Pas një procesi të gjatë dhe të kontestuar, këshilli bashkiak në Pogradec ka miratuar vendimin për dhënien me qira të kullotave të fshatit Çorravë. Vendimi kaloi vetëm në tentativën e katërt, pasi në tre mbledhjet e mëparshme nuk ishin siguruar votat e nevojshme, çka tregon për një dinamikë të tensionuar rreth kësaj çështjeje.
Banori i fshatit, Kevi Muçllari i cili u konfliktua me një nga këshilltarët në mbledhjen e fundit, në ‘Kafe Shqeto’, tha se pronat në fjalë janë kullotat që historikisht janë përdorur nga banorët e fshatit Çorravë. Sipas tij, ky është një fakt i njohur publikisht nga i gjithë komuniteti, përfshirë edhe vetë zyrtarët e bashkisë, të cilët e pranojnë se këto toka u përkasin banorëve për përdorim, edhe pse ligjërisht janë nën pronësinë e bashkisë, siç ndodh rëndom me pronat publike.
Pas rënies së sistemit komunist, këto kullota u lanë si prona të përbashkëta me një konsensus komunitar, duke shërbyer për nevojat e banorëve, aktiviteti kryesor ekonomik i të cilëve ka qenë dhe mbetet blegtoria. Përdorimi i tyre historik nga fshati Çorravë nuk është kontestuar kurrë nga fshatrat fqinjë, duke u bazuar në një marrëveshje të pashkruar komunitare.
Megjithatë, qëllimi i bashkisë për këto prona mbetet i paqartë, duke shtuar konfuzionin dhe shqetësimin tek banorët. Fillimisht, u diskutua se kullotat do të jepeshin me qira për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Por, në mbledhjen e fundit ku u mor edhe vendimi final, zyrtarët u shprehën se pronat do të jepen "në parim", pa specifikuar një destinacion konkret. Ky ndryshim qëndrimi e lë të hapur çështjen e së ardhmes së këtyre tokave, të cilat janë jetike për ekonominë e komunitetit lokal.
Kevi Muçllari: Herën e parë nuk ishin numrat, pra mazhoranca nuk kishte numrat e mjaftueshëm për ta kaluar vendimin. Herën e dytë ishte po e njëjta histori. Herën e tretë, me sa di unë, ndodhi pothuajse e njëjta gjë dhe herën e katërt, siç duket, mazhoranca e kishte ndarë mendjen, në thonjëza po themi kështu dhe donte që ta miratonte këtë vendim. Kjo është pak a shumë dinamika e ngjarjes, domethënë në një raport kohor.
Ato janë kullota të fshatit Çorravë dhe janë historikisht të përdorura nga fshati Çorravë. Pra, ky është fakt publik, e dinë të gjithë, i madh dhe i vogël. Madje edhe zyrtarët e bashkisë, kryetari vetë, pra kryetari i bashkisë, e pranon që ato janë toka, kullota të fshatit Çorravë, por që gjithsesi në pronësi të bashkisë. Çka është krejtësisht normale sepse të gjitha pronat si rregull janë të shtetit. Por që gjithsesi janë në përdorim të banorëve, pra të banorëve të komunitetit. Kështu që ato prona kanë qenë historikisht prona të Çorravës dhe janë përdorur historikisht nga banorët e Çorravës. Pra pas shembjes së sistemit komunist, pra kur dihet se çfarë ndodhi me pronat, ato u lanë si prona të përbashkëta nga fshatarët e zonës, nga fshatarët e komunitetit.
Pati një konsensus të komunitetit sepse fshati merrej me blegtori në atë periudhë dhe u pa e arsyeshme që këto kullota të liheshin për përdorim të përbashkët. Sepse ishte e nevojshme që të përdoreshin bashkarisht nga të gjithë për sa kohë që aktiviteti kryesor ekonomik në atë kohë, po edhe sot, i një pjese të banorëve të zonës është blegtoria, atëherë praktikisht këto kullota janë kullota të përbashkëta të cilat përdoren nga Çorrava. Dhe me sa di unë, nuk ka ndonjë fshat, pra mund të ketë edhe fshatra kufitarë që të ketë pretendime se këto janë pronat tona, ju na keni zaptuar pronat. Jo. Asesi, të gjithë e dinë, edhe ata që janë përreth, që ato janë kullotat e fshatit Çorravë dhe janë përdorur historikisht nga banorët e fshatit Çorravë, përmes një marrëveshje komunale le të themi. Pra ne i kemi përdorur dhe s'ka kuptim që të pretendojë dikush tjetër se i ka ato kullota.
Tani, bashkia thotë që ne do t'i japim me qira në parim. Pra, se për çfarë do të jepen, nuk e di. Fillimisht thuhej që ato do të jepeshin për parqe fotovoltaike. Pastaj në mbledhjen e fundit që patëm, në datën 11, zyrtarët e bashkisë u shprehën që ato do të jepen në parim. Ndërkohë që në mbledhjen e parë ne debatin e kemi pasur lidhur me ndërtimin e parqeve fotovoltaike në kullotat e fshatit Çorravë.
© SYRI.net