'Rast unik në botë', Tabaku: Pezullimi i Ballukut zbërthen krizën morale dhe politike të qeverisë Rama

'Rast unik në botë', Tabaku: Pezullimi i Ballukut zbërthen krizën morale dhe politike të qeverisë Rama

15:04, 20/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një reagim në rrjetet sociale deputetja e PD Jorida Tabaku është shprehur se ky është një rast unik në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, duke e cilësuar një zhvillim të pritshëm për shkak të akuzave të ngritura dhe mënyrës se si ka operuar qeveria socialiste gjatë 12 viteve të fundit.

Ajo theksoi se ky nuk është vetëm një rast individual, por dëshmi e një krize morale dhe politike që shfaqet në nivelin më të lartë të qeverisjes, ku skandalet e njëpasnjëshme dhe mungesa e përgjegjësisë së kryeministrit janë bërë një model shqetësues qeverisjeje.

Tabaku shtoi se shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik dhe integritetin, jo një sistem të kapur nga tenderat e paracaktuar dhe arroganca politike, dhe se kjo situatë tregon qartë nevojën për ndryshim dhe përgjegjësi politike.

Postimi:

Ky është rasti unikal në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, dhe ky është një zhvillim i pritshëm duke parë akuzat dhe mbi të gjitha duke parë mënyrën si ka operuar qeveria socialiste në këto 12 vite.

Ky është vendimi i dytë për një zëvendëskryeministër, pasi një tjetër është në kërkim ndërkombëtar prej mbi 2 vitesh, e kryetari i bashkisë në burg. Kjo është një dëshmi e një krize të madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh, ku qeveria njolloset me skandalet dhe kryeministri shmang përgjegjësinë e tij morale dhe politike.
Për asnjë moment ne nuk kemi parë asnjë reflektim dhe as ndjeshmëri ndaj faktit se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera; përkundrazi u mor në mbrojtje jo për një, por për dy tendera tashmë ndërkohë që dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera, duke nisur me “tigrat” e duke vijuar me rrugën e Ersekës.

Kjo nuk është vetëm një çështje individuale. Është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, një pas një, për vite me radhë nga bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.

Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.

Tashmë një shtet i kapur është fytyra e një Shqipërie që nuk mund të fshihet pas kapitujve të hapur për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik, jo tenderat me paracaktim; që jep shembull me integritet, jo me arrogancë politike; që është e përgjegjshme, jo e pashqetësuar.
Këtë model duhet ta rrëzojmë, këtë duhet ta thyejmë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco