Në të njëjtën ditë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, viziton Romën për t’u takuar me homologen italiane Giorgia Meloni, gazeta “Domani” i rikthehet marrëveshjes për emigrantët. Sipas gazetës italiane, projekti për menaxhimin e emigrantëve nuk funksionon, ndërsa zbulon probleme strukturore brenda kampit dhe ndalon e madje kufizon agjentët italianë të ankohen për kushtet që kanë gjetur atje.
Mediat italiane i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë vizitës së Ramës në Romë. Gazeta “Domani” thekson se kryeministrja italiane kishte premtuar, me një ton të prerë, se qendrat për emigrantët të ngritura në territorin shqiptar “do të funksionojnë”, por sipas saj ky model ka dështuar.
“Domani” ka zbuluar anomali të shumta, që variojnë nga strehimet e papërshtatshme deri te problemet me personelin italian të riatdhesuar. Në artikullin e saj shtrohen pyetje të drejtpërdrejta:
“Kujt i kemi dhënë 100 milionë euro para publike, të destinuara për mbikëqyrjen e jashtme? Me cilin vend kemi nënshkruar një marrëveshje prej gati një miliard eurosh me një shpenzim minimal prej 650 milionë euro për pesë vjet?”
Për gazetën italiane, fotografitë zyrtare dhe fjalët lavdëruese reciproke mes dy qeverive synojnë të fshehin një fushatë të dështuar që nisi një vit më parë, kur u hapën qendrat për emigrantët qendra që, sipas “Domani”-t, janë pothuajse gjithmonë bosh, të papërshtatshme dhe të shndërruara në “monumente të mëdha të shpërdorimit”.
Në artikull përmendet gjithashtu se në projektin e dështuar të ngritur nga qeveria italiane në anën tjetër të Adriatikut ishte parashikuar ndërtimi i një burgu me 20 vende, i destinuar për ata që midis emigrantëve do të kryenin krime nën juridiksionin italian. Aktualisht, ky burg ruhet nga vetëm 15 agjentë të policisë së burgjeve një e treta e kontingjentit fillestar ndërsa “Domani” sjell edhe rastin e një agjenti të riatdhesuar, pasi dyshohej se kishte fotografuar qentë endacakë që ushqeheshin nga policët pranë burgut bosh.
Gazeta italiane thekson se ekziston një mungesë strukturore serioze në kamp: dhomat e agjentëve, që sipas marrëveshjes duhet të jenë individuale, në realitet strehojnë deri në dy persona në një hapësirë prej 30 metrash katrorë. Megjithatë, drejtoresha e personelit ka deklaruar për “Domani” se deri tani nuk është regjistruar asnjë ankesë nga personeli pasi, siç shkruan gazeta, “nëse ndodh diçka e tillë, ata riatdhesohen menjëherë”.
© SYRI.net