Ka nisur zyrtarisht këtë të shtunë fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit që do të mbahen në 5 bashki të vendit. Në garë për drejtuesit e rinj të bashkive janë 13 kandidatë, të cilët do të kenë vetëm një javë kohë për të shpalosur programin e tyre tek zgjedhësit. PS do të garojë me emrat e propozuar nga kryeministri Rama, teksa PD e opozita e bashkuar do të mbështesë kandidatët e pavarur. Mbi 308 mijë qytetarë do tu drejtohen kutive të votimit të dielën e ardhshme, për të zgjedhur kryebashkiakët e Bashkive Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik e Mat, mandati i së cilëve do të jetë vetëm 1 vit e gjysmë.
Nga SYRI TV
Këtë të shtunë nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, që do të mbahen në 5 bashki të vendit: Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat. KQZ ka vendosur 1 nëntorin si çeljen zyrtare të fushatës, teksa kandidatët për kryebashkiak kanë kohë vetëm një javë për të prezantuar platformën e tyre tek zgjedhësit.
Partia Demokratike dhe opozita do të mbështesin kandidatët e pavarur, që kanë depozituar pranë institucionit të zgjedhjeve dokumentacionin e regjistrimit, bashkë me firmat që u nevojiten nga qytetarët për të qenë pjesë e procesit, ndërsa PS ka shpallur kandidatët e saj disa javë më parë, të cilët janë propozuar nga kryeministri Rama.
Gjithsej janë 13 kandidatë që do të garojnë në 5 bashki. Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS, e cila la mandatin e deputetes për kandidimin si kryebashkiake, do të garojë përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga opozita, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, që ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur.
Në Berat, opozita do të mbështesë kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa, ndërsa PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca. Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, që do të marrë edhe mbështetjen e opozitës. Po në këtë bashki do të kandidojë nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ edhe Eligert Hima.
Në bashkinë e Matit, PS ka propozuar kandidatin Altin Bojni, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur. Kryetarja e Gruas së PS, Suzana Pasha, do të garojë jo vetëm kundër rivalit politik, por më së shumti në një garë ‘brenda llojit’ kundër kandidatit socialist Altin Bojni. Ndërkohë, në këtë bashki opozita do të mbështesë kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.
Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.
Ndërkohë, zgjedhjet në Tiranë vijojnë të mbeten pezull pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e dekretit presidencial, derisa Kushtetuesja të dalë me një vendim për çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në garën për kryeqytetin do të jenë Ogerta Manastirliu nga PS dhe kandidati i pavarur Florian Binaj, që ka mbështetjen e gjithë spektrit opozitar.
Të dielën e ardhshme, kutive të votimit do t’u drejtohen rreth 308 mijë qytetarë të 5 bashkive për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të rinj vendor. Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.
© SYRI.net