk ka diskutim. Por në këtë aferë, ajo është zëvendëskryeministre e Shqipërisë. Ajo bën vetëm çfarë i thotë kryeministri.
Arnold Kariqi: Po, a mund, a mund të justifikohet zoti Rama, sepse edhe për gjithë publikun që na sheh, Rama mund të dali përsëri dhe të thotë që ka ngrënë kumbulla pas shpinës time, por është zëvendësministrja e tij, zëvendëskryeministrja pra...
Klevis Balliu: Çfarë s'ka fare, s'ka firmosur, jo jo, s'ka firmosur. Jo, nuk justifikohet dot fare, sepse e para, ka firmosur dhe e dyta ka qenë në takim me turqit. Pra e kanë bërë bashkë.
Arnold Kariqi: Nëse Balluku ka vjedhur, kanë vjedhur bashkë, thoni ju?
Klevis Balliu: Po nuk ka diskutim, Balluku ka bërë çfarë i ka thënë Edi Rama. Në atë parti, të garantoj i nderuar, nuk martohen dot pa lejen e Edi Ramës. Jo më të vjedhin miliona euro pa lejen e Edi Ramës. Nuk ndodh. Në atë parti nuk piptin miza. Keni parë ju ndonjëherë të bëhet ndonjë diskutim në ato mbledhjet e këtyre? Nuk piptin miza, jo të vjedhin këto miliona euro dhe ky s'di gjë. Po në qoftë se ne pranojmë të na bëjë për budalla një hajdut si Edi Rama, është përgjegjësia jonë pastaj. Nuk mund të ketë njeri në botë që pranon që ky s'di gjë se ç'ka bërë Beqja, e që ky s'di gjë se ç'ka bërë Balluku, e që ky s'di gjë ç'ka bërë Veliaj. T'i harrojmë këto. Unë nuk mund të pranoj kurrsesi të më bëjë për budalla ky njeri. Dhe çdo njeri, çdo njeri që i pranon këto, pranon që të bëhet budalla për këtë. Të tallesh me qytetarët në këtë formë është e patolerueshme. Po nuk ka shqiptar që i han këto mashtrime, harrojeni. Ky është një akt nga më të rëndit. Këtu ka rënë qeveria. Janë vjedhur paratë e popullit më të varfër në Europë. 55% e qytetarëve nuk mbyllin dot fundin e muajit sepse i vjedh paratë Edi Rama. Krenohen nga mëngjesi deri në darkë se kemi buxhetin më të madh në histori. Dhe buxheti më i madh në histori nuk del për shqiptarët që të jetojnë me dinjitet. Por nuk ngrihen, nuk ngrihen zoti Balliu, nuk e mbyllin muajin... Sepse 70% e ekonomisë... Nuk e mbyllin muajin po qëndrojnë, qëndrojnë të heshtur....
© SYRI.net