Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar sot mbrojtjen e tij në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton vendimin e qeverisë për shkarkimin nga detyra.
Gjatë fjalës së mbajtur para trupës gjykuese, Veliaj akuzoi autoritetet për zbatim të standardeve të dyfishta, duke sjellë si shembull rastin e kreut të Bashkisë Rrogozhinë, i cili sipas tij ndodhet ende në detyrë pavarësisht një vendimi gjykate që e dënon me një vit burg.
“Kreu i Bashkisë Rrogozhinë është dënuar me një vit burg dhe është në detyrë. Unë jam i padënuar, i pafajshëm dhe nuk lejohem të ushtroj detyrën. Do më binte më mirë të kryeja një krim dhe të shkoja në Apel, sesa të mbroja pafajësinë time nga paraburgimi? Po aplikohet një standard i dyfishtë,”-deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij në sallë.
Seanca, e cila zgjati rreth 7 orë, bëhet pjesë e përpjekjes së ish-kryebashkiakut për të kundërshtuar shkarkimin, ndërsa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të shpallet në ditët e ardhshme.
© SYRI.net