Nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi në seancën e sotme parlamentare ka cituar një investigim nga një rrjet mediatik europian që implikon zyrtarë të lartë në një skandal të dyshuar për korrupsion dhe blerje votash.
Në fjalën e tij, Këlliçi akuzoi anëtarë të kabinetit qeveritar dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, për gënjeshtra dhe fyerje ndaj opozitës. Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të shumicës, ai ka tërhequr vëmendjen e sallës duke iu referuar një artikulli nga rrjeti investigativ europian “Follow the Money”.
Sipas deputetit, ky investigim, i publikuar pak ditë pas progres-raportit, zbardh detaje tronditëse. Duke cituar direkt nga raporti, ai deklaroi: “Në fillim të vitit 2025, Taulant Balla, gjithashtu ish-ministër i brendshëm dhe atëherë ministër shteti për marrëdhëniet me parlamentin, u përfshi në telashe për shkak të korrupsionit të dyshuar.”
Investigimi, siç u citua nga Këlliçi në Kuvend, tregon se gjatë kohës që shërbente si ministër dhe si udhëheqës politik i PS-së për diasporën, punonjës të ministrit Balla ishin kapur duke ofruar rreth 60 euro për votat e shqiptarëve në Britaninë e Madhe.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi hodhi poshtë edhe etiketimet si “anti-perëndimorë” ndaj partisë Demokratike për shkak të kundërshtimit të një projektligji për barazinë gjinore. Për të mbështetur qëndrimin e tij, ai përmendi një urdhër ekzekutiv të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili, sipas tij, e ndante gjininë në mënyrë strikte në mashkull dhe femër, duke argumentuar se Partia Demokratike ndan të njëjtin qëndrim.
Këlliçi:
Është e disa herë që në seancën e ditës së sotme këtu gënjehet në mënyrën më të paskrupullt të mundshme. Nga anëtarët e kabinetit qeveritar, në rastin konkret patë për të disatën herë ministrin Gogu, të gënjejë, të krijojë insinuata që nuk qëndrojnë. Dhe gjithashtu kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke u hequr gjatë gjithë kohës si një viktimë këtu e fyerjeve, ka që orët e para të mëngjesit që fyen deputetët e opozitës, fyen kreun e opozitës. Ankohet sepse të kapur në flagrancë, anëtarët e kabinetit qeveritar, siç është rasti i zëvendëskryeministres, konsiderohen të korruptuar dhe hajdutë dhe ndërkohë përmend vrasje, përmend afera korruptive imagjinare për të cilat është i paditur në gjykatë për shpifje e tjerë e tjerë.
Në lidhje me atë që tha pak më parë zoti Gogu që ne konsiderohemi si anti-perëndimorë, meqë nuk jemi pro atij projektligji që keni sjellë sot në seancë për barazinë gjinore, më vjen keq por duhet t'i kujtojmë perëndimorit Gogu, që në datë 20 janar të këtij viti, ditën e rikthimit në zyrën e shtëpisë së bardhë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka firmosur urdhërin ekzekutiv të parë, i cili ndante ekzaktësisht gjinitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vetëm dy dhe i përcaktonte: në mashkull dhe femër.
Dhe për të qenë konkret me ju, titulli ekzekutiv quhej 'Mbrojtja e grave nga ideologjia ekstremiste dhe rikthimi i të vërtetave biologjike në qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës'. Dhe këtë qëndrim sot ka mbajtur gjatë gjithë ditës edhe vetë Partia Demokratike. Në raport me akuzat e Taulant Ballës, për Partinë Demokratike, për deputetët e PD-së, për kreun e opozitës.
I sugjeroj kujtdo që të ndjekë sot të lexojë artikullin e një nga rrjeteve më të njohura investigative europiane Follow the Money. Të ndiqet paraja. Me qendër në Hollandë, e cila ka sjellë ditën e sotme një investigim tronditës pikërisht shumë pak ditë pas publikimit të progres-raportit. Citoj ekzaktësisht raportin në fjalë. Në fillim të vitit 2025 Taulant Balla, gjithashtu ish-ministër i brendshëm dhe atëherë ministër shteti për marrëdhëniet me parlamentin, u përfshi në telashe për shkak të korrupsionit të dyshuar.
Gjatë kohës si ministër, ai ishte gjithashtu udhëheqësi politik i Partisë Socialiste për diasporën dhe përgjegjës për përfaqësimin e interesave të shqiptarëve jashtë vendit. Me 2.5 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, vendi ka thuajse po aq njerëz jashtë kufijve. Punonjësit e ministrit Balla u kapën duke ofruar rreth 60 euro për votat e shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Në shërbimet policore europiane Balla njihet...
© SYRI.net